Nëse nuk mund të flasim që tani për sfida titulli kjo e mbrëmjes së sotme Milan-Roma patjetër që është një duel për zonën Champions. Milani i ka fituar katër ndeshjet e para dhe është në kryesim të Serisë A e do të provojë “arratisjen” ndërsa Roma nuk mund të gabojë.
Ajo që nis në 20:45 nuk është thjesht një sfidë mes kuqezinjve dhe verdhekuqve por është edhe një duel mes Ibrahimovic dhe Kumbullës. Mbrojtësi i Kombëtares do të provojë sonte të frenojë një “bishë” si suedezi. Stefano Pioli trajneri i Milanit e vlerëson Romën një ekip ambicioz dhe ndeshjen e parashikon të hapur e të vështirë. Ndërsa trajneri i verdhekuqve Fonseca thotë se Milani është një skuadër e kompletuar dhe nuk është vetëm Ibra. Milan-Roma sonte premton spektakël.
Ndërkaq Juventusi ka frenuar sërish. Bardhezinjtë nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 1-1 me Veronën në shtëpi duke koleksionuar barazimin e dytë radhazi. Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë me Favilli që kaloi miqtë në avantazh por Pirlon e shpëtoi nga humbja Kulusevski. Në 5 ndeshje të luajtura deri më tani Juventusi në fushë ka fituar vetëm 1. Situata tek kampionët nuk është nga më të mirat./Përgatiti Andi Kapxhiu