Kopertina e librit 'Skënderbeu në vendet nordike'

Skënderbeu dhe kontaktet e hershme të shqiptarëve me skandinavët

9 Qershor 2018, 08:12| Përditesimi: 9 Qershor 2018, 08:18

  • Share

Prof. Xhevat LLoshi ka energjinë që pa u ndalur të na dhurojë libra me vlerë. Botimi më i fundit me firmën e tij, bashkautor me John Quanrud, është “Skënderbeu në vendet nordike”, (192 faqe), botim i Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante. 

Tema e librit është e gjitha në titullin që përmendëm, vlera e tij është e shumëfishtë. Ky libër sjell punime kërkimore dhe studimore të hartuara sipas kritereve të ngulëta akademike, punë që përfshijnë një periudhë kohore mbi tridhjetëvjeçare, që nga vitet ’80, të shekullit që shkoi e deri sot. Realizimi dhe botimi i këtij libri me këndvështrime të reja për heroin tonë kombëtar vjen në këtë Vit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut. 

Për t’u ndalur më konkretisht po themi se si bashkautorë të këtij libri, veç Prof Xhevat Lloshit dhe dr John Quanrud, janë dhe Rolf Ködderitzsch (Universiteti i Bonit) dhe Tortsten Meissner (Universiteti i Kembrixhit) me studimin “Shqipëria në prozën letrare të vjetër nordike” (1990), Ludvig Holberg me trajtesën historike “Skënderbeu, prijësi dhe heroi më i madh në histori ”, botuar danisht më 1739; në këtë libër trajtessa e Holbegut vjen e përkthyer prej danishtes së vjetër nga John Quanrud; Sir William Craigie (pedagog në kolegjin Oriel të Oksfordit) me “Poezia romantike e Islandës”, (1949); Finborgi Gudhmundsson (ligjërues universitar dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Islandës) me “Skënderbeu në burimet islandeze”, (1985); Metthew J. Driscoll (profesor i filologjisë së nordishtes së vjetër) me “Skënderbeu një hero shqiptar me petk islandez”. 

Prof Xhevat LLoshi, veç punës kërkimore, është përzgjedhësi dhe konceptuesi i librit, përkthyesi i lëndës nga anglishtja, hartuesi i parathënies, 30 faqe, hartues i punimeve “Skënderbeu në penën e historianit të madh Holberg” dhe “Skënderbeu dhe rimuret islandeze”. Libri është i pajisur me shënime për secilin nga studimet dhe në fund me një bibliografi për veprat dhe autorët kryesorë që u referohet lënda e studimeve. Jepen dhe adresat mbi publikimet e mëparshme të disa prej këtyre punimeve.

Libri sjell të dhëna mbi historinë, gjeografinë, gjuhën, dhe letërsinë e vendeve nordike, shqyrton me prova dokumentare dukurinë e kontakteve të hershme midis shqiptarëve dhe skandinavëve, kontakte të gjysmës së parë të shek. XI, shumë kohë më përpara epokës së Gjergj Kastriotit .

John Quanrud ka një punim pikërisht mbi këto kontakte të hershme shënuar në librin “Histori e Perandorisë Bizantine”, 1070, të historianit dhe të juristit bizantin Mihail Ataliates. Sipas J. Quanrud ndërveprimi i hershëm i skandinavëve (Latinoi) me shqiptarët (Albanoi), të quajtur kështu nga M. Ataliates, mund të ketë sjellë ngjashmëri midis Kanunit verior shqiptar me kodet ligjore gojore të nordikëve të periudhës së vikingëve, tezë të cilën ai e ka në duar, po e harton. Dr. John Quanrud në punimin e tij ndërhyn në një debat shkencor me pro dhe kundër për të mbrojtur tezën se Albanojt te Historia e M. Ataliates janë shqiptarë.

Për këto kontakte të hershme flet dhe punimi i Role Ködderitzsch dhe Torsten Meissner; sipas tyre, Shqipëria , qyteti i Durrësit, përmenden në tri saga të vjetra nordike të shekujve XII dhe XIV.
Në rrëfimin e tij historik mbi heroin tonë kombëtar, frymëzuar nga Barleti, botuar më 1739, historiani dhe shkrimtari i shquar danez i shekullit XVIII, Ludvig Holberg, e quan Skënderbeun ‘prijësi dhe heroi më i madh në histori”. 

Më tej jepen dhe autorë të tjerë që kanë frymëzuar hartues nordikë të historisë së Skënderbeut. Përhapja e historisë dhe e figurës së Skënderbeut nga rrëfimet e historianëve u shtri më pas në letërsinë e shkruar në formën e sagave dhe të këngëve epike, të quajtura rimure.

Përgjithësisht libri i Holbergut ka qenë në bazën e shumë sagave mbi Skënderbeun (gjithësej 15) dhe të disa poemave epike, rimure, të autorëve islandezë. Natyra e sagave si rrëfenja heroike kërkonte përshtatjen e historisë së Holbergut, në gjuhën dhe në mjetet shprehëse të sagave islandeze, ndërrime në vetën e foljeve, në përshkrimet e betejave, në portretizimin e heroit.

Në punimet studimore jepen me hollësi procedime të tilla që e lartësojnë heroin tonë, sa që, sipas studiuesve, ai merr petkun islandez, pa ndërruar asgjë në ngjarjet e bëmat, mbështetur këto në historinë e Holbergut. Rimuret si poezi e tipit të rapsodive tona janë ritregime në poezi të sagave. Rimuret janë më të gjata se sagat; kanë shtesa të strukturës poetike si hyrjet, kanë shtesa në fjalë në përputhje me metrin dhe rimat që kërkon hartimi poetik. 

Këto saga dhe rimure kanë qarkulluar në formën e dorëshkrimeve nga një shekull në tjetrin. Këto forma letrare kanë qenë gjerësisht të përhapura dhe shumë të pëlqyeshme; kanë lojtur rolin kryesor në përmbushjen e jetës shpirtërore të islandezëve. Fakti që figura e Skënderbeut në sagat dhe rimuret islandeze mbeti e gjallë në gati tre qindvjeçarë, deri në fillimet e shekullit të XX, flet për atë që këta nordikë qënkan të dhënë pas figurave me përmbajtje të lartë epike e morale.

Kjo mbase se historia e tyre kombëtare, kërkesa për pavarësi e Islandës, gjente frymëzim në figura si ajo e Skënderbeut. Sipas autorit Hannes Bjarnason (1777-1838), “emri i heroit shqiptar ka depërtuar përtej deteve e në të gjithë popujt e botës”. Disa nga hartuesit e sagave edhe vetë historiani Holberg janë autorë me cilësi të shënuara të shkrimit. Vepra teatrore e Ludvig Holbergut, një nga themeluesit e letërsisë daneze, është dhe sot e gjallë në repertorin kombëtar, ajo botohet në dy vëllime dhe e përkthyer frëngjisht.

Në punimet e autorëve që përmenda më lart, profesorë dhe filologë, jepen të dhëna të hollësishme mbi sagat dhe rimuret, mbi autorët, mbi kohën dhe vendet kur ato janë krijuar, mbi përbërësit strukturorë dhe cilësitë e tyre artistike. Do të veçoja për punën e gjatë e të ngulët kërkimmore, për ngjeshjen e mmaterialit dhe për sasinë e inforacionit studimin “Skënderbeu: një hero shqiptar me petk islandez”, 2007, e M. J. Driscoll-it.

Në parathënien e librit jepen të dhëna mbi shtrirjen e temës së Skënderbeut edhe në gjuhën suedeze dhe në atë filandeze, dhe për rrugët e burimet nga ka hyrë. Madje temën e Skënderbeut e gjen dhe në vepra të letërsisë për fëmijë. Norvegjishtja mbetet ende për t’u hulumtuar më tej.

Sipas prof Xhevat LLoshit, veç asaj që me zbulimet në letërsinë dhe në trajtesat historike të autorëve nga vendet nordike zgjerohen njohuritë tona mbi gjuhët dhe gjeografinë e shtrirjes së figurës së Skënderbeut, provohet dhe se kjo figurë, përkundër disa intelektualëve e historianëve të sotëm, nuk është montim i Rilindjes shqiptare, por një fakt i historisë botërore.

Ky libër shënon një sukses në studimeve tona mbi Skënderbeun. Libri hap shteg dhe për punime më të thelluara mbi këtë lëndë që paraqet . Veçan për cilësinë e botimit duhet të falënderojmë ISSHP.

Komento

Komente

  • Kafsha: 09/06/2018 08:55

    Fjala nordike “saga” përkëthehet në shqip si “përrallë”, pra përralla të moçme ose legjenda. Askush se kupton çdo të thotë kur ju shkruani “sagat skandinave”, prandaj zëvendësojeni shpejt me fjalën shqipe duke shkruajtur shqip.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?