Ish-kryeministri Sali Berisha

Ylli Pata: ‘Skenari seksual’ si antidotë për bombën e amerikanit të fishekëve të Gërdecit

10 Shkurt 2023, 18:51| Përditesimi: 10 Shkurt 2023, 19:28

  • Share

“Pista seksuale” që Sali Berisha po përdor që prej ditësh, duke sulmuar ambasadorët, është natyrisht një veprim krejt poshtë çdo niveli normal të komunikimit mes njerëzve të civilizuar. Është një goditje poshtë brezi që përdoret në basifondet apo gjirizet e shoqërive njerëzore zakonisht, por për politikën shqiptare nuk është natyrisht një gjë e re.

Është përdorur pak vite më parë, pikërisht nga kolegët e doktorit që gojën e ka pasur të shturrurr se jeta, por tashmë i ka thënë “ciao" çdo nervi apo sensi normal të logjikës njerëzore.

Pak vite më parë, e njëjta skemë u përdor për të sulmuar ambasadorin e Bashkimit Europian Luigi Soreca. Një ish-prokuror i antimafias italiane, koleg me Giovani Falconen e Paolo Borselinon, i cili u soll në Tiranë për të mbështetur fort reformën në drejtësi. E kjo ndodhi pas një sulmi të ndyrë që Sali Berisha dhe Ilir Meta ndërmorën ndaj paraardhëses së tij, Romana Vlahutin, një diplomate kroate që vinte nga një karriere brilante në gazetari.

Po njëjtë u sulmua nga një personazh i frikshëm, e cila është bërë terrori i gazetarëve për kohë me radhë, një përfaqësues i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Njerëz që nuk kanë pikë morali, kanë vjedhur pa fund, kanë kërcënuar e madje edhe dhunuar, bëjnë si të ndershëm dhe shantazhojnë njerëzit, që i ndjekin si pleqtë perversë në kodrat e liqenit.

Për të gjitha këto fushata të ndyra, që janë nisur nga mediat e penalistëve që hiqen si modern, nuk ka pasur deri tani asnjë fakt, asnjë rast asnjë vërtetim, por vetëm shpifje. Siç është padyshim ajo që Sali Berisha nxori nga goja, me shpresën se do ngjisë paksa fabula seksuale.

E kjo fabul seksuale natyrisht që vjen nga vrima e thellë në trurin impotent të protagonistëve, por ka një synim, siç ka pasur në të gjitha rastet kur është hedhur në eter.

Qëllimi është për të mbytur një lajm të madh, me një ndyrësi edhe më të madhe siç janë këto palaçolloqet që hidhen në eter pa asnjë logjikë e referim.

U sulmua për afera seksuale Romana Vllahutin, pikërisht kur kërkoj nisjen e pandëshkueshërisë, u sulmua Donald Lu kur foli për “Peshqit e Mëdhenj”, e mediat pro “çiftit investigativ seksual” i nxorën në foto gjasme në pozicion jo të përshtatshëm. U sulmua natyrisht Luigi Soreca, pasi u përfshi për të ndihmuar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe konstituimin e KLP-së, e cila më pas do të emëronte anëtarët dhe kreun e SPAK.

Po kësaj here, përse Sali Berisha shpërtheu në haluçinacione perverse? Së pari për të zbutur sadopak bombën e David Packouz, amerikanit të fishekëve të aferës që lidhet paralel me Gërdecin,i cili në një intervistë për Report TV tha se çmimi i fishekëve është negociuar nga djali i kryeministrit të atëhershëm-Shkëlzen Berisha.

Është një bombë e vërtetë, që natyrisht vjen thuajse njëkohësisht me hapjen e Gërdecit nga SPAK edhe si aferë korrupsioni dhe pastrimi parash. E ndaj u shantazhua dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, pasi duke qenë se Amerika është mbrojtësja e SPAK, u qëllua ajo për të frikësuar prokurorët e prokurorisë speciale. Një taktikë e njohur në një kohë shumë të turbullt. Ku natyrisht nuk do të ndalet edhe në shumë gjëra të tjera. Siç tha edhe sot se do të sulmojnë shtëpitë e ministrave apo njerëzve të mazhorancës.

Po kjo e fundit nuk ka gjasa të ndodhë, megjithëse do të jetë një kontribut i mirë. Se do të sjellë që mediat të filmojnë vendet ku banojnë politikanët tanë të lartë. E logjikisht do të ketë reaksion nga ana tjetër për ekspeditat e Lalzit. Fundja kjo është transparencë.

Skandal është shantazhi që një person që është anëtar i Parlamentit shantazhon kaq rëndë një ambasador të një vendi të huaj. Është vepër penale. Nëse një kongresmen amerikan do të bënte të njëjtën gjë për ambasadorin shqiptar në Uashington, së paku do ta kishte thirrur FBI-ja, ose do të merrte një gjobë apo ndonjë ditë në qeli, në burgjet e ftohta federale…

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?