Dashnor Dervishi ish ambasador i Shqipërisë në Itali, rrëfen takimin emocionues me Nënë Terezën dhe vizitën e saj të parë në Shqipëri në vitin 1989, kur ende komunizmi nuk kishte rënë. Ai flet për negociatat e vështira diplomatike dhe pse e pranoi më në fund qeveria komuniste vizitën e saj në atdhe. Kush ishte Nënë Tereza dhe fjalët e fundit të saj si mesazhe themeltare për të pasur një botë më të mirë.
Nënë Tereza gruaja më e nderuar në botë, e cila për krenarinë tonë është shqiptare, kishte shprehur dëshirën e saj të zjarrtë që para se ta lërë këtë botë apo të mos ketë mundësi për të lëvizur për shkak të moshës së saj të avancuar, të puthte tokën e Shqipërisë, aq e dashur për të, si dhe të lutej mbi varrin e të parëve të saj.
"A është e mundur të më realizohen këto dy kërkesa?"- shkruan ajo në letrën dërguar ambasadës shqiptare në Romë, ku ambasador ishte Dashnor Dervishi, një nga personalitetet më të njohura të diplomacisë shqiptare, i emëruar ambasador i Shqipërisë në Itali në vitin 1988 deri në vitin 1992.
Ai ka hyrë në histori edhe si ambasadori i fundit i Shqipërisë komuniste në vendin fqinj.
Në Romë, Dashnor Dervishi ishte njohur me një nga miqtë e hershëm të ambasadës, profesorin e vjetër arbëresh Giuseppe Catapano.
Ishte ai që ia përmendi i pari emrin e Nënë Terezës, një murgeshë katolike shqiptare, e cila kishte krijuar një nga komunitetet më të mëdha të shërbimit ndaj të varfërve në gjithë botën.
Me Giuseppe Catapanon, Dashnor Dervishi ngriti ura të reja diplomacie sesi mund ta bënte të mundur vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri. Të gjitha përpjekjet e tij i ka publikuar në librin "50 vjet marrëdhënie me jashtë", kushtuar Nënë Terezës.
Lutjet e herëpashershme të Nënë Terezës për të ardhur në vendin e saj arkivoheshin si dokumente tepër sekrete, dhe si përgjigje vinte heshtja totale e Tiranës zyrtare dhe udhëheqjes së lartë komuniste të asaj kohe, me në krye Ramiz Alinë e Nexhmije Hoxhën, të cilët me justifikime të ndryshme e penguan ardhjen e saj në Shqipëri dhe e lejuan vetëm në saj të presionit të madh ndërkombëtar!
Mbas shumë negociatave diplomatike dhe hapave të hedhura me kujdes merr një rëndësi të veçantë mënyra e përcjelljes së informacionit në Tiranë. Argumente që duheshin përdorur dhe mendim i ambasadorit do të shërbenin si bazë e rëndësishme për ta bërë vendimmarrjen sa më të lehtë e më të shpejtë.
Në vitin në vitin 1989, ëndrra e Nënë Terezës u bë realitet. Ajo preku tokën e ëndërruar shqiptare.
Dashnor Devishi, diplomat karriere, i cili ka qenë më parë ambasador në Meksikë, e më pas në Itali, pastaj ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Izrael, post të cilin e mbajti deri në vitin 2003, por edhe në shtete të tjera, do të ishte shoqërues i Nënë Terezës për në Shqipëri së bashku me Dom Gjergj Gashin, mik besnik i shenjtores.
Gjatë viteve të fundit të luftës së ftohtë, selia e shenjtë filloi të merrte një rol të rëndësishëm si një nga qendrat kryesore të vendimmarrjes botërore. Papa Gjon Pali i dytë kishte ndërmarrë një aksion të fortë politik dhe diplomatik kundër komunizmit dhe konsiderohet si një nga faktorët e rënies së sistemit komunist, faktor që mundësoi edhe ardhjen e Nënë Terezës në atdheun e saj.
Në dhjetor të vitit 1980 Papa Vojtila për herë të parë në urimin e Vitit të ri bëri urimin edhe në gjuhën shqipe.
Pas takimit të parë komunikim i Dashnor Dervishit me Nënë Terezën nuk u ndërpre. Takimet me të u bënë të zakonshme, takime që shoqëroheshin me bekimin e saj
Nënë Tereza bëri disa vizita në Shqipëri mbas ndryshimeve ligjore për lirinë e praktikimit të besimit dhe për veprimtarinë e institucioneve fetare. U bë e mundur edhe hapja e shtëpive për misionaret bamirëse të në vitin 1991.
Nënë Tereza vdiq më 6 shator 1997. Më 19 tetor 2003, papa Gjon Pali II shpalli lumturimin e saj dhe më 4 shtor 2006 u bë edhe shenjtërimi i Nënë Terezës. Tashmë ajo është Shën Tereza e Kalkutës.