Kryeparlamentarja Spiropali: Procesi i negociatave do forcojë më tej shtetin e së drejtës! Shqipëria 2030 në BE, plan i arritshëm

4 Nëntor, 12:35| Përditesimi: 4 Nëntor, 12:42

  • Share

1730720353_Elisaspiropali.JPG

Kryetarja e Kuvendit, deklaroi se procesi i negociatave dhe, më pas, anëtarësimi në Bashkimin Evropian, do të mbështesë më tej demokratizimin dhe forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Këtë e bëri me dije ditën e sotme teksa përshëndeti çeljen e edicionit të 9-të të Shkollës së Integrimit Europian, që organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Evropian, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian, Fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” (OSFA) dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung”.

Kryeparlamentarja theksoi se anëtarësimi i Shqipërisë në BE në vitin 2030, është një plan ambicioz, por plotësisht i arritshëm.

“Plani i Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë. Ky plan synon të forcojë zhvillimin ekonomik, të ndërtojë infrastrukturën lidhësë kombëtare dhe rajonale, dhe të ndihmojë në zbatimin e reformave të nevojshme për integrimin tonë në tregun e vetëm të BE”, theksoi Spiropali.

Kryeparlamentarja tha se pavarësisht fidave që shoqërojnë procesin e integrimit në BE, për shqiptarët Europa nuk ka qenë veç zgjidhje, por e vetmja zgjedhje.

“Me shqiptarin e sotëm, atë të djeshmin dhe shqiptarin e nesërm, bëhesh hasëm nëse i flet kundër Europës. Sepse Europa për ne nuk është thjesht një zgjidhje. Europa për ne është e vetmja zgjedhje që duam dhe na duhet. Dhe kjo zgjedhje e vetme bëhet edhe më urgjente për të dy palët në kushtet kur jo larg nga këtu tashmë prej vitesh janë në zhvillim e sipër dy konflikte të frikshme, në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme. Këto janë arsyet se pse, pavarësisht ndryshimeve dhe armiqësive të pafundme që prodhon nervi i zbuluar i politikës së ditës në vend, integrimi evropian i Shqipërisë është objektivi ynë strategjik kombëtar më i rëndësishëm. Për individin dhe shoqërinë. Për secilin institucion legal dhe moral të këtij vendi. Ndaj nuk them asgjë të re nëse ripohoj se integrimi evropian është prioritet absolut edhe i Kuvendit të Shqipërisë”, tha Spiropali.

Duke inkurajuar pjesëmarrësit për të përfituar sa më shumë nga mundësia dhe dhënë kontributin e tyre në procesin e negociatave, Spiropali nënvizoi se Shkolla e Integrimit Europian është një mbështetje profesionale, institucionale, komplementare e rolit të Kuvendit në procesin e integrimit.

Në përfundim Spiropali përgëzoi  punën e Kryetares së Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku dhe stafit të Sekretariatit teknik për organizimin e shkollës, si dhe falenderoi Delegacionin e Bashkimit Europian, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë dhe Fondacionin “Friedrich Ebert Stiftung” për mbështetjen e pakursyer për organizimin e edicionit të 9- të të kësaj shkolle.


Lajmi kryesor:

'Nuk ka kohë për t’u zvarritur', Gonzato: Rrisni ritmin e reformave, BE ju monitoron rigorozisht! Spiropali: Shqipëria 2030 në BE, plan i arritshëm


S.B/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?