Miratohet ligji për 'Zonat e Mbrojtura', opozita: I hap rrugë investimeve strategjike! PS: Vetëm ndërtime ekologjike! BE: Të zbatohet sipas direktivave tona

22 Shkurt, 09:58| Përditesimi: 22 Shkurt, 16:09

  • Share

Në një seancë që nuk zgjati më shumë se 7 minuta, me 74 vota pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Zonat Mbrojtura. Ndryshime do të përfshijnë që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por me kushtin që të mbahet një ekuilibër mes natyrës dhe aktiviteteve të zhvilluara.

Miratimi i ligjit u kundërshtua nga deputetët e opozitës dhe nga disa protestues të shoqërisë civile, të cilët thanë se është një ligj me porosi dhe që u shërben interesave të oligarkëve. Deputetja Ina Zhupa tha se me ndryshimet e reja të bëra nga mazhoranca, do t’i hapet rrugë investimeve strategjike në Zonat e Mbrojtura.

‘Një ligj klientelist i bërë për oligarkë të caktuar pranë Ramës. Heq mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura i bën ata sheshe ndërtimi ku mund të kryhen investime strategjike sipas kontratave që do të firmosin.’- tha Zhupa.

Deputetja Tabaku tha se ligji është në shkelje të direktivave të BE-së dhe se në këto kushte deputetët e PS-së kanë shkelur angazhimin e konventave për mbrojtjen e mjedisit.

“I morën i përdorën 12 deputetë të PS, ligj që ishte në shkelje të direktivave të BE, me ligjin e miratuar në zonat e mbrojtura do jepen investime strategjike, hotele me 5 yje.’- u shpreh Tabaku.

Për deputeten e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ligji i shërben interesave të babëzisë kriminale të një grushti oligarkësh.

Por ministrja Mirela Kumbaro, tha se propozimet e qeverisë janë në përputhje me direktivat e BE-së.

‘Propozimet e ministrisë dhe qeverisë janë në përputhje me direktivat europiane. Duke përcaktuar qartë zonat ku mund të ndërhyhet me nevojën për zhvillim të komuniteteve, orientuar nga turizmi, agroturizmi, në zona që përveç ndërhyrjes miqësore me mjedisin mund të ofrohen struktura që garantojnë cilësinë më të lartë të mikpritjes.’- tha Kumbaro.

Pas votimit një reagim e kishte edhe delegacioni i BE-së në Tiranë, i cili teksa kujtoi detyrimin që ligje të kësaj natyre kërkojnë konsultim publik para miratimit, garantoi se do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura.

Menjëherë pas deklaratës së tyre, erdhi edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.

“100% në një mendje me Bashkimin Europian! Ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura.” ka shkruar kryeministri në rrjetin social “X”

Ndryshimet në ligj parashikojnë përcaktimin e kritereve për cilësimin qartë se në cilat hapësira të zonave të mbrojtura mund të ndërhyhet me nevojën për zhvillim të komuniteteve, orientuar nga turizmi dhe agroturizmi. Brenda 18 muajve nga hyrja ne fuqi, Këshilli i Ministrave dhe ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura miraton aktet e nevojshme për shpalljen e zonave të mbrojtura sipas ndryshimeve të bëra së fundi.

Ora 16:02
'Turp që votove ligjin!' Erjon Braçe i kthehet keq protestuesve para Kuvendit: Paskeni marrë dhe hajdutin e Saliut

Me 74 vota pro u miratuan këtë të enjte në Kuvend ndryshimet në ligjin për  “Zonat e mbrojtura” që sipas mazhorancës i hap rrugë ndërtimeve ekologjike në këto territore për t’i vënë në shërbim të ekonomisë së komuniteteve. Jashtë parlamentit protestuan aktivistë të shoqërisë civile.

Në momentin kur dolën deputetët protestuesit vijuan të thërrisnin “Turp!”  “Turp”

Nga protesta u dëgjua zëri: Erion, turp që votove ligjin!.

Nga ana e tij Erjon Braçe iu kthye: “Paskeni marrë edhe hajdutin e kohës së Saliut me vete?”

"Paskeni marrë edhe hajdutin e kohës së Saliut me vete? E keni marrë edhe atë aty? Se ai hajduti i Saliut e ka mbrojt Divjakën! Ai hajduti i Saliut e keni aty" tha Braçe

Ora 12:27
Miratimi i ligjit për zonat e Mbrojtura, Rama: 100% në një mendje me BE-në

1707239824_edirama.jpg

Kryeministri Edi Rama thotë se ndryshimet e miratuara sot për ligjin për Zonat e Mbrojtura janë 100% me një mendje me Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë ka publikuar reagimin e BE-së dhe thekson se në këto 10 vitet e fundit është bërë një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit.

'100% në një mendje me Bashkimin Europian! Me vizionin e Shqipëria 2030 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë.’- shkruan Rama.

Ora 12:06
Ligji për zonat e mbrojtura, BE: Ndjekim me vëmendje zbatimin sipas kuadrit ligjor të Bashkimit Europian

1708595716_kuvend.jpeg

Bashkimi Europian ka reaguar pasi Kuvendi miratoi ligjin e ri për zonat e mbrojtura. Delegacioni i BE në vendin tonë shkruan se do të ndjekin zbatimin e ligjit të ri sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane.

Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent.

Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, shkruan delegacioni i BE.

Ora 11:03
Projekt për ndërtime në Parkun e Divjakës? Ministrja: Lajm i pavërtetë, s’na ka ardhur asnjë projekt i tillë

 

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro mohoi lajmet se do të ketë ndërtime në Parkun e Divjakës. Sipas ministres fotografitë e një projekti që qarkullojnë në mediat, nuk janë të vërteta.

‘Çfarë kam parë që të qarkulloj në portale. Më vjen keq nga disa individë që lobojnë për mjedisin. Fotografitë që kanë qarkulluar janë të pavërteta nuk ka asnjë shqyrtim të një projekti it ë tillë është një përhapje lajmesh të pavërteta. Nuk ka asnjë projekt të tillë. Nuk na rezulton të ketë asnjë projekt!’- tha Kumbaro.

Ora 11:00
Miratimi i ligjit 'Për zonat e Mbrojtura', Kumbaro: Do ketë ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin

 

Pas miratimit për Zonat e Mbrojtura ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro ka dhënë detaje në lidhje me amendimet që u bën në këtë ligj. Kumbaro tha se do të ketë ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin për turizmin, vetëm në zonat e parashikuara, të cilat do tu pëmbahen rregullave strikte. Amendimet që u miratuan sot japin rrugë për rregulla shumë të qarta.

‘Vjen në parlament si një nisëm deputetësh që marrin shkas nga një kërkesë e shumë kryetarësh bashkish. Kanë pasur të drejtat legjitime për të kërkuar një tjetër bashkëpunim. Në dijeninë e të gjithëve ka pasur shumë konsultime publike, kryesisht të organizatave mjedisore.

Qeveria është marrë gjatë me atë draftligj e kam shprehur edhe informalisht me takimet me shoqërinë civile që janë disa linja të kuqe që nuk mund të preken. Të mos preken direktivat e BE-së. Dua të kujtoj që në 2021 Shqipëria kishte 17% të territorit zonë e mbrojtur.

Nuk është kaq e lehtë që në një vend të vogël sa Shqipëria të kesh një 1/5 e territorit zona të Mbrojtura. Nuk do të preket sipërfaqja e territorit të zonave të Mbrojtura. Nuk do të ketë ndarje të territorit të zonave të mbrojtura me bashkitë do të vazhdojnë që të administrohen nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Duhet të ketë rregulla të qarta. Në këto territore jetojnë njerëz prej shekujsh.

Amendimet që u miratuan sot japin rrugë për rregulla shumë të qarta. Pjesa tjetër e rëndësishme, vetëm në zonat e parashikuar për brenda kritereve shumë strikte do të jenë të mundura të zhvillohen me 3,4 filtra disa ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin. Ka disa vija të kuqe që nuk preken pasi prekin thelbin e ndryshimeve.

E rëndësishme është të ruajmë lidhjen e njeriut me territorin. Tu japim mundësinë shqiptarëve që të jetojnë aty. Atje ku kërkojmë të bëjmë truizmin natyror duhet ofruar edhe shërbime që janë miqësore me mjedisin. Dua të siguroj të gjithë se komunikimi me komunitetin me bashkitë, u japim një zgjidhje kompromisi. Nuk pikasim asgjë pasi asgjë nuk është parashkruar. Ne vendosim rregulla. Kriteret përcaktohen nga ekspertët e ministrisë.

Me delgacionin e BE-së dhe me gjithë partnerët kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm është i vetëm komunikim i njëjtësuar.’- tha Kumbaro.

Ora 10:53
Ligji për zonat e mbrojtura, Bardhi: Do gllabërojnë pasuritë kombëtare të shqiptarëve

 

Deputeti Gazment Bardhi thotë se qeveria kërkon të gllabërojë pasuritë kombëtare të shqiptarëve me ligjin e ri për zonat e mbrojtura që u miratua sot në Kuvend. Bardhi nuk përjashtoi as mundësinë për dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese.

“Ligji për zonat e mbrojtura ku edhe njëherë planifikohet të gllabërohet pasuria kombëtare e shqiptarëve. Seanca vazhdoi të jetë jo një seancë normale sa kohë nuk përmbushen kërkesa e opozitës. (...) Padyshim që do ketë një vlerësim, nëse ka argumente për kundërshtim në GJK do i drejtohemi”, tha Bardhi.

Ora 10:39
Miratimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura, Zhupa: U shërben oligarkëve! Do të bëjnë investime strategjike

 

Me 74 vota pro Kuvendi miratoi sot ligjin për Zonat e Mbrojtura. Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa tha se ky është një ligj me porosi për interesat e oligarkëve dhe se shkel direktivat e BE-së

‘Sot në seancën plenare kaloi një ligj që është shkatërrimi i zonave të mbrojtura në Shqipëri. Një ligj klientelist i bërë për oligarkë të caktuar pranë Ramës. Heq mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura i bën ata sheshe ndërtimi ku mund të kryhen investime strategjike sipas kontratave që do të firmosin. Është në kundërshtim me kapitujt që ne duhet të plotësojmë për të hapur procesin e negociatave me BE-në. është një ligj me porosi dhe fakti që është një ligj me porosi duket te projekti i Divjakës. Dikush ka pasur porozi nga Edi Rama. Sot nëse pret një pemë në pyll dënohesh. Nëse vret një kafshë të egër dënohesh, por nëse ti sot ndërton në mes të Zonave të Mbrojtura quhesh investitor strategjik.’- tha Zhupa.

Ora 10:35
Miratohet ligji për zonat e mbrojtura, Tabaku: Brukseli po përgatit notë proteste për Shqipërinë, do jepen 14 vendime për investime strategjike

 

Deputetja demokrate Jorida Tabaku në një deklaratë për mediat ka komentuar ligjin për zonat e mbrojtura që u miratua sot në Kuvend. Tabaku tha se është në shkelje të direktivave të BE dhe se sipas saj Brukseli po përgatit një notë proteste për vendin tonë.

Tabaku tha se me këtë ligjkorruptiv do jepen 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura.

“Sot fatkeqësisht parlamenti votoi një ligj që është në shërbim të pakicës. I morën i përdorën 12 deputetë të PS, ligj që ishte në shkelje të direktivave të BE, me ligjin e miratuar në zonat e mbrojtura do jepen investime strategjike, hotele me 5 yje. Nëse flasim për parlament të kapur, për mosruajtjen e balancës në parlament, ky është shembulli më i mirë. Në këto kushte kur edhe deputetë të PS, vota e tyre nuk ka vlerë, vendos edhe një pikëpyetje të madhe për funksionimin e parlamentit. Shkelën angazhimin e konventave për mbrojtjen e mjedisit, janë 14 vendime për investime strategjike brenda zonave të mbrojtura.

Ky është një ligj korruptiv, që tregon kapjen e shtetit. Ka 14 ligje që tregojnë kapjen e shtetit. Unë di që qeverisë shqiptare është duke iu dërguar një notë proteste, se kapitujt për mjedisin është ndër më të vështirët. Kur vjen puna për të marrë akte për hapjen e negociatave, i shkel ato me dy këmbë. Me këtë ligj shkoi akoma edhe më tej, mos e shikoni lidhjen vetëm me mjedisin, shikojeni kryekëput korruptiv. BE do vazhdojë përpjekjet, Shqipëria është një vend sovran, por kemi një detyrim nga procesi i integrimit. Është në shkelje të direktivave të BE dhe ligj korruptiv, do japë leje për ndërtim në zona të mbrojtura”, tha Tabaku.

Ora 09:24
Ligji për Zonat e Mbrojtura, Xhixho thirrje mazhorancës: Tërhiquni! Hapni konsultim me shoqërinë civile dhe delegacionin e BE

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho i ka bërë thirrje mazhorancës që të tërheqin nga seanca ligjin për zonat e Mbrojtura dhe të hapin konsultimin publik me shoqërinë civile dhe Delegacionin e BE.

Në një deklaratë publike për mediat, Xhixho tha se duhet të dëgjohet zëri i ekspertëve të mjedisit, shoqërisë civile dhe banorëve të zonave që mund të preken direkt.

‘Ligji i ri i sjellë në Parlament nuk është gjë tjetër por zgjatim i ligjeve të tjerë të së njëjtës filozofi qeverisëse që frymëzohet, financohet dhe iu shërben interesave të babëzisë kriminale të një grushti oligarkësh.

Me këtë ligj, çdo zonë e mbrojtur mund të kthehet në shesh ndërtimi për t’u shndërruar në resorte, komplekse pallatesh apo biznese që të ushqejnë me pasurinë kombëtare xhepat e tyre edhe të padronëve të tyre në qeveri, në dëm të florës, faunës dhe peizazhit natyror të vendit.

Me këtë ligj, Shqipëria nuk do të ketë më pasuri natyrore të mbrojtura nga shteti.  Pasojat e tij do të jenë të pakthyeshme. E njëjta maxhorancë që dy vjet më parë i hapi ditën jeshile grabitjes së portit të Durrësit, apo që më parë shkatërroi Lagunën e Nartës me aeroportin e Vlorës që mund të ndërtohej shumë mirë diku tjetër, sjell për miratim një ligj tjetër që i hap rrugën shkatërrimit të zonave të mbrojtura, në kundërshtim të hapur me rekomandimet e BE.

Delegacioni i BE ka kërkuar sikundër edhe shoqëria civile që komisioni parlamentar të rihapë procesin e konsultimeve “në mënyrë transparente dhe gjithëpërfshirëse” për ndryshimin e ligjit për Zonat e Mbrojtura, pas draftit të ri të dorëzuar nga qeveria që lejon investimet strategjike brenda tyre.

U bëj sot thirrje kolegëve deputetë të maxhorancës të tërheqin nga seanca ligjin dhe të hapin konsultimin publik me shoqërinë civile dhe Delegacionin e BE. Le të dëgjojmë edhe njëherë zërin e ekspertëve të mjedisit, shoqërisë civile dhe banorëve të zonave që mund të preken direkt.’- tha Xhixho.

Ndërkohë një grup aktivistësh të shoqërisë civile kanë paralajmëruar protestë para Kuvendit, kundër miratimit të Ligjit për Zonat e Mbrojtura.

Sot votohet në seancë ligji për 'Zonat e Mbrojtura', qytetarët në protestë para parlamentit
M.Q./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?