Ishte viti 1960. E gjithë bota po gëlonte nga një sërë ndryshimesh. Ndërkohë që lufta në Vietnam vazhdonte, hipitë ishin kryefjala e modës së re njerëzore që ngado shfaqeshin me simbolikën e re të paqes. Minifundet dhe çizmet mbizotëronin në veshjet femërore. Në ekranet e televizorëve u shfaq për herë të parë një debat publik presidencial, atij që qeveriste në atë kohë SHBA...dhe kandidatit....
Të gjitha këto informacione gjenden lehtësisht në motorin e kërkimit sapo shkruan 1960. Pak kush e di se një vajzë nga Berati sapo kishte përfunduar studimet e larta në Moskë, në në Institutin Kinematografik “VGIK”. Ishte e para shqiptare që diplomohej në një degë që edhe sot është e veçantë, regjisore filmash dokumentarë.
Emri i saj ishte i pa njohur, quhej Marianthi. Ajo u lind në 2 nëntor 1936 në Berat. Atje ajo kaloi fëmijërinë dhe mori mësimet e para deri në përfundim të shkollës së mesme me vlerësime maksimale.
Ishte mbajtur fort pas këtyre rrënjëve edhe gjatë kohës që studionte në kryeqytetin rus. Prandaj zgjodhi për temë diplome “Qytetin e një mbi një dritareve”. Kështu nisi të shkruhej historia Marianthi Xhakos, regjisores së parë në Shqipëri të filmave dokumentarë.
“Marianthi fillimet e saj i ka të hershme është përfaqësuese brezit të parë, nëse kishim në artet e tjera si Ganimet Vendresha, Zoica Haxho ,Marie Kraja në artet si baleti ishte gjë e re dhe kinematografia. Marianthi ka hyrë në kinostudio në moshë shumë të re me themeluesit e kinematografisë shqiptare, bën pjesë në themelet e historisë së kinematografisë shqiptare.”- tregon Natasha Lako, shkrimtare, publiciste dhe skenariste e një sërë filmave shqiptarë”, thotë Natasha Lako.
Marianthi Xhako u bë pjesë e kastës së parë të atyre që po ndërtonin Hollivudin e vogël shqiptar, ose një “Cine Citta” për Shqipërinë, tërësisht e markës sonë krijuar me “forcat tona”. Ky ishte institucioni shtetëror që prodhonte filma, i shpërndante dhe përgatiste specialistë në fusha të ndryshme të filmit.
U krijua si pronë e popullit dhe shtetit shqiptar dhe u përurua më 10 korrik 1952. Fillimisht ajo pati si qëllim që brenda një kohe të shkurtër të krijonte kushtet e nevojshme për prodhimin tërësisht në vend të filmit kronikal e dokumentar. Ndër të paktët që u diplomuan në atë kohë në fushën e regjisurës ishte edhe Marianthi Xhako.
“Në fund të viteve ’50 pasi ka studiuar një grup kineastësh por këta nuk mbaruan për regjisorë si Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, nuk kanë studiuar për regjisurë por për operator kurse Marianthi së bashku Kristaq Dhamon kanë qenë nga të pakët që kanë studiuar për regjisurë” -shpjegon znj. Natasha Lako.
Realizimi i një dokumentari ka specifikat e veta të cilave i shtohen edhe udhëzimet politike kur bëhet fjalë për punën e regjisorëve në vitet e socializmit. Një regjisor shqiptar nuk i ngjante aspak kolegëve në vende të Bashkimit Evropian apo atyre në SHBA. Këtë e shpjegon qartë një tjetër regjisor, aktor i njohur për publikun shqiptar, Mevlan Shanaj.
Pavarësisht kushteve të vështira, dokumentarët e kohës kanë sjellë portrete shqiptarësh nga të gjitha fushat e jetës. Sot ata janë pjesë e historisë së Shqipërisë. Marianthi Xhako ka realizuar rreth 60 filma dokumentarë e kronikalë. Ndër më të veçantët për të është dokumentari për minatorët e Kurbneshit.
Për kontributin e saj në artin kinematografik Marianthi Qemo-Xhako është nderuar me titullin “Artiste e merituar” dhe me disa çmime në festivalet e filmit. Ajo u nda nga jeta në vitin 2017 në moshën 81 vjeçare. 6 vite më pas në qytetin ku u lind dhe u rrit janë kthyer dy vajzat e saj për të marrë vlerësime e duartrokitje për nënë e tyre.