Sonte në mbrëmje duke nisur nga ora 21:00 në “Olimpico” luhet finalja e Kupës së Italisë mes Milanit dhe Juventusit dhe do të dorëzohet trofeu i parë sezonal. Juventusi do të kërkojë këtë trofe për herë të katërt radhazi një rekord me vetë ndërsa Milani do të luftojë për t’i dhënë trofeun e parë pronarëve të rinj.
Sa i përket formacioneve kuqezinjtë pritet të luajnë me G. Donnarumma; Calabria, Bonucci, Romagnoli, Rodriguez; Kessié, Locatelli, Bonaventura; Suso, Cutrone, Calhanoglu. Ndërkaq trajneri Gennaro Gattuso e cilëson si një finale Botërori:
Ndiej një presion të madh pasi ndiej tifozët dhe lojtarët në shpatullat e mia. Për ne vlen si një finale e Kupës së Botës prandaj duhet të luajmë si skuadër dhe të jemi kurajozë.
Gennaro Gattuso, trajneri i Milanit
Tek bardhezinjtë që titullin e kanë në xhep duan të bëjnë sërish dopietë titujsh edhe për këtë sezon. Chiellini mungon për shkak dëmtimi ndërsa Dybala pritet ta nisë nga stoli dhe formacioni i mundshëm është Buffon; Cuadrado, Barzagli, Benatia, Alex Sandro; Khedira, Pjanic, Matuidi; Douglas Costa, Mandzukic; Higuain.Trajneri Max Allegri kërkon përqendrim vetëm tek finalja e sotme:
Nuk jemi të qetë për titullin deri sa matematika të flasë. Ndaj Milanit duhet të luajmë një ndeshje me entuziazëm pasi është një skuadër e vështirë për t’u përballur.
Max Allegri, trajneri i Juventusi
Ndërkaq Buffon sqaron se Juventusi ndaj Milanit kurrë nuk ka qenë favoritë.