Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reagur në lidhje me situatën tensionuese në veri të Kosovës duke thënë se është shqetësuese që barrikadat po konsiderohen si “të zakonshme.” Sipas tij, është Albin Kurti ai që ka rënë në kurthin e Serbisë pasi nuk ka sovranitet në veri dhe nuk ka më as pushtet në atë zonë.
“Albin Kurti nuk ka as edhe një plan shtetëror për të ballafaquar gjendjen në veri”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ai madje komenton edhe gjendjen e institucioneve në Kosovë, ku sipas tij vendi është në një vakum administrativ dhe nuk mund të organizojë zgjedhje demokratike.
“Barrikadat e grupeve kriminale po bëhen tashmë të zakonshme, siç po bëhet i zakonshëm dhe moszëvendësimi i qindra policëve të dorëhequr, prokurorëve, gjyqtarëve e punëtorëve administrativ në veri që s’ushtrojnë detyrat pa të cilat shteti nuk ka përfaqësim. Për më tepër, sot Kosova as nuk ka institucione shtetërore në veri e as që mund të organizojë zgjedhje demokratike për t’i zgjedhur këto institucione aty. Pra jemi në vakum administrativ. Nëse ishte keq e rëndë në Veri, sot është dhe më keq e edhe më rëndë se që ishte paraprakisht. Kjo është e vërteta në veri dhe këtë të vërtetë institucionet e Kosovës s’mund ta lejojnë të normalizohet tani”, ka shtuar Abdixhiku,
Ai thotë se sot “humbasin dhe zërat që i kërkonin Kosovës t’i shpërfaqë sovranitetin aleatëve tanë, tek po të njëjtit aleatë që thirremi sot për ndihmë kur bandat kriminale të Serbisë e Rusisë veprojnë në territorin tonë lirshëm e pa pengim”.
Ai është i mendimit që qeverisë së Kosovës i duhet ndihma e ndërkombëtarëve për të koordinuar dhe pasur në kontroll situatën.
“Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë. Nga aty të koordinojë çdo hap të ardhshëm me aleatë për të kthyer rendin e ligjin në veri. Sjellja e vonuar, apo e pakoordinuar, është vazhdimësi e rënies në kurthin e Serbisë”, ka shtuar ai.
Lajmi kryesor:
10 ditë nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës, Osmani takon komandantin e KFOR! Zv.kryeministri Bislimi: Ka pasur plan ruso-serb që të digjej pika kufitare e Jarinjës
F.D/ReportTv.al