TIRANË- Vrasja për rezervimin e një tavoline të Gazment Kurmakut, i cili punonte si kryekamerier në një restorant në Elbasan, nga 33-vjeçari Erjon Llapushi, në fillim të tetorit 2021, është edhe produkt i segmenteve të kalbura dhe të papërgjegjshme të drejtësisë. Report Tv zbulon se tre muaj para se të kryente krimin e radhës, tashmë duke i marrë jetën një qytetari krejtësisht të pafajshëm, Erjon Llapushi është liruar nga burgu me kërkesë të Prokurorisë së Pogradecit, për një vepër penale që rrezikonte të dënohej deri në 10 vite burg. Në 28 maj 2021, Erjon Llapushi është arrestuar në flagrancë nga policia në Pogradec, pasi po transportonte 24 emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit, me qëllim për të kaluar drejt vendeve të BE-së. Emigrantët nga vendet e Lindjes së Meste kishin hyrë në Shqipëri nga Greqi, ndërsa synon të shkonin në Kosovës, më pas në Serbi dhe më në fund në Gjermani.
Në 29 maj 2021, Prokuroria e Pogradecit ka regjistruar procedimin penal nr. 179 ndaj Erjon Llapushit dhe personave të tjerë, për kryerjen e veprës penale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penale. Për këtë vepër penale parashikohet një dënim i rëndë nga 5 deri në 10 vite burg, dënim i cili do të shtynte çdo të dënuar t’i shmangej veprimit të drejtësisë. Krahas dënimit të rëndë të parashikuar, Erjon Llapushi ishte një personazh i njohur për drejtësinë për shkak të precedentëve të theksuar penale, i dënuar të paktën edhe dy herë të tjera, për vepra të rënda penale.
Me 1 qershor 2021, Gjykata e Pogradecit ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin e Erjon Llapushit dhe ka caktuar masën e arrestit me burg me afat 40 ditë, me qëllim për t’i krijuar kushtet Prokurorisë për të mbledhur provat. Me 6 korrik 2021, Prokuroria e Pogradecit i ka kërkuar gjykatës lirimin e nga burgu të Erjon Llapushit dhe caktimin e masës së sigurisë ‘detyrim për t’u paraqitur’ pranë Policisë Gjyqësore. Prokuroria, sipas këtij vendimi, ka kërkuar lirimin e Erjon Llapushit nga paraburgimi në kushtet kur kishte krijuar bindjen se Llapushi e kishte kryer veprën penale, kishte bindjen për rrezikshmërinë e tij si dhe ishte në dijeni për të kaluarën kriminale të Llapushit.
Më 7 korrik 2021, Gjykata e Pogradecit ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Llapushit nga burgu. Duhet theksuar se përgjegjësia kryesore për lirimin e Llapushit, në këtë rast, bie mbi Prokurorinë, pasi gjykata nuk mund të vendosë një masë shtrënguese më të ashpër se sa masa e kërkuar nga prokuroria. Gjykata ose do të rrëzonte kërkesën e Prokurorisë dhe Llapushi do të lirohej automatikisht sapo të përfundonte afati 40-ditor pasi ndaj tij nuk do të kishte asnjë masë në fuqi, ose do të pranonte masën e kërkuar nga prokuroria.
Në vendimin për pranimin e masës ‘detyrim paraqitje’ të kërkuar nga prokuroria, gjykata thekson se Erjon Llapushi është një personazh që mund të kryejë vepra edhe më të rënda penale.
“Duke u nisur nga rrethanat e ngjarjes, duke patur parasysh natyrën, llojin e veprës penale që dyshohet se ka kryer personi nën hetim, motivin e kryerjes së veprës penale, duke vlerësuar sanksionin e lartë me burgim nga pesë deri në dhjete vjet që përcaktohet për veprën penale të parashikuar nga neni 298/3 i Kodit Penal, duke pasur në vëmendje që vepra penale dyshohet se është kryer në bashkëpunim nga personat nën hetim si rrethanë cilësuese dhe për qëllime fitimi, si dhe duke patur parasysh personalitetin e personit nën hetim si i dënuar disa herë më parë (kjo referuar certifikatës elektronike) gjykata çmon se ekziston rreziku që personi nën hetim të largohet me qellim për t’ju shmangur procedimit penal në ngarkim te tij, si dhe të vazhdoje veprimtarinë e tij të paligjshme, duke kryer të njëjtën vepër penale me atë për të cilën po procedohen apo vepra të tjera penale më të rënda”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Kështu Erjon Llapushi ishte i lirë 40 ditë pasi u kap një flagrancë duke transportuar 24 emigrantë të paligjshëm. Tre muaj më pas, në 2 tetor 2021, Erjon Llapushi, kreu një krim shumë më të rëndë, në një restorant në Elbasan, duke vrarë kamerierin Gazment Kurmakut, 57-vjeç, për rezervimin e një tavoline. Gazment Kurmaku ndërroi jetë 5 ditë më pas. Kurmaku kishte një jetë që punonte si kamarier dhe në 8 tetor 2021 u përcoll në banesën e fundit. Erjon Llapushi u larguar menjëherë nga vendi i krimit, duke i shpëtuar arrestimit. Policia ende nuk ka arritur ta prangosë.
Erjon Llapushi rezulton një personazh me aktivitet të theksuar, të larmishëm dhe të provuar kriminal, ku gjithnjë ka arritur t’i shpëtojë lehtësisht drejtësisë. Aktiviteti i tij kriminal ka nisur që nga viti 2007 me kanosje, plagosje duke vijuar deri në vrasjen e Gazment Kurmakut.
Aktiviteti kriminal i Erjon Llapushit
-2019, Shtrëngim për dhënien e pasurisë (sërish i lirë)
Erjon Llapushi është një tjetër shembull ulëritës i degradimit të segmenteve të drejtësisë shqiptare. Në vitin 2019, Erjon Llapushi, sa bashku me Saimir Frahollin, përmes presionit dhe shantazhit mundën të merrnin 17 për qind të aksioneve të një kompanie private, e cila ka si objekt transportin e udhëtarëve në linjat Pogradec-Korçë dhe Pogradec-Tiranë. Më pas, aksionet e rrëmbyera, i ia kanë shitur një personi tjetër.
Pas operacionit të parë, të dy kanë nisur përpjekjet për t’u futur aksionerë në një kompani tjetër private në Pogradec, por që nuk kanë mundur ta mbyllin me sukses këtë “operacion”, për shkak edhe të ndërhyrjes së policisë dhe prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët kanë bërë arrestimin e dy të rinjve nga Pogradeci Saimir Fraholli dhe Erjon Llapushi. Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, neni 109/b i Kodit Penal, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor Erjon Llapushin për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim. Dhe në vitin 2020, Llapushi rezulton në burg. Nuk dihet rrethanat se si Llapushi ka rritur të dalë nga qelia për një vepër penale që dënohet deri në 8 vite burg, ndërkohë që ka vijuar akvitetin kriminal. -2008, plagosje e rëndë me dashje Në njoftimin e policisë së majit 2021, kur Erjon Llapushi u arrestuar për ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, ka një detaji. Në njoftim thuhet se Erjon Llapushi kishte kryer më parë edhe një krim tjetër, atë të plagosjes së rëndë me dashje. Plagosja e rëndë me dashje dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet. 13 vite më parë, në një lokal në qytetin e Pogradecit, Llapushi ka ka plagosur Mariglen Topuzin, ndërsa qëndronte bashkë me të. Topuzi është qëlluar me armë zjarri, duke marrë një plagë në kokë dhe një plagë në gjoks poshtë zemrës. Llapushi u arrestuar nga Njësia e Operacioneve Speciale dhe e Vëzhgimit, në rrugën e Dibrës, në Tiranë. Erjon Llapushi është dënuar për këtë vepër penale. Por ky dënim është një precedent që komprometon rëndë drejtësisë, e cila ka zbutur dënimin deri edhe ‘amnistuar’ Erjon Llapushin për krimet e mëvonshme.
-Armëmbajtje pa leje
Me kryerjen e veprës penale të plagosjes së rëndë me dashje, Erjon Llapushi ka kryer rrjedhimisht dhe automatikisht edhe veprën penale të armëmbajtjes pa leje. Mbajtja e armëve pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga pesë deri në shtatë vjet. Erjon Llapushi është dënuar edhe për këtë vepër penale, ku nga bashkimi i dënimeve, i janë lehtësuar pozitat.
1 maj 2007, tentativë për vrasje
Në CV-në kriminale të Erjon Llapushit është edhe një tentativë për vrasje, ndodhur në më 1 maj të vitit 2007. Erjon Llapushi ka tentuar të vrasë më me armë zjarri Andi Sukollarin. Pas ngjarjes, Llapushi është shpallur në kërkim, arrestuar dhe më pas dënuar. Erjon Llapushi, pas kryerjes së dënimit për tentativën e vrasjes së Andi Sukollarit, ka plagosur rëndë Mariglen Topuzin.
Erjon Llapushi objekt i OFL-së
Për shkak të aktivitetit kriminale dhe pas dënimit nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda për shtrëngim për dhënie pasurie, Erjon Llapushi ishte objekt i veprimtarisë së Operacionit Forca e Ligjit. Në janar të vitit 2020, OFL-ja, në bazë të aktit special anti-krim të qeverisë, i kërkoi Erjon Llapushit që të deklaronte dhe të justifikonte pasuritë. “Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: E.Ll., banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë e ka shpallur fajtor për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” e kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e OFL-së. Megjithatë, lëvizja e OFL-së nuk u finalizua me sekuestrim pasurie në rastin e Llapushit, pasi ky i fundit nuk kishte pasuri në pronësi.
Meriton burgim te perjetshem ky qorri. Shiko ça fyture ka sikur ka dale nga çmendia. Nuk ka lidhje fare me komunitetin ky mostra.. Me burg perjete Te denohet.. Dhe ben dhe si besimtar.. Vete ne xhami.. Allau e mallkofte Per veprimet qe ka bere
PërgjigjuPo mire prokuroria qe ishte e kalbur po gjykata qe mori vendimin si eshte ? Ku ka strukture shteterore te jete e paster ne kete vend ? Shteti ka degraduar dhe mos degjoni propaganden e Rames me shoke
PërgjigjuTi e lexon lajmin të paktën? Se nuk po pretendojmë të kuptosh jurisprudencë. Gjykata nuk mund të vendosë një masë më të lartë se ajo e kërkuar nga prokuroria. Ama ka të drejtë të shprehet mbi mosdakordësinë