George Soros

Opinion

Soros në Shqipëri, si një ‘armik i sajuar’ në kohë të gabuar

7 Nëntor 2021, 16:36| Përditesimi: 7 Nëntor 2021, 16:39

  • Share

Reforma në Drejtësi si një domosdoshmëri prej degradimit të çdo institucioni tjetër të vendit, me ose pa vullnetin e të gjitha palëve, u miratua në vitin 2016 me votat e të gjithë deputetëve të pranishëm në sallë, në një seancë të jashtëzakonshme. Pati dyshime dhe kontestime nga shumë politikanë, por një mesazh i Ambasadës Amerikane i detyroi 140 deputetët e Kuvendit të shkonin me vrap dhe të votonin pro miratimit të saj, pavarësisht se disa mund të ishin më komodë me atë të kaluarën. Ishte koha kur në SHBA fitoi Partia Republikane dhe President u zgjodh Donald Trump.

Prej ditës së miratimit të reformës, SHBA është investuar më tepër se çdo faktor tjetër, duke marrë përsipër të çojë përpara atë, pavarësisht kostove, vështirësive dhe pengesave të pritshme. Shihet qartë se kjo reformë, në fakt, është edhe e vetmja reformë e zhvilluar në këto 30 vite, që i ka kompleksuar ose i ka trembur politikanët tanë, kryesisht më zullumqarët, aq sa disa prej tyre janë ngritur në emër të demokracisë, për ta shpëtuar atë nga çdo armik i jashtëm ose i brendshëm, saqë po ngatërrojnë me dashje kohët e fundit SHBA-të me Shqipërinë.

Duke qenë se në kulturën e saj të varfër të shtet-formimit, në Shqipëri ligjin e ka bërë përgjithësisht individi (partia sipas tij bën ç’thotë populli), duke qenë se në mungesë të institucioneve ligj-zbatuese që duhet të ishin ngritur dhe forcuar vit pas viti nuk mbërriti kurrë demokracia e premtuar, dhe duke qenë se është ngritur edhe më keq se në kohën e Enverit kulti i individit, për të sabotuar çdo gjë që bie ndesh me interesat e atyre që premtuan zhvillim por sollën kaos, pikërisht përmes kaosit dhe të vetmes rrugë për mbijetesë, vijnë edhe momente si ajo e sajesës së ndonjë armiku të brendshëm ose të jashtëm.

Demokracia si sistem qeverisës siç dihet lindi diku afër nesh, në Athinën e lashtë, mijëra vite më parë nga njerëzit më të ditur që kishte bota asokohe dhe vetëm përmes dijes ajo zhvillohet sot kudo tjetër nëpër botë.

Në emër të popullit, gjatë regjimit të kaluar sajohej armiku sa herë që ai mungonte, kryesisht nga ata që, ose kërkonin të ruanin pozitat e pamerituara kur donin të tregonin se po bënin ndonjë punë, ose nga ata që kishin më shumë ambicie dhe kërkonin pushtet duke sajuar si armiq të partisë dhe të popullit të tjerët rreth tyre, të cilëve synonin t’ju merrnin pozitat.

Kjo lloj praktike shkoi deri në rangjet e larta dhe përfundoi me eliminimin e të gjithë bashkëpunëtorëve të Enverit. Mbeti në fund ‘udhëheqësi legjendar’, të cilin e donte asokohe derisa ndërroi jetë e gjithë Shqipëria, si dhe mbeti edhe ai që e pasoi atë, Ramiz Alia.

Por udhëheqësi i dikurshëm i një sistemi tjetër nuk i ngatërronte shtetet e huaja dhe “armiqtë” e tij të jashtëm me individë të caktuar. Për shembull në betejën e tij të gjatë me Imperializmin Amerikan, Enver Hoxha nuk i ndau kurrë SHBA-të me individë të veçantë. E vërteta është se ajo propagandë duket se ka ndikuar tek ata që u edukuan politikisht gjatë me regjimin e kaluar.

Nëse kjo reformë nuk do të kishte përkrahjen e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, të mbështetjes së SHBA dhe BE, por do të ishte e George Soros për interesat e tij, apo siç thuhet edhe të miqve të tij, do të kishte patjetër kundërshtimin qoftë edhe të një vendi të vetëm perëndimor. Nëse një njeri i vetëm udhëheq Perëndimin, këtë nuk guxoi ta thoshte as Enver Hoxha, sepse ai e dinte që nuk do ta besonte askush.

Nëse kjo reformë synon të godasë dalëngadalë interesa politikë dhe ekonomikë, që janë ngritur në rrugë të paligjshme gjatë 30 viteve të fundit, ky nuk është ndonjë sekret, sepse është deklaruar nga e tërë diplomacia Perëndimore në Tiranë dhe është kusht kryesor i integrimit në BE.

Pyetja që shtohet është: Ç’punë ka SHBA me Reformën në Drejtësi?

Në fakt, SHBA po bën të vetmen punë në reformimin e drejtësisë sonë, madje në mungesë të institucioneve, është ajo që po mban e ekuilibrat e demokracisë sonë prej vitit 1997. SHBA po investohet sepse kërkon që të ketë sa më pak punë me Shqipërinë, në të ardhmen. Nëse nuk do të kishte asnjë punë SHBA, vendi ynë do ta kishte përsëritur disa herë ’97-ën dhe mbase do të kishte kaluar protektorat ndërkombëtar. Ka njerëz nga e gjithë bota, nga vende shumë të mëdha dhe të fuqishme si në Europë, Azi, Afrikë, Amerikën Latine, të cilët shprehin vazhdimisht shqetësimin e ndërhyrjes së SHBA-së në punët e tyre të brendshme. Megjithatë, politikanët kudo tregohen gjithnjë të matur, edhe kur kanë pasur pakënaqësi ndaj politikës së jashtme që ndjekin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke mos e sulmuar atë përmes sajesave.

Po të shohësh vendet më të zhvilluara të Europës, në Gjermani dhe Francë, as qeveritë dhe as opozitat e tyre nuk thotë asnjë fjalë publike kundër SHBA-ve, aq më pak të ngatërrojnë politikën e saj të jashtme me individë të caktuar.

SHBA investon në të gjitha vendet me demokraci të pazhvilluar, për të ngritur sisteme dhe institucione të pavarura, jo vetëm në Shqipëri. Sa i përket Reformës në Drejtësi, po ashtu askush nuk mund të thotë në Shqipëri se çfarë ka ndryshuar sot nën udhëheqjen e Administratës së Biden, krahasuar me atë kur ishte Trump.

Prandaj, edhe kur nuk i bie dot gomarit, një fjalë e urtë thotë se i bie samarit. Kur nuk i bie dot SHBA-së, sajohet një armik, dhe në rastin konkret, është sajuar pikërisht Soros armik i jashtëm i demokracisë sonë (Rama armik i brendshëm).

Edhe kur u hartua reforma, pjesë e saj ishte vetëm një përfaqësues i Fondacionit që mbështetet nga Soros. Misioni Euralius i BE-së dhe përfaqësues nga OPDAT dhe USAID, anëtarë të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë, ndihmuan në hartimin e kësaj reforme.

Përfaqësuesit më të kritikuar politikisht të reformës kanë qenë pjesë të sistemit të drejtësisë në periudha të shkurta kohore. Çuditërisht ata janë bërë pjesë në atë kohë kur kanë qeverisur ata të cilët i sulmojnë si të kapur nga kundërshtari politik. Për shembull Ardian Dvorani i diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1988, me dekretin nr. 4481, më 2005, nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë, detyrë që e mbajti deri në vitin 2013. Paradoksalisht më të kritikuarin e Reformës në Drejtësi, sistemi i vjetër dhe i kaluar politik i ngriti në nivelet më të larta.

Miliarderi George Soros është në fakt sot mes mbështetësve të planit të demokratëve amerikanë për të taksuar fitimet e parealizuara të rreth 700 miliarderëve të vendit. Plani i taksave ka si qëllim që të mblidhen qindra miliarda dollarë për të ndihmuar në pagesat e rrjetit të sigurisë sociale dhe trajtimin e duhur të ndryshimeve klimatike. Ky plan që mblodhi në Glasgow udhëheqësit e të gjithë botës, sigurisht nuk kishte asnjë lidhje të veçantë me Shqipërinë. Soros sot ndoshta e sheh veten një “armik të sajuar” në Shqipëri, nga eksponentë politikë që duan të zmbrapsin Reformën në Drejtësi, pasi e shohin atë një kërcënim të mundshëm për veten apo edhe trashëgiminë e tyre politike dhe ekonomike.

Demokracia si sistem ka hasur probleme të shumta edhe në SHBA. Veçse politika dhe demokracia atje nuk gjen shpëtim dhe as nuk sheh shpresë nga një njeri vetëm. Një anketë e tetorit zbuloi se më shumë të rritur e konsideronin në SHBA Partinë Demokratike një kërcënim më të madh për demokracinë amerikane sesa Partia Republikane. Sondazhi u krye nga Marist Poll, një sondazh i opinionit publik i bazuar në Kolegjin Marist të shtetit të Nju Jorkut, i mbajtur që nga viti 1978, institucion i Bloomberg News i vlerësuar si më i sakti në Shtetet e Bashkuara gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.

Sondazhi i mbajtur gjatë muajit tetor zbuloi se 42 për qind e të anketuarve besonin se Partia Demokratike përfaqësonte një kërcënim më urgjent për demokracinë, krahasuar me 41 për qind që besonin se Partia Republikane kishte më shumë faj. Natyrisht, preferencat ishin midis linjave dhe bindjeve partiake. Demokratët ashtu edhe Republikanët fajësonin partinë tjetër për çështjet dhe problemet e demokracisë që janë parë vitet e fundit, me 87 për qind të demokratëve që fajësojnë republikanët dhe 88 për qind e republikanëve fajësojnë demokratët. Rezultatet treguan se për kandidatët presidencialë të vitit 2020, 80 për qind e atyre që kishin votuar për Presidentin Joe Biden fajësuan Partinë Republikane dhe 86 për qind e atyre që kishin votuar për ish-Presidentin Donald Trump fajësuan Partinë Demokratike.

Megjithatë shumica e amerikanëve besojnë se zgjedhjet e tyre kanë qenë dhe mbeten të lira dhe të ndershme. Sepse ata besojnë se kanë ngritur me shekuj institucione të besueshme që i garanton ato, pavarësisht partive që vijnë dhe qeverisin. SHBA nuk i jep më tepër se 8 vite pushtet asnjë individi. Individët kudo në botë që duan të mbijetojnë politikisht për aq kohë sa të jenë në jetë bien shpesh ndesh me këtë politikë të madhe botërore. Por ka që gjejnë edhe shpresë.

K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • fetia: 07/11/2021 23:26

    george soros, pupupupu, e vetmja gje qe akoma nuk kam kuptuar esht qe si zoti le gjall kerrma si geroge soros, clinton, obama, bill gate, bush dhe mos shkoj me larg se kaq se do me vrasin

    Përgjigju
  • Arbër: 07/11/2021 17:34

    Ky është Milośeviçi ”modern” që e ka ndermend ta shpartalloj kombin Shqiptarë !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?