SPECIALE/ 22 kryediplomatët amerikanë që drejtuan ambasadën e SHBA në Tiranë! Qafoku: Diplomati Herman Bernstein, rol të jashtëzakonshëm për Shqipërinë

20 Tetor 2022, 15:06| Përditesimi: 20 Tetor 2022, 15:12

  • Share

Fotografia murale e portretit të një gruaje tipike shqiptare në muzeun e emigracionit “Ellis Island” në New York, ishte përballje e pare, me idenë e tij. Një grua tipike më veshjet e brezit të saj, me fustanellë.

‘Në dixhiturë shkruante: Një grua shqiptare, e ardhur nga Italia 1905, Ellis Island” M’u feks sikur ishte stërgjyshja ime. Unë isha 12 vjeç kur vdiq stërgjyshja ime. Më tërhoqi shumë, ardhur nga Italia . Nuk ishte arbëreshe, por në atë kohë nuk ishte formuar shteti shqiptar dhe shqiptarët që iknin në Amerikë shkonin në Napoli. Prisnin biletat, hipnin në vapor dhe mbërrin në New York.’- tha Qafoku

Orendi, sende e zëra të regjistruar të shqiptarëve që kishin mbërritur në SHBA më shumë se një shekull më parë dhe ruheshin në ambientet e këtij muzeu emigracioni, ishin ato që shtuan kureshtinë e njohjes në një vend thuajse krejt të panjohur për të.

‘E vizitova të gjithë muzeun dhe atje ishte një pasuri. Është e jashtëzakonshme. Mendoj se çdo shqiptar duhet ta shikojë të paktën njëherë në jetë atë muze. Aty kishte deri objekte, foto, pasaporta, dokumente dhe zëra të regjistruar të shqiptarëve që mbërrinin atje.’- tha Qafoku.

I’u deshën më shumë se 20 vite punë që të gjithë kuriozitëtin e tij gradualisht me dokumenta, fakte historike e ngjarje ta materializonte në projektin e një libri “Ambasadorët Amerikanë në Shqipëri 1922- 2022

Që në hyrje të librit, autori Roland Qafoku tregon se një ambasador amerikan në Shqipëri nuk mbart të njëjtën rëndësi siç çdo ambasador i një vendi tjetër.

Me madhësinë, portretizimin deri diku edhe duke u përpjekur të zhvendosë lexuesin në kohën historike kur ndodhin ngjarjet, studiuesi Roland Qafoku përmes librit të tij sjell historinë e 22 diplomatëve amerikanë që drejtuan ambasadën e SHBA në Tiranë, në 10 dekada.

SINK “Për secilin ambasador në këtë libër mbështetur në dokumente, arkiva, në intervista që unë kam marrë, por dhe në një arkiv shumë të pasur të një medie amerikane unë kam arritur të sjellë të plotë për secilin diplomat, të gjithë aktivitetin e tyre për të bërë historikun e plotë të këtyre marrëdhënieve”

Diplomati amerikan që drejtoi i pari legatën e SHBA-së në Tiranë duke vënë  gurin e parë të themelit të marrëdhënieve Shqipëri -Amerikë  ishte Maxwell Blake.

“Maxwell Blake, ishte ambasadori i parë që nuk e njihte fare Shqipërinë. Me të gjithë ato që pa dhe takoi ai ra në dashuri me Shqipërinë, nuk donte të ikte. Mënyra se si e pritën për të ishte befasuese. Ky shkoi në Korçë dhe mori një shtëpi me qira. Kur hapi ballkonin e shtëpisë dhe donte të shikonte qytetin. Aty u mblodhën dhjetëra njerëz dhe të gjithë brohorisnin USA.’- u shpreh Qafoku.

28 korrik 1922 është një stacion mjaft i rëndësishëm për shtetin shqiptar, pasi shënon dhe hapjen zyrtare të portës së marrëdhënieve mes dy kombeve, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Është viti 1922 dhe Tirana ishte akoma kryeqytet i përkohshëm. Të gjithë ambasadat ishin në Durrës. Ky ndërkohë i shkruante Departamentit të shtetit që ambasadën e parë duhet ta kemi në Tiranë, por ajo duhet të jetë e përhershme dhe jo e përkohshme pasi unë kuptoj që Tirana ka për t’u bërë kryeqytet i Shqipërisë” shprehet studiuesi Roland Qafoku.

Firmosur nga komisioneri Maxwell Blake, ky është dokumenti që ndodhet në arkivin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe që njofton kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë  Xhaferr Ypi, se SHBA njihte qeverinë Shqiptare duke shënuar zyrtarisht nisjen e vendosjes së marrëdhënieve të para diplomatike SHBA-Shqipëri.

“Ky raport është i jashtëzakonshëm për mua. Ai flet aty për popullisinë, flet për ekonominë, pasuritë nëntokësore, për shqiptarët si janë të ndarë, në geg dhe tosk, për gjuhën shqipe”- u shpreh Qafoku.

6 muaj është kohëzgjatja e qëndrimit të diplomatit të parë amerikan, emëruar në statusin e Komisionerit amerikan në Shqipëri, për të vijuar më pas me Ulysses Grant-Smith i cili zyrtarisht është Ministri i parë që shteti amerikan dërgoi në vendin tonë.

“Ishte nipi i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E imagjinoni dot të vijë nipi i presidentit SHBA-së sot”- u shpreh Qafoku.

Emëruar nga Warren Gamaliel Harding, presidenti i 29-të i SHBA-së, Ulysses Grant-Smith ishtë kryediplomati i  cili hodhi bazat për  ndërtimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Viti 1924 rezultoi të ishte një vit i mbrapshtë dhe i vështirë për Shqipërinë. Përveçse një shtet i pastabilizuar ku qeveritë binin njëra pas tjetrës, ngjarje të rënda tronditën vendin dhe diplomacinë e Grant Smith.

Gazetat e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në këtë periudhë botuan traktate të fshehta imperialiste ku thuhej, se lideri komunist Vladimir Iliç Lenin kishte bërë një denoncim publik për një plan të fshehtë të fuqive të mëdha për copëtimin e Shqipërisë si ”Traktati i fshehtë i Londrës  1915”

Më 6 prill 1924 në rrugën nacionale të veriut, në fshatin Mamurras dy biznesmenë amerikanë Robert Coleman dhe George de Longe u ekzekutuan me një batare të shtënash pushke.

 “Është njëlloj sikur sot të vritet Elon Musk. Këta ishin dy milarderë që kaluan rastësisht këtej për turizëm dhe i vranë pikërisht në Mamurras. U ndodhi pikërisht gjatë kohës kur ishte ministër Ulysses Grant-Smith. Kur pa kufomat ai tha: Shqipëria bëri një mijë vjet mbrapa dhe kishte shumë të drejtë. Por, nga të gjitha ato që kam parë dhe investiguar, dokumete arkivore unë kam nxjerrë konkluzionin që këto vrasje janë kryer nga shërbimi sekret Jugosllav.’- u shpreh Qafoku.

Punën e Smith do ta vijonte Charls Hart. Ishte kryediplomati Hart ai që projektoi ndërtimin e godinës së parë të Departamentit të Shtetit amerikan e cila kushtoi 60 mijë dollarë.

‘Është e para godinë që Departamenti i Shtetit Amerikan ndërtoi jashtë SHBA’, shprehet Qafoku.

Teksa drejtoi legatën amerikane në një periudhë të pastabilizuar për Shqipërinë pas përfundimit të misionit të tij, Hart kishte këto fjalë për të thënë për Shqipërinë.

“Nuk do t’i shkëmbeja të katër vjetët e gjysmë që kalova në Shqipëri me asnjë periudhë tjetër të jetës sime”.- tha Qafoku.

Historia e diplomacisë amerikane në Shqipëri, vijon me Herman Bernstein, që pati fatin jo vetëm të inaguronte ambasadën amerikane në nëntor 1930, por, ai arriti ta kthente Shqipërinë në një stacion amerikan, ku ende vendi ynë mban një vështrim superior.

 “Fati i tij ishte që në 27 nëntor 1930 ky që preu shiritin e përurimit të godinës së ambasadës Ambasadës dhe aty me një ceremoni të jashtëzakonshme  ku mjafton të them një gazetar i “New York Times” mbulonte ceremoninë. U cilësua një ndër ngjarjet më të rëndësishme të Diplomacisë. Ndërkohë dashuria e këtij njeriu dhe entuziazmi i tij bëri që në oborrin e ambasadës që kemi sot, ai martoi vajzën bëri ceremoninë e së bijës. Vajza amerikane , dhendri francez . Gazetari i New York times shkruante: Kjo është ngjarja më piktoreske e ndodhur kohëve të fundit në Ballkan. Ai kishte marrëdhënie të veçanta me Mbretin Zog. Ai ka patur një rol të jashtëzakonshme në mënyrën sesi i e ndihmoi dhe e fuqizoi, Shqipërinë. Ky është i pari që bëri bilancin se sa hebrenj kishte në Shqipëri.’- tha Qafoku.

Ajo që nuk kishte ndodhur ndonjëherë dhe mori vëmendjen e rëdësishme të medias ndërkombëtare ishte edhe ceremonia e dasmës së vajzës së diplomatit amerikan Bernstain.

Në 19 qershor 1932 përmes një riti zyrtar shqiptar Violet Bernstain, vajza e diplomatit Herman Bernstain  u martua më studentin francez Arpad Willhelm, përmes një ceremonie përrallorë në oborrin e ambasadës amerikane në Tiranë. Kryetari i Bashkisë, Rexhep Jella drejtoi ceremoninë martesore duke i vënë kurorën në kokë çiftit.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 22/10/2022 02:33

    Gjyshi im ka punuar te ambasada amerikane,me sakte per U.N.R.R.A-n.Ne ate kohe amerikanet perdoren ndihmen e te tere atyre shqiptareve qe kishin mbaruar shkollat amerikane,ose kishin pas qene emigrante ne U.S.Akoma dhe sot ruaj ne shtepi dy foto,nje ku gjyshi ka dale me punonjes te ambasades,nje tjeter ku ka dale vetem, i veshur me uniformen e U.N.R.R.A dhe nje certifikate sherbimi leshuar nga kjo organizate.Pas prishjes se lidhjeve me U.S,ai,ashtu si shume shqiptare te tjere vuajti te gjitha pasojat nga akuzat e komunisteve.Si mund t'i quash spiune e sabotatore nje org.humanitare vetem mendja e komunisteve krijonte te tilla djallezi!!Por desha te tregoj dy histori ku gjyshi im ka qene vete prezent.Ngjarja e pare kishte ndodhur ne veri,diversantet i kishin bere prite nje gjykatesi,a prokurori komunist dhe e kishin vrare ne mes te rruges,makina e U.N.R.R.A qe kaloi aty rastesisht e gjeti ne grahmat e fundit e morren e shpune ne spital por ishte shume vone.Rasti i dyte ndodhi kur punonjesit e ambasades kishin shkuar per gjueti,dhe gjyshi im qe shkonte te gjuante bashke me ta,u kthye te takonte nje patrioten e tij e internuar ne ate kohe,Atje ku ishte kjo zonje kishte rene tifoja ne ate fshat dhe komunistet e kishin lene ate dhe te tjere te internuar ne meshire te semundjes e te fatit,pa asnje ndihme.Gjyshi e gjeti zonjen ne zjarrmi e ethe nga temp.e larte,me buze te thara pa uje dhe me te gjitha pasojat e tifos.Mjeku i ambasades qe ishte dhe i U.N.R.R.A-s qe ishin bashke,e la udhetimin per gjueti ku ishin nisur dhe i dha nje ilac te semures kunder temperatures dhe thirri pergjegjesit e internimit,a kush ishte aty dhe thuhet se i detyroi t'a conin ne spital dhe u kishte folur ashper jo vetem per kushtet ku u gjet zonja,por dhe per kushtet e te semureve te tjere me tifo.Te nesermen u kthyen prape e solli ilace per te gjithe ata qe ishin me tifo dhe me pas u kthye dhe i vizitoi prape pas nje jave.Per fat te keq nuk e di emrin e ketij doktori te ambasades,por ai ka bere nje sherbim te jashtezakonshem per keta fatkeqe dhe i shpreh mirenjohje pasardhesve te tij per sherbimet e kryera me kaq humanitet nga zoteria i nderuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?