'Berisha në arrest shtëpie s'mund të shkojë në Kuvend!' Zbardhen arsyet pse SPAK e ndalon! Ja dokumenti

19 Janar, 12:05| Përditesimi: 19 Janar, 19:25

  • Share

SPAK refuzoi të pranonte kërkesën e Sali Berishës, në hetim për korrupsion pasiv nën masën ‘arrest shtëpie’ për të qenë prezent në Kuvend. Report Tv e Shqiptarja.com siguron arsyetimin e SPAK për të refuzuar kërkesën e Berishës të marrë pjesë në seancat e Kuvendit.

    Në vendimin 4 faqesh të arsyetuar të prokurorisë së Posaçme firmosur nga kreu Altin Dumani dhe dy prokurorët e dosjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai drejtuar Sali Berishës shkruhet se për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin, dhe referuar ashpërsisë që mbart kjo masë, ajo gjen përputhje në disa elementë, me masën më ekstreme, që është “arresti në burg”

    “Në rastin konkret, Gjykata me vendimin e sipërcituar, ka disponuar "... Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga "Mustafa Matohiti", Ndërtesa 36, hyrja 1, Nd 036, Njësia Administrative nr. 2 Tiranë, si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të...".

    Ndodhur në këto kushte, edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për në Kuvend, duhet të konsiderohet si e papajtueshme me zbatimin e masës së sigurimit "arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale, ashtu siç është e papajtueshme edhe për çdo qytetar tjetër që i nënshtrohet kësaj mase, e drejta për të shkuar në punë.”

    Ndër të tjera SPAK kujton se nëse Berisha do të ishte në masën ‘detyrim me paraqitje’ siç ishte para 30 dhjetorit, por të cilin e refuzoi ta zbatonte atëherë do të mund të ishte në kuvend.

    ‘Në rastin e masave të tjera shtrënguese, siç është detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore, konstatohet se e drejta për të ushtruar profesionin, është në përputhje me llojin e masës, pasi personi nuk detyrohet të qëndrojë në banesën e tij”

    Në dokumentin që mban datën 18 janar 2024, SPAK argumenton më tej se Legjislatori, nuk ka parashikuar në asnjë nga dispozitat e K.Pr.Penale apo në dispozitat e ligjit nr. 81/2020 "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarëve me burgim dhe të paraburgosurëve" mundësimin e dhënies së një leje të tillë. Madje, edhe siç mund të konstatohet nga vetë kërkesa e paraqitur nga personi nën hetim, nëpërmjet mbrojtësit av. Sokol Mëngjesi, nuk evidentohet asnjë dispozitë mbi të cilën të mbështetet kërkesa për dhënien e kësaj leje.

    SPAK si argument sjell dhe një vendim të gjykatës së Lartë të datës 9 nëntor 2015

    Në Kodin e Procedurës Penale nuk identifikohet ndonjë dispozitë ligjore që të parashikojë mundësinë e dhënies së një leje të një natyre të tillë, kurse dispozitat e parashikuara në ligjin për trajtimin e të paraburgosurve, natyra e lejeve që mund të kërkohen ka karakter rastësor dhe të përjashtimor, pra nuk parashikohet as në ligjin nr.8328, datë 16.04.1998, "Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim" ndonjë dispozitë që të mbështeti pretendimin e personin nën hetim. Në këto kushte, e drejta kushtetuese për të ushtruar funksionin e deputetit, nuk mund të konsiderohet si mbizotëruese në raport me përmbushjen e interesit kushtetues që ka të bëjë me plotësimin e nevojave për mbarëvajtjen e procedimit penal lidhur me ushtrimin e ndjekjes penale dhe zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor që synon përcaktimin e së vërtetës lidhur me akuzat e ngritura dhe çështjen e përgjegjësisë penale....".

     

    "Në rast se legjislatori do të kishte për qëllim që deputetit nuk duhet në asnjë mënyrë t'i ndërpritet mundësia për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit, atëherë do të kishte bërë parashikime të tjera si në Kushtetutë ashtu edhe në ligjin procedurial penal. Kjo gjë e tillë nuk ka ndodhur" nënvizohet më tej në SPAK.

    Ndodhur në këto kushte, SPAK vlerësoi të mos pranojë kërkesën e paraqitur nga personi nën hetim Sali Berisha, nëpërmjet mbrojtësit të tij av. Sokol Mëngjesi për lejimin e marrjes pjesë në seancat plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

    Lajmi ne perditesim... 

    (Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

     

    S.G//ReportTv.al
    Komento
    • Sondazhi i ditës:

      Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?