Speciale/ Ermira Babaliu rrëfen dashuritë e mëdha buzë liqenit të Pogradecit

12 Nëntor 2023, 13:07| Përditesimi: 12 Nëntor 2023, 14:03

  • Share

Në një intervistë ndryshe, Ermira Babaliu tregon jetën e saj, krenarinë që i ka falur familja, misionin që i ka vënë vetes për t’i shërbyer njerëzve në nevojë. Të gjitha këto i mbështet tek rrënjët e familjes të cilat për të janë të çmuara dhe kanë kontribuar në atë që është sot.

Dashuritë e mëdha karakterizojnë Ermira Babaliun, këngëtaren e serenatave e jo vetëm, zëri i të cilës shoqëroi lidhjet e ndarjet e zemrave të çifteve shqiptare që prej viteve ’80.

Rikthimi në Pogradec ri sjell edhe Ermirën këngëtare. Ajo zbriti në skenën e Pallatit të kulturës këtë herë së bashku me këngëtarët e rinj pogradecar. Koncerti “Yjet e vjeshtës pogradecare” u mirëprit nga publiku i cili këndoi bashkë me këngëtaren Ermira Babaliu, hitet e saj.

Koha ka treguar se këngët e Ermira Babaliut nuk mund të harrohen. Ato këndohen edhe sot në tryeza familjare.

Ermira Babaliu ka nisur rrugëtimin e këngëtares gjatë viteve të shkollës. Ajo angazhohet në grupet artistike, por edhe pranë Shtëpisë së Kulturës, ku bie në sy për zërin e saj melodioz e të veçantë e që shumë shpejt u dallua nga këngëtarët e tjerë. Aktivizohet pranë Estradës së qytetit, ku merr pjesë në variete të kësaj Estrade, si dhe në turne të ndryshme si brenda ashtu edhe jashtë rrethit. Merr pjesë në Festivalin e Parë të Këngës në Pogradec dhe nderohet me Çmimin e Parë me këngën "Erdh' pranvera". Studimet e larta i kryen në Universitetin e Tiranës, në Degën Filozofi. Në festivalet e këngës në RTV, Ermira Babaliu vlerësohet me çmime te dyta e të treta , në Festivali i 25-të dhe i 26-të, me këngët "Një jete nga Jeta ime dhe “ Mbrëmja që mban dashurinë time.” Në konkursin e interpretuesve të këngës, vlerësohet si këngëtarja më e mirë e vitit 1994 me këngën "Emri me i bukur".

Me çmim vlerësohet edhe me këngën tjetër, “E njëjta ëndërr”. Me trofeun e radhës në duar e një karrierë që e kishte bërë këngëtare të dashur e të njohur nga të gjithë, në vitin 1996 Ermira Babaliu  do të linte Shqipërinë për të nisur një rrugëtim të ri, por jo pa një peng që e kujton ende edhe sot.

Ermira Babaliu la pas liqenin e Pogradecit dhe udhëtoi drejt liqeneve të Miçiganit në SHBA ku jeton aktualisht me familjen e saj. Ndjehet e arrirë edhe si nënë, pasi në një vend si SHBA, e bija, Dorela ka ndërtuar familjen e saj, ushtron profesionin që do dhe nuk bën jetën 12 orë punë e 12 orë gjumë.

Gjithçka e ka bazuar në ndershmërinë që e karakterizon, gjë që në SHBA vlerësohet shumë, prandaj dhe emrin e saj e ka përdorur për t’u ardhur në ndihmë shtresave në nevojë. E ka bërë dhe do ta vazhdojë në bashkëpunim me shumë njerëz që i kanë besuar misionit humanitar.

E ka thënë dhe vazhdon ta nënvizojë se karakteri i saj u shënjua nga rrënjët e familjes. Ajo është mbesa e heroi të popullit Reshit Çollaku dhe disidentit Qani Çollaku.

Në intervistën për Report TV, ajo zbulon se është edhe një kuzhiniere shumë e mirë.

M.T//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?