Përballë një reforme zgjedhore të ngecur mes kapriçove të PD-PS, partitë e vogla i druhen arnimit të Kodit Zgjedhor në mënyrë të tillë, që ata të mbeten jashtë sistemit. Shqetësimin, e ngre kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka.
Në Report Tv në emisionin “Studio Live’ Duka tregon dhe bisedën e fundit telefonike me Bashën para tryezës 'Harku Opozitar Euro-Atlantik' dhe bën të qartë se PAA nuk projekton aleancë të ardhshme zgjedhore pa parë çfarë do të bëhet me reformën zgjedhore.
"Si PAA dhe partitë e tjera të vogla nuk është se po bëjnë koalicione parazgjedhore. Zoti Basha para 4 -5 ditësh bëri një tryezë për reformën zgjedhore. Më mori në telefon dhe më ftoi. Më tha a jeni dakord me këtë që kemi thënë ne. Se ju vetë keni ardhur e kërkoni firmat për të njëjtat teza. Pra që të votojnë emigrantët, listat e hapura, që Shqipëria të bëhet me 3- 4 zona zgjedhore, votimi e numërimi elektronik. Duke qenë kështu mund të vini në tryezën që iniciatorë ishin ata (Shenim PD). Unë vetë nuk kisha mundësi të shkoja se isha jashtë, por shkoi nënkryetari. Por kjo u shit si aleancë. Ne nuk kemi bërë aleancë as me të as me Berishën, e me askënd. Se jemi në kushtet si do të hyjmë në fushë të lojës. Nuk dimë si do të jetë gjyqtari e si do të gjykojë" thotë Duka për gazetarin Arbër Hitaj.
Është i vendosur kur thotë se në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, pra 2025, PAA do të hyjë vetëm nëse do të shkohet me Këtë kod zgjedhor dhe lista të hapura.
“Nuk po projektojmë një aleancë të ardhshme zgjedhore kur nuk dimë kushtet e lojës. Nëse do të shkohet me këtë Kod Zgjedhor dhe shartohet në mënyrë të shëmtuar. Pra ky që është po me lista të hapura atëherë çfarë kuptimi ka?! Ku qëndrojnë koalicionet nëse bëhet me lista të hapura e ndarë me 12 qarqe. Po u bë me lista të hapura do të futesh në një sigël e do të vijojë e njëjta histori. Ndërkohë partitë e vogla penalizojnë veten e tyre.
Ta zëmë PD e rithemelimi e partitë e vogla do të futen në të njëjtën sigël do i japin PAA-së një kandidat. Kush është leverdia këtu? Së pari do konkurosh në një habitat jo natyral tëndin se je tek listat e PD-së. Është ngjyra e tyre që mbizotëron. Të gjithë votat që ti merr shkojnë në favor të PD-së e gjithë puna shkon dëm. Nëse do të jetë kështu Partitë e vogla duhet të bashkohen që të kenë sa më shumë kandidatë e të kenë formë mbijetese" thote Duka.
Gjithsesi do të jetë asambleja e PAA-së që do të mblidhet më 20 prill për të dhënë vendimin përfundimtar. Por Duka është i bindur.
Me lista të hapura e me këtë Kod Zgjedhor të ndarë në 12 principata, pa komisionerë e në të gjitha kushte te diskriminuara do të dalim më vete. Do të kemi mundësi të dalim vetëm e të mund të fitojmë 1 – 2 deputetë. Edhe nëse nuk fitojmë deputetë, themi PAA ka marrë kaq vota, thekson Duka.
Lajmi kryesor:
'Rithemelimit i duhej marrëveshja', Duka në 'Studio Live': Opozita nuk e ka luksin të jetë indiferente ndaj Bashës
S.G/ReportTv.al