Mbjellja simbolike e një fidan portokalli në fshatin Stjar, pranverën e vitit 1959 nga udhëheqësi i ish-BS Nikita Hrushovi dhe ndërtimi i rrugës drejt Butrintit, shënoi fillimin e ri për shndërrimin e bregdetit shkëmbor të jugut në një vend të begatë plantacionesh të mbushura me agrume e ullinj, me prodhimin e të cilave, “…do të furnizoheshin gjithë vendet e kampit socialist(!)” sipas udhëheqësit sovjetik.
Në vitet’70 qindra familje, të rinj vullnetarë por dhe të persekutuar të sistemit komunist ndërtuan brezare e mbollën ullinj e agrume duke i dhënë një pamje tjetër Ksamilit.
Deri në vitet ’90 Ksamili numëronte të paktën 3500 banorë që kishin ardhur nga Saranda, Gjirokastra, Përmeti, Korça, Kukësi dhe Peshkopia dhe që ishin bërë banorët e përhershëm pas ndërtimit të qytezës ne vitet 70.
Me 200 mijë agrume, afro 60 mijë rrënjë ullinj e tre ishuj me bukuri natyrore, Ksamili do të shndërrohej në destinacion të lakmuar nga pushuesit por edhe nga sipërmarrësit.
Më shumë se 30 vite më pas, Ksamili është vendosur në destinacionet e sugjeruara nga mediat prestigjoze ndërkombëtare. Tashmë sezoni veror ka nisur, madje me optimizëm për operatorët turistikë.
Jehona e mediave ndërkombëtare e ka bërë efektin e saj vitet e fundit. Ksamilin e frekuentojnë pushues nga e gjithë bota.
Shqipëria në përgjithësi ka vuajtur jo vetëm për vendosjen e standardeve në turizëm por edhe ruajtjen e tyre. Mësimet e nxjerra nga e shkuara i bëjnë operatorët turistikë të shohin drejt të ardhmes.
Por çfarë ofron Ksamili?
Plazhet e Ksamilit janë arsyeja kryesore e vizitorëve vendas e të huaj. Hapësirat publike janë të pakta, megjithatë turistët nuk kanë pësuar rënie. Disa prej plazheve kanë një rërë të imët e të bardhë që nuk e has asgjëkundi në bregdetin shqiptar.
Ksamili fillon që aty ku i thonë Qafa e Hartës dhe gjiri pranë tij mban të njëjtin emër. Një plazh i madh e i gjerë ku gjen, bar e restorant, varka për lundrim dhe disa trampolina të vogla plastike.
Në formën e gjireve të vegjël është edhe Pema e Thatë, një plazh që shikon përballë Korfuzit dhe ndodhet vetëm gjysmë milje larg tij. Preferohet nga familjet me fëmijë të vegjël për shkak se është më pak i thellë se plazhet e tjerë.
Plazhi Pasqyrat ndodhet rrugës nga Saranda për në Ksamil . e ka marrë këtë emër nga peshkatarët që shquanin ujërat e kristalta të shndërruara si një pasqyrë e stërmadhe për qiellin.
Plazhi Pulëbardha e ka marrë emrin nga një fole pulëbardhash e ngritur dikur. Sot është ndër destinacionet e preferuara nga vendasit dhe të huajt.
Maldives gjeneron 5Bilion dollar ne vit nga turizmi ndersa ksamili 50milion euro. Ajde llogari te bera ajde.
Përgjigju