Sot bota e futbollit mban frymën. Në “Camp Nou” luhet Barcelona-Real Madrid. Për herë të parë pas 11 vitesh në një El Clasico nuk do të jetë as Messi e as Ronaldo i pari për shkak të dëmtimit dhe i dyti pasi ka kaluar tek Juvja.
Barcelona vjen më në formë pas dy fitoreve në kampionat dhe Champions ndërsa Reali është në krizë pasi nuk njeh fitore në katër ndeshjet e fundit në kampionat.
Trajneri i Barcelonës Ernesto Valverde i frikësohet Realit pasi ka thënë :”Reali sa më shumë është i plagosur aq më shumë është i rrezikshëm”. Ndërsa Julen Lopetegui shkarkohet nëse nuk fiton sot dhe ka thënë :”Shpresoj të vazhdoj të marr frymë dhe të mos vdes edhe pas kësaj ndeshje”.
Takimi starton në 16:15 në Camp Nou ku spektakli është i garantuar.
Ndërkaq kryesimin e La Ligas e ka marrë Atletico Madrid që mbrëmë në “Wanda Metropolitano” mposhti pastër 2-0 Real Sociedad. Djemtë e Simeones shënuan nga një gol për çdo pjesë me mbrojtësit Diego Godin dhe Felipe Luis.
Atletico kryeson me 19 pikë La Ligan pas javës së dhjetë në pritje edhe të Barcelona-Real Madrid.
Një Super Ronaldo i jep fitoren Juventusit ndaj Empolit në shifrat 2-1 dhe bën që bardhezinjtë të rikthehen shumë shpejt tek tre pikët. Në stadiumin “Castellani” vendasit e Empolit morrën avantazhin në minutën e 28-të me golin e Caputo por në fraksionin e dytë ngjitet në skenë ylli portugez.
Në minutën e 54-të Ronaldo barazon duke shndërruar në gol një penallti ndërsa në minutën e 70-të shënon golin e fitores me një perlë nga jashtë zone dhe bën që Juventusi të kryesojë me 28 pikë i shkëputur nga rivalët. Sot në kuadër të javës së 10-të Milani pret Sampdorian ndërsa në mbrëmje luhet Napoli-Roma.
Në Angli Liverpool fiton me goleadë ndaj Cardiff 4-1 dhe merr i vetëm kryesimin me 26 pikë. Në “Anfield Road” Mohamed Salah zhbllkoi rezultatin në minutën e 10-të ndërsa në pjesën e dytë do të vinin edhe goli i Xherdan Shaqirit dhe dygolëshi nga Sadio Mane.