Do të jetë një spektakël i madh futbolli. Mbrëmjen e sotme luhet gjysmëfinalja e kthimit mes Manchester City-t dhe PSG-së që do të përcaktojë edhe ekipin e parë finalist të Champions League.
Një hap larg Stambollit që është edhe stacioni i fundit është Manchester City i Pep Guardiolës që e fitoi 2-1 ndeshjen e parë në Paris. City do kërkojë finalen e parë historike dhe tekniku spanjoll e ka gjithë skuadrën në dispozicion. Anglezët do udhëhiqen nga kapiteni De Bruyne dhe treshja e sulmit do përbëhet nga Bernardo Silva, Foden dhe Mahrez. Guardiola e di mjaft mirë që sonte ndaj francezëve ekipi i tij do të vuajë por është i bindur që City do të kalojë në finalen e madhe.
Në kampin tjetër francezët janë thirrur në misionin përmbysje. Shqetësimin më të madh tekniku Mauricio Pochettino e ka për Mbappe që ka probleme fizike dhe është në dyshim. Nëse francezi nuk ia del gati është argjentinasi Mauro Icardi.PSG-ja kërkon finalen e dytë radhazi dhe tekniku karikon ekipin: “Tek futbolli duhet të besosh. Ne do kërkojmë të shënojmë gola dhe të fitojmë. Jemi pak në presion por do bëjmë të pamundurën” e mbyll Pochettino. Nga City-PSG del emri i finalistit të parë ndërsa të mërkurën mësohet edhe rivali nga dueli Chelsea-Real. Në Champions spektakli dhe emocionet janë të garantuara./Përgatiti Andi Kapxhiu