Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Skënder Minxhozi: Basha, Berisha dhe një president francez që s’e donte askush

13 Janar 2022, 11:49| Përditesimi: 13 Janar 2022, 11:51

  • Share

Në tetë janar u sulmua selia e Partisë Demokratike. Me të gjitha mjetet e arsenalit të një proteste të dhunshme, si ato që Shqipëria ka njohur jo rrallë në dekadat e fundit. Sali Berisha dështoi në këtë aventurë të dhunshme jo vetëm sepse Lulzim Basha kishte zgjedhur dyer të forta dhe xhama të trashë dritaresh, por sepse në thelb Doktori u braktis nga ata që kujtonte se i kishte me vete. Një mijë veta janë shumë pak për të marrë një seli me histori 30 vjeçare, disa mandate qeverisëse, e plot foto presidentësh e kryeministrash në muret e saj.

Tani të gjithë brenda Foltores e kanë të qartë se nuk do të ketë pushtim të SHQUP-it. Vula dhe selia mbetën në duart e atyre që duan largimin e Berishës nga PD dhe këtij të fundit i mbetet të kërkojë një godinë dhe një emër të ri për partinë private që do ta përdorë si strehë kundër amerikanëve.

Berisha dhe të tjerët vijojnë të kapen fort pas idesë se Lulzim Bashën nuk e do askush, se ai është pakicë dhe për pasojë duhet të hapë krahun. Janë kaq të bindur në këtë ide sa bëjnë sikur harrojnë se ishin po këta persona, së bashku me Berishën në krye, që certifikuan me heshtje apo me duartrokitje rizgjedhjen qesharake të Bashës me 41 mijë vota në krye të partisë, pas humbjes së katërt elektorale.

Megjithëse në thelb kjo është e shkuara, në rrafshin kronologjik të ngjarjeve, e tashmja ka të bëjë në një masë të madhe me atë që ndodhi gjatë verës së vitit 2021. Kushdo brenda Foltores mund t’i përplasë sot në fytyrë Lulzim Bashës Kuvendin e 10 dhjetorit në stadium, ashtu si dhe referendumin e një jave më pas, kur Berisha e shkarkoi me një votim të organizuar nëpër lokale e kafene fshati. E vërteta është gjithsesi e ndryshme dhe gjendet mes rreshtave të procedurës.

Askush në PD dhe rreth saj nuk është në gjendje të thotë se proceset e nismat statutore që kanë vënë në lëvizje dy kampet pas shtatorit, kanë një farë integriteti dhe meritojnë të merren si të paanshme dhe si pika reference për atë që ka ndodhur. As 4220 formularët e zyrës së Edi Palokës nuk u verifikuan nga palë të treta, as dy kongreset e Air Albania dhe të Pallatit të Kongreseve me votimet dhe ngritjet e duarve si në mitingje, nuk u verifikuan sa të sakta ishin. Edhe referendumi për shkarkimin e kryetarit të PD nuk u zhvillua në kushtet e pranisë, kontrollit dhe certifikimit të një pale të paanshme. Berisha dhe Basha vetë kanë propozuar, vetë kanë votuar, vetë kanë vulosur. Kjo është e vërteta e asaj që ka ndodhur me nismat politike të katër muajve të fundit në Partinë Demokratike dhe në Foltore.

Sot demokratët kanë vetëm një rezultat formalisht të pranuar nga të dyja palët: rizgjedhjen e Bashës kryetar në qershor. Sado ironik dhe qesharak të duket ky konstatim, kjo është e vërteta therëse e një partie që la në krye pas 25 prillit një person që duhej të ishte dorëhequr qysh në vitin e largët 2017! Treni që kalon në stacion nuk kthehet më mbrapsht. Duhet të presësh tjetrin!

Sa për nivelin e mbështetjes/kontestimit të Lulzim Bashës brenda partisë, mjafton që kundërshtarëve të Lulit t’u kujtohet një precedent i thjeshtë në Evropën Perëndimore. Në vitin 2016, në një sondazh të porositur nga gazeta prestigjioze “Le Monde”, presidenti i republikës i kohës François Hollande gëzonte vetëm 4% të mbështetjes së votuesve francezë. 96% e tyre kërkonin largimin e tij ose thjesht nuk e pëlqenin. Megjithatë askush nuk mori heshta, matrapikë dhe shkallë bojaxhinjsh për të sulmuar muret e dritaret e Pallatit Elysee. Të gjithë, qytetarë dhe opozitarë të François Hollande pritën zgjedhjet e radhës presidenciale të një viti më pas për të zgjedhur dikë tjetër.

Nuk ka dyshim se Lulzim Basha është sot një figurë shumë jopopullore, e urryer madje nga një pjesë e partisë së tij. E meriton nivelin e ulët të pëlqyeshmërisë që ka. Problemi është se Shqipëria e sotme, me gjithë një mijë problemet që ka, ndodhet në një sistem ku procedura, e jo skena si të romanit të Kadaresë “Kështjella”, përcaktojnë ciklet politike. Nëse duam t’i zgjidhim punët me “revolucione paqësore” si të Foltores, i bie të mos kemi më klasë politike, por një repart xhenierësh me kazma, litarë, shkallë zjarrfikësish dhe sopata. Duhet ta kishit votuar Lulin kundër kur ishte momenti, të nderuar demokratë. Tani është vonë. Tetë janari këtë tregoi.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergj: 13/01/2022 13:29

    Analiza e Minxhozit mè kujton historinè e atij fshatarit qè zbriti nè qytet me njè kaçile fiq pèr ti shitur mirèpo askush nuk ia bleu. I xhindosur, fshatari i urinoi fiqtè nè kaçile, pa vrarè mèndjen se nuk kishte asnjè kacidhe nè xhep pèr tu ushqyer apo kthyer nè shtèpi. Nga darka,fshatari dègjonte zorrèt e tij tek bènin revolucion. Ashtu i lodhur, u kèrrus pèrmbi kaçile dhe filloi tè murmurisè,,,ky nuk qènka lagur,,,ky paska shpètuar,,,deri nuk mbeti asnjè mè nga fiqtè e urinuar. PD, èshtè ajo kaçilja e urinuar z.Minxhozi. Mos u mundoni tè ngrini krahasime me Parisin, aty ku kudèrmon era e gjithè tè kèqijave, qysh prej themelimit tè saj nga Ramiz Alia.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?