Në lagjen Sheher të qytetit të Lezhës kanë nisur përgatitjet e Festës së madhe të Pashkëve. Veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste. Kjo traditë ka zanafillë pagane. Vezët e pulës duhet të jenë sa më të freskëta, të mbledhura nga furriqet. Ajo simbolizon jetën, që është e mbyllur dhe e përgjumur brenda lëvozhgës së saj, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve simbolizon sakrificën dhe në rastin konkret, sakrificën e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Përgatitjet kanë nisur edhe në Familjen Doku. Janë nga Mirëdita por banojnë prej vitesh në lagjen Sheher të qytetit të Lezhës.
“Gjithçka thotë kjo vezë. Lyhet. Është kënaqësi për fëmijët”, tha e zonja e familjes Doku.
Veza ngjyroset kryesisht me ngjyrë të kuqe, ngjyrë e gjakut, ose e vizatuar
“I ziejmë të bardha. Si të mos thyhen i vendosim kripë, bojë dhe pak uthull. I kam nxjerrë”, tregoi ajo.
Pasi përgatiten vezët e Pashkëve ngjyra-ngjyra, shkëmbehen si dhuratë. Ose përplasen me njëra tjetrën. Ai që fiton mburret për vezën më të fortë e cila, sipas traditës, sjell edhe fat, deri në Pashkët e reja.
“Kur thyen vezën, i fiton. Edhe 20 me pas mi merr”, tha e zonja.
“Vezët e zogjve janë më të forta, të pulave janë më të dopta. Dola tek kisha dhe fitova gjithë ato vezë. Nuk kisha as xhepa ku me i fut. Vezët e polenit janë më pika. Disa merrnin dhe vezë druri. I lyenin me bojë”, tha i zoti i shtëpisë.
Dhurimi i vezëve shoqërohet me urime për miqësi, dashuri, mbarësi. Shumë shpesh të krishterët shqiptarë u dhurojnë shporta me vezë dashamirëve të tyre myslimanë, në shenjë miqësie. Tryezës festive nuk duhet t’i mungojë as buka e Pashkës.
“Buka e bekume bëhet me vezë, pak më e lezetshme. Djathi, veza dhe hudhrat. Konsumohen të dielën e pashkëve deri në orën 9. Kur hahet buka e bekuar mbyllet dera zakonisht”, tregoi e zonja e shtëpisë.
Para viteve 90 ishte i vështirë festimi i Pashkëve në Shqipëri. Megjithatë Prengu tregon se i gjenin format dhe mënyrat e riteve të bekimit të bukës.
“Uji është i bekuar që kur del nga bekimi. Të gjithë merrnin ujin në shishe dhe e përdornin dhe për fëmijët. Në atë kohë nuk e kemi festuar. Vinin spiunat mbrapa”, tha Prng Doku.
Preng Doku që në moshën 10 vjeçare ka shërbyer si ndihmës në kishë. Ai është njohur edhe me Imzot Ernest Troshanin.
“10 vjeç i kam ndihmuar priftit. I kam ndihmuar dhe Arqipeshvit të gjithë Shqipërisë. Kur jam kthy prej ushtrisë nuk e kam gjetur. Më vonë dolën disa dëshmitarë. Kur u hapën kishat dhe xhamiat bëri meshën e parë matanë ‘Drinit’ dhe kam shkuar e kam takuar. E kam takuar. Për momentin nuk më njohu. Kur i thash jam Preng Doku, ju mbushën sytë me lot dhe më përqafoi”, tregoi Prenga.
Pashkët kanë shënjuar edhe jetën e çiftit Doku. Prengu ka kërkuar dorën e Dranes të nesërmen e kremtimit të festës së rëndësishme.
“Të hënën e parë të pashkëve i kam çuar shenjë gruas”, tha Prenga.
Besimtarët katolikë mbajnë kreshme për 40 ditë. Ato fillojnë të Mërkurën e Përhime deri të Dielën e Pashkëve dje kufizojnë ngrënien e disa ushqimeve. 40 ditët përkujtojnë 40 ditët e kaluara në shkretëtirë të Krishtit në lutje e agjërim. Gjithçka është gati në këtë vigjilje pashkësh. Besimtarët katolikë i janë drejtuar kishës për të marrë bekimin e ushqimeve. Në shportën me ushqime që do të përmbajë tryeza e së dielës së Pashkës, ku nuk mungon Buka e Pashkës, një shishe vere, pak djathë dhe hudhra të njoma që simbolizojnë ardhjen e pranverës si dhe veza e kuqe, simboli i ringjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes. Festimet e Pashkëve nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës. Të gjithë mblidhen rreth tryezës nën refrenin e kësaj dite festive që është: “Krishti u ngjall, vërtet u ngjall”.