TIRANE- Thirrjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të drejtuar SPAK i janë përgjigjur tre kandidatë, Altin Dumani, Edvin Kondili dhe Arben Kraja. Të tre këta prokurorë janë përzgjedhur aktualisht si pjesë e SPAK dhe janë në tetë prokurorët, të cilët më 19 dhjetor do të betohen para presidentit të republikës duke nisur nga puna.
Por si do të përzgjidhet drejtuesi i SPAK?
Report Tv ka mësuar se tre kandidatët kanë prezantuar platformë se si ata mendojnë të drejtojnë institucionin që do të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin.
KLP pritet të vendosë seancën publike dëgjimore me të tre kandidatët e cila do të jetë e hapur për tu ndjekur nga mediat e njëjtë me seancnë që u zhvillua për Prokurorin e Përgjithshëm. Pas seancës publike KLP më pas me anë të votimit do të përzgjedhë kreun e SPAK i cili do të drejtojë këtë institucion.
Dumani, Kraja dhe Kondili kanë një eksperiencë të gjatë në akuzë dhe kanë drejtuar hetime që lidhen si me korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafiqet e narkotikëve. Dumani njihet si prokurori i dosjeve të "Tropojës", Kraja prokurori i dosjes "Durrës-Kukës", ndërsa Kondili prokurori i dosjeve "Kokaina" përfshi edhe atë të Maminas me 613 kg.
Një nga prioritetet që ka drejtuesi i SPAK, me marrjen e detyrës, pritet që të zgjedhë edhe drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, strukturë kjo e cila do të jetë e varur nga SPAK-u, në hetimin e dosjeve të bujshme, e kryesisht ato që kanë të bëjnë me vepra të rënda penale, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.