Foto ilustruese

Skandali i pagave/ Konfindustria: Cenon formalizimin e ekonomisë! Shteti shqiptar rrezikon të penalizohet në shuma të mëdha nga kërkesa për dëmshpërblim e qytetarëve

28 Dhjetor 2021, 09:21| Përditesimi: 28 Dhjetor 2021, 10:22

  • Share

TIRANË- Kur kanë kaluar gati një javë nga publikimi i pagave të më shumë se 630 mijë shqiptarëve, Konfindustria shkruan se kjo do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë shqiptare. Në reagimin e tyre, thuhet se publikimi i këtij skandali godet formalizimin e ekonomisë, si edhe shteti shqiptar rrezikon që të penalizohet në vlera të mëdha financiare pas kërkesave për dëmshpërblim të qytetarëve.

“Konfindustria vlerëson, se skandali i fundit të rrjedhjes masive të të dhënave të ndjeshme të qytetarëve dhe bizneseve, pritet të ketë pasoja të rënda për ekonominë shqiptare.

Së pari, është një goditje e drejtëpërdrejtë e përpjekjeve për formalizimin e ekonomisë. Qytetarët dhe bizneset, në kushtet e pasigurisë së plotë të ruajtjes së të dhënave të tyre të ndjeshme nga agjencitë shtetërore nuk do të kenë vullnetin e nevojshëm për formalizim të pasurisë dhe aktivitetit tregëtar. Konfindustria do të kërkojë ndërprerjen për afat të pakufizuar të gjithë procesit të fiskalizimit dhe lejim të rikthimit në gjendjen fillestare të subjekteve të përfshira. Së dyti, rrjedhja e të dhënave personale dhe biznesore cënon rëndë besueshmërinë e shtetit shqiptar sidomos në rastet e tregjeve financiare dhe investimeve të huaja, që edhe kështu janë në rënie dhe më të ultat në rajon.

Gjithashtu, shteti shqiptar rrezikon potencialisht të penalizohet në vlera të mëdha financiare nga kërkesat për dëmshpërblim nga qytetarët dhe bizneset për pasojat negative, që rrjedhja e të dhënave mund të prodhojë në aktivitetin tregtar dhe pasurinë personale”, thuhet në njoftim.

Skandali mbi rrjedhjen e informacionit për pagat e mbi 694 mijë punonjësve shqiptarë, në sektorin publik dhe atë privat, cenoi të dhënat personale të qytetarëve duke i bërë ata për të rrezikuar nga hackerat dhe grupet kriminale. Pak ditë më parë u publikua edhe lista e targave e mbi 530.452 qytetarë shqiptare privat dhe për 61.513 biznese, banka, ambasada etj!

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?