1. Siç më ka rrëfyer dikur Simon Vrusho, aty nga viti 1994, ndërsa shihte tatëpjetën që kishte marrë Shqipëria, ai kishte udhëtuar për në Tiranë dhe kishte trokitur në derën e kreut të SHIK-ut, B. Gazidedes, të cilin e kishte pyetur se çfarë është duke ndodhur në këtë vend. Të dy i lidhte një miqësi e hershme nga koha e studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës. Është i vetëkuptueshëm sensi konfidencial i bisedës. Gazidedja i kishte thënë se e kam njoftuar Presidentin e Republikës për të gjitha problemet e ministrave të tij, për fajdet dhe për gjithçka negative dhe, kur ishin duke u ndarë, i kishte thënë edhe diçka tjetër, për të cilën e solla në retrospektiv këtë fragment: “Punët në këtë vend janë aq keq saqë njeriu e ka të pamundur të ndryshojë gjë… Vetëm po ndërhyri Ai lart (duke bërë e shenjë nga qielli) mund të kemi ndonjë shpresë për mirë.”
2.
“Deus ex machina” është një term që vjen nga antikiteti greko-romak. Kemi të bëjmë me një mekanizëm që përdorej në tragjeditë e kohës, nëpërmjet të cilit perënditë ndërhynin dhe shpëtonin heronjtë mitik pasi atyre nuk u kishte ngelur kurrfarë rrugëdaljeje. Mendohet se i pari që e ka përdorur këtë gjë është Eskili, por ai që e perfeksionoi është Euripidi me tragjedinë “Medea”, fundi i së cilës mbyllet pikërisht me një zgjidhje të tillë, ku heroinës, që kishte vrarë fëmijët e saj, i zbret një karrocë qiellore dhe e shpëton nga hakmarrja e bashkëshortit. Të njëjtin mekanizëm e ka përdorur shumë shekuj më vonë Shekspiri tek tragjeditë “Makbethi” dhe “Hamleti”, ndërsa nga autorët shqiptar më vjen ndër mend Petro Marko tek romani i tij “Qyteti i fundit”, që realizon të njëjtën zgjidhje mekanike për personazhin e tij, Ana-Marian.
3.
Në kushtet e një Shqipërie që ka ngecur në vend numëro përsa i përket qarkullimit të elitave, të marrë peng nga e njëjta klasë politike prej tri dekadash; të një korrupsioni qeveritar galopant në të gjithë arteriet; të një grushti politikanësh që kanë rënë dakort për të mos rënë dakort dhe për të sulmuar njëri-tjetrin sipas parimit “i yti mishin ta ha, por kockën ta ruan”, për arsye të ruajtjes nga efekti domino – ruajmë njëri-tjetrin, sepse po ra një bien të gjithë; të një populli anemik, që e ka humbur forcën për të reaguar dhe për të ndëshkuar me votë drejtuesit e tij; të një politike ndërkombëtare që si kryefjalë të saj ka shpallur luftën kundër korrupsionit ndaj elitave politike; të një gjeo-politike që i intereson një rajon i qetë dhe që i frikësohet ngjalljes së fantazmave të së kaluarës; të një Reforme në Drejtësi, që ka shansin e fundit për të vënë drejtësinë e shumëpritur në këtë vend, për shkak të mbështetjes së madhe që ka marrë, ndërkombëtare (SHBA-BE) dhe vendase (e votuar me 140 vota); të një vendi që shpopullohet përditë dhe më frikshëm, sepse këtu asnjë nuk ka më shpresë se mund të ndryshojë diçka…, e vetmja zgjidhje që ngelet është besimi tek funksionimi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, i cili është një investim strategjik ndërkombëtar, me mbështetje euro-atlantike, dhe që në këtë rast është në përputhje të plotë me kërkesat dhe pritshmëritë e popullit shqiptar.
Nuk mund të themi se deri më sot SPAK-u ka qenë në lartësinë e duhur. Pavarësisht presioneve të gjithanshme, ai është vetëm në fillimin e një misioni që mund të rezultojë historik dhe mund të transformojë të gjithë elitën politike në vend.
I sulmuar nga të gjithë krahët e politikës dhe nën avujt e një mosbesimi në popull se mund të goditen dinosaurët e politikës, SPAK-u ka dhënë shenjat e para, duke goditur segmente të caktuara brenda mazhorancës dhe ka hapur një hetim ndaj ish-Presidentit Ilir Meta. Të dyja duhen parë si ogur i mirë për shoqërinë shqiptare, por nuk mjaftojnë. Hetimet për çështjen e inceneratorëve, të cilat mund të rrëzojnë qeverinë Rama, duhet të thellohen dhe të shkojnë deri në fund, në mënyrë që besimi të rritet dhe dyshimet të veniten. Po ashtu, dosjet e mëdha të korrupsionit qeveritar 30-vjeçar duhen hetuar, në mënyrë që njerëzit të shpresojnë se gjërat kanë nisur për mirë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është sot përballë një sfide të madhe: ata duhet të justifikojnë vetveten dhe besimin e publikut. Ata mund të shndërrohen në një mekanizëm shpëtues, transformues dhe zhbllokues. Atë që nuk e bën dot vota e një populli të varfër, ta bëjë drejtësia me mbështetje ndërkombëtare.