Zona e Kukësit njihet për rritjen e deles rudë. Gojëdhënat tregojnë se blegtorët e fshatrave ishin mjeshtër në qethjen e deleve. Ata njihen për përpunimin e leshit të deles dhe prodhimin e veshjeve tradicionale. Përdorimi i leshit të deleve ka qenë lënda bazë në veshën e tyre. Të njëjtën traditë po përpiqet të ruajë edhe Lirie Kotarja. Ajo ka hapur një dyqan të vogël ku ka angazhuar edhe pjesëtarët e familjes.
“Të gjitha ia kam dhënë edhe vajzave dhe nuses. Edhe nusen nëna e vet e ka mësuar. Ne po e transmetojmë dhe përçojmë si familje.”- shprehet Lirie Kotarja.
Jo rastësisht është artizane. Lirie Kotarja thotë se punimin e leshit të deles rudë e ka mësuar nga nëna e saj. Sot krahas teknikës së vjetër të përpunimit të leshit ajo ka ndërthurur teknika të reja, duke siguruar kështu këtë material të rëndësishëm, nga ku nxjerr punimet e saj tradicionale.
Dikur nga leshi i deles rudë është punuar çdo gjë me vegjë, si sixhade, shoka, përparëse etj. Sot Lirija tregon se kanë arritur të krijojnë edhe aksesorë, zbukurime, dhurata me motive kombëtare. Procesi pas larjes së leshit, përpunimit, ngjyrosjes vazhdon me krijimin e këtyre punimeve me gjilpërë.
Blerësit më të shpeshtë janë emigrantët por edhe turistët. E sigurisht në një punishte artizanale të vogël nuk mund të mungojnë disa punime të veçanta, që janë ruajtur me fanatizëm për më shumë se 50 vjet.
“Kam qenë artizane. Gjithnjë artizane. Kam punuar në artizanat. Kam punuar jorganë në shtet dhe me porosi. Të gjitha profesionet me gjilpërë e shtiza, i kam pasur unë profesion.”- tregon artizania.
Shajaku ka qenë e shkuara e artë e artizanëve të Kukësit, Lirie i ka vënë objektiv vetës që të jetë edhe e ardhmja e familjes së saj.
“Kurbetin ta heqim se i ka hyrë në gjak të rinjve dhe vetëm të ikim. Të rritemi ekonomikisht dhe djemtë e mi që i kam të mos e kenë mendjen të ikin duke menduar se Gjermania, Anglia ka lekë atje. Po leku është edhe në Shqipëri. E kemi në vend. Pse të shkojmë ta kërkojmë atje dhe të bëhemi shërbëtor të shtetit të huaj. Të investojmë për Kukësin dhe Shqipërinë”.- tha artizania.