Lulzim BAsha deputetët e PD

'Skifterët pa pupla të opozitës'

4 Qershor 2018, 13:09| Përditesimi: 4 Qershor 2018, 13:12

  • Share

Partia Demokratike ndodhet në periudhën më shterpë të saj: pa ide, pa asnjë kauzë të lindur prej saj, pa mendim të ditës dhe të perspektivës, me një ripërsëritje monotone në parlament, ku gjithçka dihet, deri edhe cili do të hedhë miell e kush ka marrë përsipër ujët, me një shef de jure të lodhur dhe të kthyer në një paranajok naiv se po e ndjekin dhe mbi të gjitha, përmes një lëvizje politike tepër budallaqe, në rrezikun për t’u kthyer në babaleparti.

Një forcë politike që nxjerr nga mielli i trafikut një trafikant dhe e bën atë shenjë dalluese të lëvizjes së saj politike, në mos tjetër, është drejt amortizimit të gjithanshëm dhe nuk i mbetet asgjë tjetër veçse të krijojë një “skandal” të radhës, ndoshta edhe më të turpshëm se rasti babale 1 apo Babale 2, ky i fundit, përgjimi i Bashës, po shuhet ende pa nisur mirë.

Është një moment kur brenda saj janë ravijëzuar tri linja kryesore: ajo e skifterëve, të prirë nga Berisha, që e ndjen se posti i deritashëm po rrokulliset; ai i “paqtuesve”, që të emëruar si deputetë mendojnë se si do e kalojnë këtë periudhë vegjetimi, gjithnjë me shpresën se kur do të mund të vijnë në pushtet nuk do të harrohet përkushtimi i tyre, dhe, të tretët, një grup i krijuar rishtas përbri shefit të partisë, si një garnizon politik, i cili ka mbështjellë rreth vetes idenë e lidershipit dhe, të gëzuar se u erdhi koha, kërkojnë me çdo kusht të dalin në paraskenë, edhe para se të ngrihet perdja.

Në grupin e parë, të skifterëve, megjithëse shumë janë pa pupla, figura më domethënëse, edhe e grishjes për luftë e dhunë, edhe e shkallës së lartë “ të inteligjencës” është Flamur Noka, deputeti i Kukësit, njeriu me shumë hije pas vetes, nga të cilat, ata të korrupsionit, janë më të voglat.

Hija e pa ikur ende në jetën e tij, nënshkrimi i një marrëveshje bashkëpunimi me strukturat e shërbimit sekret serb, pas vitit 1990, do të jetë jo vetëm mbi të, por edhe mbi ata që e përzgjodhën, e mbajtën disa vite si gardian të godinës së partisë, pastaj e zgjodhën në struktura, deri sa, një ditë e bënë edhe ministër të Punëve të Brendshme.

Të radhitur pas tij një grup tjetër, gjysmë skifterësh, por me çjerrje të larta, si Paloka, Salianji – ky është i pranishëm në dy grupet; Spahiu, që dikush nga mosnjohja e vendosi në familjet e prekura politikisht dhe ish të burgosura nga regjimi i kohës së shkuar, dhe, në fund, “mrekullia” e këtij parlamenti, i biri i Balliut, njeri që kërcënoi se herën tjetër do të ngrinte në këmbë gjithë Shqipërinë dhe se, me dhunë e vetëm me dhunë, do të përmbyste qeverinë Rama.

Mbi të gjithë këta qëndron Berisha- dora e hekurt, i cili, që nga dita e parë e parlamentit të pasqershorit 2017, as më pak e as më shumë, kërkoi djegien e mandatave, largimin nga parlamenti, hedhjen në Lanë të shefit të qeverisë, zënien në çark të tij dhe, në fund, pa asnjë droje, pasi e di se shteti ende nuk është ngritur, deklaroi haptas se, në pasditen e 21 janarit, pasi ishin vrarë katër vetë, ai kishte kërkuar 5 snajperë, katër në katër qoshet e godinës qeveritare dhe një për atë, pikërisht shefin e qeverisë, që kishte vendosur të vriste shefin e opozitës dhe, për më tepër, të mbante fjalimin më mallëngjyes që ishte mbajtur ndonjëherë.

Ky grup, i skifterëve, duke pasur pas vetes Berishën, i cili nuk e fsheh se ai është frymëzuesi i kësaj rilëvizje politike agresive brenda llojit të tij, dalëngadalë po bëhet vendosës dhe kryesor në jetën e partisë së tyre.

Nuk është më sekret se, në të gjitha mbledhjet e grupit parlamentar pëdëist, Noka, ose më saktë, Flamur Noka dhe ata që janë pranë tij, kërkon ekstremet e një politike radikale, ashtu si në sallën e parlamentit është njeriu i parë që ngrihet për t’u përleshur, sikur është në vathët prej nga ka ardhur.

Lëvizja radikale në PD nuk është as e re dhe as e papritur. Ndryshimi i tashëm është se ajo ka nxjerrë në krye të saj njerëz të dhunshëm, të paditur, në mos injorantë politikë, të cilët dhunën e perceptojnë si rrugë të vetme për marrjen e pushtetit dhe që, nga mungesa e njohurive, gjuhës së rëndomtë dhe mungess së ideve, e gjejnë veten pikërisht tek dhuna.

Ky grupim laraman, që përgatiti edhe atë pjesë të protestës së 26 janarit, për të shkallmuar dyert e institucioneve dhe zaptimin e tyre, është veçse një përsëritje e hershme e asaj që është parë në lëvizjet radikale serbe, qoftë të Sheshelit, qoftë, më herët, të Millosheviqit.

Gjuha e përdorur prej tyre, që nga Berisha dhe deri tek Balliu i vockël, është e njëjtë me atë që kanë përdorur ekstremistët serbë apo grekë… por e artikuluar në gjuhën shqipe, me një konotacion serb.

Shumë vite më parë, Sheshli , radikali i njohur serb , deklaronte se serbët e vërtetë do të shkallmojnë institucionet e Zoran Gjingjiq, e për këtë dikush do e japë edhe jetën e tij, ndërsa tani, një radikal i vockël shqiptar, gjithsesi miniaturë e një mendësie radikale, Paloka deklaron haptas se “ protestuesit ishin gati për gjithçka.

Sot mund të kishte edhe të vrarë”. Flamurin e nacionalizimit serb që kërkonte Shesheli tani e kërkon Berisha, i cili, ende pa vajtur njerëzit në shtëpitë e tyre pasditen e 26 majit, do të deklaronte se “ Nëse Basha nuk do të tërhiqte protestuesit, do të vendosnim flamurin e fitores si me 145 shtator 1998”.

Mendësia e dhunës, si rrugë e vetme politike për të ardhur në pushtet, e shfaqur që me 2 prill të vitit 1991, si një gjak i keq, është transmetuar nga një grupim politik i një brezi, tek një brez tjetër.

Por, ndërsa dikur, një herë e një kohë, lëvizja radikale kundër komunizmit ishte e justifikuar dhe e prirë nga njerëz që njiheshin si intelektualë të klasit të parë, sot, nuk është për të qeshur kur vjen nga birbëz politik që , në dëlirin e fjalës , pa asnjë lloj përgjegjësie deklarojnë se “ Vëri gishtin kokës zoti Rama. Herën tjetër nuk do i tërheq shqiptarët. Rama nuk ikën në rrugë ligjore, atë mund ta rrëzojmë vetëm përmes dhunës”. (Balliu junior)

Përse ndodh e gjithë kjo? Përse zëra të mençur brenda grupit parlamentar të PD-së kanë heshtur dhe, megjithëse është pritur ndryshe, nuk kanë më asnjë rol dhe po bëjnë figurantin politik të Mulit, Palokës, Spahiut,e disa kokrrave që mendojnë se do të rrinë gjatë deputet vetëm përmes dhunës? Përse hapësira e mendimit është mbyllur për disa dhe është hapur vulgu i fjalës tek të tjerët?

Berisha, epiqendra ku mblidhet e keqja, jo vetëm se gjithnjë ka adhuruar dhunën dhe është rrëqethur nga mendimi, megjithëse një njeri i lexuar dhe me kujtesë fenomenale, por edhe e ka praktikuar atë.

Ai ishte i pari që e kuptoi se forca politike ku u vendos në krye përmes dhunës, nuk mund të qëndronte gjatë si e tillë, nëse do të depërtonte mendimi dhe nëse fjala do të ishte e para.

Në “Biblën” e PD-së , që në krye të herës, është shkruar se “e para është dhuna”.

E ka një shkak madhor. Më mirë se të gjithë ata e dinë se Vettingu ka filluar me drejtësinë, por jo shumë larg, do të vazhdojnë edhe me njerëzit e politikës. Thirrja axhamishe e një figure politike pranë LSI-së, për të filluar verifikimi i pasurisë së politikanëve nga viti Zero, nuk do të ketë vend, vetëm se dekonspiroi një dëshirë të fshehtë të politikës.

Nëse Vetingu fillon e mbaron me drejtësinë dhe policinë, më mirë të ndalë që këtu. Vetingu është droja e parë dhe e dinë se, nëse vetingu i zë nën drejtimin e Bashës, do të ishte një fatalitet i dyfishtë: edhe në opozitë, edhe para vetingut.

Të pakënaqur me pavendosmërinë e Bashës, si një lëvizje hamletiane e politikës ngurruese dhe dembele, ata duan të hapin një rrugë, për t’i dhënë zemër vetes dhe, përmes vetes, edhe metingashëve të tyre.

Askush nuk e di se si do të vazhdojë kjo lëvizje. Atyre u përshtatet perifrazimi i një poezie të njohur të Kadaresë, që mund të shqiptohet, “Nga dhuna vijmë, drejt dhunës shkojmë”./Dita

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?