SPECIALE/ Tirana e 102 viteve histori dhe kryeqytet modern, shkrimtari Bedri Alihmehmeti: Qyteti ka humbur fizionominë arkeologjike, duhet të ketë muzeun e tij

10 Shkurt 2022, 21:57| Përditesimi: 10 Shkurt 2022, 22:08

  • Share

Kryeqytetet kanë historitë e tyre, Tirana është kryesisht shembulli i zhbërjes të së shkuarës.

Dikur me rrugë me një kalldrëm të bukur qindravjeçar, si kjo vilë me arkitekturë romake ka disa të tilla që kanë mbetur nga rrugët historike të Tiranës së vjetër.

Vila e intelektualit Xhimi Begeja, ndodhet sot përballë shkollës së Muzikës dhe është një prej atyre pak godinave dykatëshe që njihej në Tiranën e sapo shpallur kryeqytet në shkurt të vitit 1920, si shtëpia e luleve.

Emërtimi i saj u harrua me ardhjen e sistemit komunist, kur kjo vilë u kthye në një shtëpi torturash për të hetuarit e asaj periudhe.

E ndodhur mbi 110 metra mbi nivelin e detit, Tirana u themelua si qytet i Shqipërisë në vitin 1614 në fshatin Mullet, kur me qeverinë e Sulejman Pashë Bargjinit filloi të krijohej bërthama e parë fizionomike e një qyteti me një xhami, furrë dhe disa dyqane .

Të shkruante një libër për Tironsit e vjetër për të ishte një ndër dëshirat e kahershme për të ringjallur, gjithçka i mungon dhe mbetur nga qyteti antik autokton që veç historisë një shekullore ruan me vete dhe kujtimet e nostalgjinë e njerëzve të traditës.

Lindur në tetor të 1945 në një familje me tradita e zakone tiranase atdhetare, dikur gazetar i sportit, sot shkrimtar, Bedri Alihmehmeti sjell për Report TV një pjesë të historisë së vendlindjes, ku ndërtoi jetën dhe karrierën e tij.

“Shumë veta e konfnodojnë historinë mbi Tiranën vetëm në 1614, që rezulton sipas legjendës në formë gojëdhëne qe Sulejman Pashë Bargjini arriti të ndërtojë, Tiranën. Ndërtoi një xhami, një furrë buke aty ku është monumenti i “Partizanit të panjohur”, dhe një hamam. Njerëzit i referohen kësaj date. Në dokumentet e Venedikut rreth vitit 1437 rezulton të jetë përmendur Tirana. Është shumë e lashtë Tirana”, thotë Alimehmeti.

Veç dokumenteve në formë të shkruar, dëshmi në formë kujtimesh e gojëdhënash Bedri Alimehmeti i sjell nga gjyshi i tij, dëshmitar i kohës kur Tirana u bë kryeqytet.

“Tirana, më 11 shkurt 1920 u bë vetëm de facto kryeqytet i Shqipërisë, sepse qeveria që doli me Sulejman Delvinën nga Kongresi i Lushnjës, la Lushnjën  e u nis për të shkuar në Durrës. Durrësin e kishin forcat italiane, ishte dhe qeveria e Esat Pashë Toptanit që e ndaloi. Ishin momente të vështira për Shqipërinë, ata ndaluan në Goc të Kavajës, por nuk kishte godina të përshtatshme për Ministritë. Ata nisin një dërgatë përfaqësuesish në Tiranë. Ministri i Punëve të Brendshme të asaj qeverie ishte Ahmet Zogu, që më vonë u bë Kryeministër e më pas mbret. Sipas gojëdhënave, Ahmet Zogu niset për në Tiranë me një grup përfaqësuesish në Tiranë dhe Toptanasit në atë kohë u liruan shumë nga godinat, zyrat. U deshën 5 vjet, që Asambleja Kushtetuese në 31 Janar 1925, që kishte dalë nga zgjedhje vendosi që Tirana të jetë edhe ‘De Jure’, kryeqytet i Shqipërisë”, thotë shkrimtari.

Gjurmët e vjetra të Tiranës i përkasin shek III-të të erës sonë, prej kur i vetmi monument arkeologjik i mbetur brenda territorit të qytetit, për Alimehmetin është Mozaiku i Tiranës një nga ato pak zbulime të hershme të kryeqytetit që ka arritur t’i mbijetojë kohërave.

“Aty është një vilë romake, që i përket shek të III-të dhe të IV-ët të erës sonë. Nga punimet e kërkimet që janë bërë aty rezultojnë të jetë zbuluar nga ky mozaik, vetëm 1/3, janë pa zbuluar ende dhe 2/3. Më vjen që kohët e fundit Ministria e Kulturës, ka treguar një interes për Mozaikun dhe ka caktuar një grup pune që po punon, për ta zgjeruar akoma sepse aty janë rrënojat arkeologjike”, u shpreh Alimehmeti.

Objektet që numëronte Tirana, në atë kohë janë rrugicat me kalldrëm, oborret dhe lagjet më të vjetra tiranase mes tyre xhamia e Et’hem Beut dhe kisha e vllehëve në qytet.

“Kulla e Sahatit ka një histori. Haxhi Et’hem Beu nuk e mbaroi dot vetë xhaminë pastaj e mbaroi i biri. Fillimisht, ka qenë vetëm ora më pas Kulla e Sahatit” , shprehet Alihmehmeti.

Gjurmët e osmanëve ruhen ende në sarajet e Toptanëve. Ndryshimi rrënjësor i ndodhi me arkitekturën italiane, kur Tirana filloi të merrte përmasat e një qyteti më të modernizuar perëndimor.

“Në atë inkursionin që bëri Ahmet Zogu që shkoi i kërkoi tiranasve që të bëhej kryeqytet.  Dhe vërtet ai e mbajti fjalën. Bulevardi i Tiranës u ndërtua në vitin 1931 dhe doli ajo shprehja e famshme ‘Një Bulevard pa qytet’. Pastaj, filluan të bëheshin ndërtesa, u bë materniteti dhe objekte të tjera”, vijon ai.

Plani i parë rregullues i qytetit nisi në vitin 1923, me arkitektët dhe inxhinierët austriakë të cilët i dhanë një zhvillim tjetër Tiranës.  Këtë ide në ’24-ën e vijoi arkitekti italian Armando Brasini nga Roma, me hapjen dhe zgjerimin e rrugëve kryesore të qytetit. 

Rruga e Dibrës e mori këtë emër zyrtarisht pas viteve 90.

Për banorët e kryeqytetit ajo njihej si rruga Broduej. Në të dy anët e rrugës kishte vila të stilit italian dhe pas viteve 60 u ndërtuan dyqane, berberhane, rrobaqepësi, hotel, birrari, farmaci.

Shpjegimet për emrin e rrugës Bedri Alimehmeti i ka detajuar në librin  “Tirana Broduej”. Sipas tij emri “Broduej” mund të jetë ideuar nga gjimnazistët e “Sami Frashërit” në fillim të viteve ‘60, nisur nga një libër me letërsi amerikane, përkthyer nga Vedat Kokona, ku në kopertinën e tij është vendosur “Një natë në Broduej”. Djemtë e rinj uleshin bordurave duke kundruar vajzat që shëtisnin përgjatë kësaj rruge.

Të gjitha këto kanë mbetur vetëm në kujtesën e të rinjve nostalgjikë si Bedriu, pasi filluan prishjet për ti hapur vend ndërtimit të 15-katëshit.

Me keqardhje tiranasi Alihmehmeti flet për zhdukjen e pazarit të vjetër.

“Tani pothuajse nuk ekziston me thënë të drejtën. I pari ‘Pazari i vjetër’ i Tiranës ka qenë një kryevepër, një pazar mesjetar me vlera te jashtëzakonshme. Unë kam ndjerë keqardhje kur e kam gjetur atë pazar në Nikosia të Qipros se kam lëvizur me ekipet e mia sportive në udhëtimet e mia. Po ai ishte vetëm ¼ e atij pazarit që ka pasur Tirana. Ndjeva keqardhje sepse ai u prish për hir të miqësisë Shqiptaro-sovjetike. Po të restauroheshe ai do të ishte një atraksion për të gjithë turistët e botës”, thotë Alimehmeti.

Hotel Vjosa, u shkatërrua më 23 shkurt 2019, pas kërkesës për zgjerim të rrugës dhe krijimin e hapësirave të reja.

“Ka qenë dhe Hotel Vjosa që i themi. Ai u shemb u rrafshua. Madje mua më erdhi keq pasi ka qenë vepër e arkitektit Spiro Koleka. Ka qenë një punë diplome e atij. Ka qenë një godinë vërtet shumë interesante”, vijon ai.

“Rruga e Dibrës, ka qenë me kalldrëm të zi, gurët ishin të zgjedhur kastile ishin shumë të bukur. Italianët thonë e kanë asfaltuar sepse aty rrëshqitshin mushkat. Ajo po të gërmohet jo më shumë se një metër del aty rruga origjinale, që është vërtet një kryevepër", thotë shkrimtari. 

RRUGËT E VJETRA TË TIRANËS

Ndër rrugët më të vjetra të Tiranës është edhe ajo e “Kavajës”. Gjatë viteve 1920-1930 ajo pësoi zhvillimin më të rëndësishëm me hartimin e planeve urbanistike.

Nga planet kryesore urbanistike, ishte edhe projekti i realizuar nga arkitekti Kholer, në 1928 i cili parashikonte edhe se ku do të vendoseshin vilat.

“Në këtë zonë që jemi ne quhet ‘Lagjja e re’ e Tiranës. Aty është shtëpia e familjes Farka. Kjo është rrënuar nuk banon asnjeri. Ai miku që ka pas banuar këtu ka emigruar në Kanada”, tha ai.

Sipas planeve italiane, vilat nuk duhet të ishin më shumë se dykatëshe.

Në hyrje të rrugës “Kont Urani”, vila me nr.8  e njohur si “Kuplaraja” apo “Hoteli i Italianëve”  u ndërtua në 1928 e mbahet mend dhe për funksionin e saj si shtëpi publike.  Kjo vilë është e fundit e një serie prej 3 objektesh edhe pse mbajnë statusin Monument Kulture, të kategorisë së dytë, sot ndodhen në gjëndje të braktisur.

Por, sot kushdo që kalon përbri tyre dhe kthen kokën, gjen një copëz nga Tirana e vjetër e harruar.

RADIO TIRANA HISTORI

“Ndërtesa e bukur “Radio Tirana” e vjetër. Ajo ka qenë pronë e familjes së vjetër tiranase, Kallçiu. Pasi u bë Radio Televizioni Shqiptar ajo ndërtesë u bë disa kohë Instituti i Folklorit. Pas viteve ‘9,  ajo ka mbetur për fat të keq e rrënuar. Ajo është një ndërtesë historike për të thënë të vërtetën”

‘Radio Tirana”, funksionale deri në vitet 2000 ishte një prej atyre godinave të stilit neoklasik historiku i së cilës starton në 1938. Qendra e saj ishte fillimisht në Bashki për t’u transferuar në vitin 1939 në një ndërtesë të re në rrugën “Kont Urani”. Dëshmitë e gojëdhënave tregojnë se në ceremoninë e inaugurimit të Radio Tiranës, morën pjesë vetë Mbreti Zog dhe Mbretëresha Geraldinë.

“Aty lindi edhe Festivali i parë i Këngës. Ka qene Abdullah Grimçi dhe Vath Çangu kompozitorët. E nisën e krijuan si një koncert dhe sot e kësaj e ditë vazhdon si festival. Në gjuhën e Sanremos e krijuan atë festival. Unë kam pas fatin që të jem për herë të pare në moshën 17 vjeçare që të shoh festivalin e Radiotelevizonit”, vijon shkrimtari.

RRUGA E DURRËSIT, KAFE KURSAL DHE KAFE FLORA

Në mbi 100 vite histori kur me vendim të qeverisë së Kongresit e Lushnjës, Tirana u shpall Kryeqytet i Shqipërisë, një rruga e vjetër që realizonte lidhjen e pjesës lindore të territorit me atë perëndimore ishte edhe ajo që njihet sot si “Rruga e Durrësit”.

E ndryshuar disa herë në emërtim gjatë periudhës së monarkisë, kjo rrugë u quajt  “Nana Mbretëreshë”,  në kohën e pushtimit italin njihej si “Princi i Piemontit,  ndërsa gjatë diktaturës, rruga “Kongresi i Përmetit”.

“Kjo ka qenë rruga e vjetër e Durrësit që të çon për Durrës. Se emërtimet që ka marrë Rruga e Kavajës, Rruga e Dibrës, rruga e Elbasanit të gjitha këto kanë ardhur si rezultat i rrugës me karvane që bëhej. Në mesnatë nga sheshi Skëndërbej, në një fushë tregtarët binin mallrat e tyre dhe niseshin karvanet për në Durrës, Kavajë etj”, thotë Alimehmeti.

Një pikëtakimi dhe epiqendër e rëndësishme për intelektualët e kohës,  deputetët, ministrat, tregtarët e huaj dhe vendas dhe aktivitete të ndryshme si ekspozita e parë të artit etj në Tiranën aristokrate të viteve ’30 ishte dhe kafja me emrin “Kursal”.

Njëkatëshe, me dy kulla në pjesën perëndimore, të stilit japonez vendosur aty ku kryqëzohen rrugët e Durrësit dhe Kavajës, kur ecën drejt sheshit Skënderbej kjo kafe u ndërtua me urdhër të mbretit Zog, në 1 shtator 1929. Kjo hapësirë urbane sot është zëvendësuar nga ndërtime shumëkatëshe.

Shumë pranë të njëjtës zonë në po këtë rrugë, vendi ku qytetarët, çiftet dhe rinia e Tiranës do të shijonin edhe ëmbëlsirat e preferuara ishte një  prej lokaleve më më emër që e kemi ende sot “Kafe Flora”. Edhe pse emërtimi I saj thuhet erdhi pas fabrikës së Cigareve, kjo kafe u kthye për vitë në frymëzimin e shumë shkrimtarëve si: Xhevahir Spahiu, Ismail Kadare  në romanin e tij “E penguara”.

RRUGA E SHKODRËS

Një rrugë tjetër e vjetër që bënte të mundur lidhjen e veriut me jugun është ajo e Shkodrës. Sot kjo rrugë nuk është ruajtur, megjithatë gjurmët e vjetra të saj mund të lexohen në qytet nën emrin “Don Bosko”.

“Rruga e Shkodrës, është sot rruga ‘Don Bosko’ që i thonë. Në vitin në 1992, kur ka qenë Kryetar Bashkie Sali Kelmendi. Nuk e di si u la dhe u ndërtua një kishë dhe ka mbetur sot e kësaj dite rruga ‘Don Bosko’ për fat të keq. Ajo rrugë të çonte për në Shkodër, shkonin karvanxhinjtë, tregtarët dhe transportonin mallra. Flas që shekuj më përpara. Do vinte treni ekspres, orient ekspres do vinte edhe në Shqipëri ky ishte një projekt austriak”, thekson ai.

Me fundin e Luftës së II-të Botërore bashkë me qeverinë komuniste në pushtet erdhi dhe një influencë sovjetike, me plan urbanistik të vitit 1957 ku u ndërtuan blloqe pallatesh dhe ndërmarrje industriale si Kombinati i Tekstileve “Stalin”.

Në rrafshin historik plani urbanistik që rezistoi deri ne vitet 2000 sidomos për rrjetin rrugor ishte ai i vitit 1990.

Plani i Ri urbanistik  “Tirana 2030” është ai, që prezanton konceptin e një peizazhi kulturor, social dhe gjeopolitik përmes veprës së arkitektit italian Stefano Boeri.

Sot banorët e vjetër të kryeqytetit nuk i gjejnë më shtëpitë me qerpiç, rrugicat e ngushta, pemët frutore dhe caracët në oborre.

Gjithçka u ka mbetur janë disa vila të vjetra, Kalaja e Tiranës, Akademia e Shkencave e  Teatri i Kukullave, ngritur nga shteti shqiptar në 1926.

Janë disa nga pak objektet me vlerë që ruajnë ende memorien e pazhbërë të kryeqytetit tonë historik, Tiranës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?