TIRANË- Në komisionin e Ligjeve janë shqyrtuar dy nisma që i japin kompetenca SPAK të hetojë krimet zgjedhore, pas marrëveshjes së dakordësuar në 5 qershor në Këshillin Politik. Por ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk ka qenë dakord me faktin që SPAK duhet të hetojë krimet zgjedhore.
Sipas Xhafajt këto ndryshime sjellin deformim të legjislacionit, dhe deformojnë qëllimin për të cilin është ngritur SPAK.
“Duke qenë se unë nuk do të votoj pro, por do të abstenoj për dy ndërhyrjet që janë në kodin penal dhe kodin e procedurës penale, si rrjedhojë, si reflektim i vendimeve të të ashtuquajturit këshill politik me mendimin, më pas bindjen që ato sjellin deformim në frymën e legjislacionit aktual, deformojnë qëllimin parësor për të cilin janë ngritur institucionet e SPAK-ut. Por edhe duke parë që argumentet që sillen, për këto nuk janë bindëse. Vota ime vetëm për këto dy është abstenim jo për ndryshimet e tjera”, u shpreh ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Në kompetencën e SPAK, shtohet hetimi i veprave penale “ Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “Përdorimi i funksionit publik për zgjedhje”, pas ndryshimeve që Adnor Shameti propozon t’i bëhen kodit penal. Ndërsa Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka kërkuar rritjen e numrit të prokurorëve për të plotësuar këtë përgjegjësi të shtuar.