MILANO - Bota e futbollit kthen vëmendjen këtë mbrëmje në "Giuseppe Meazza", aty ku me fillim nga ora 20:45 Interi pret Milanin në "Derbin e Madonninës". Sfida e javës së pestë në Serie A do jetë e 224 mes tyre në histori, me Interin që ka 85 fitore kundrejt 71 të Milanit. 67 ndeshje mes tyre janë mbyllur në barazim. Sa i takon formës aktuale, Milani është në alarm pasi një humbje ose rezultat negativ këtë mbrëmje do bënte që trajneri Paulo Fonseca të largohej nga stoli me vetëm pesë ndeshje në Serie A.
Statistikat
Interi ka fituar gjashtë derbet e fundit kundër Milanit në të gjitha turnetë, me rezultatin e përgjithshëm 14-2, një rekord absolut i fitoreve të njëpasnjëshme për zikaltrit kundër kushërinjve. Në përgjithësi, asnjë ekip milanez nuk ka arritur kurrë shtatë suksese radhazi në historinë e “Derby della Madonnina” në të gjitha turnetë. Gjashtë radhazi gjithashtu për Milanin (dy herë, midis 1911 dhe 1913 dhe midis 1946 dhe 1948).
Ekipi i Simone Inzaghit ka fituar nëntë nga 14 duelet e fundit kundër Milanit në Serie A (2B, 3H): në periudhën (që nga 2017-18), vetëm kundër Udineses dhe Veronës (10 kundër të dyjave) zikaltrit kanë arritur më shumë suksese dhe vetëm kundër Genoas (31) dhe Sampdoria (30) kanë shënuar më shumë gola sesa kundër kuqezinjve (29).
Ekipi i Fonsecas ka fituar maksimumi pesë pikë në katër ndeshjet e para të luajtura në Serie A për herë të parë që nga viti 2018-19 (1F, 2B, 1H edhe në atë rast) dhe herën e fundit nuk e kapërceu pragun e pesë pikëve.
“Djalli” është skuadra që ka numrin më të madh të lojtarëve të ndryshëm që kanë shënuar në këtë Serie A: tetë, nga nëntë gola gjithsej. Në vendin e dytë Napoli (gjashtë) dhe në vendin e tretë Interi dhe Juventusi (nga pesë të dyja).
Mes trajnerëve që kanë luajtur më shumë se pesë derbi milanez në të gjitha turnetë, vetëm Arpad Vaiz (67%, 8/12) krenohet me një shkallë më të lartë suksesi se Simone Inzagi (64%, 7/11).
Në rast fitoreje, trajneri aktual i Interit do t’i bashkohej Helenio Herrerës dhe vetë Vaizit në vendin e 2-të ndër trajnerët më të suksesshëm në historinë e derbit milanez me tetë fitore në të gjitha turnetë, pas Carlo Ancelottit (10).
Para ndeshjes, Inzaghi u shpreh se fitoret në derbit e kaluara nuk vlejnë, ndaj duhet të jenë të përqëndruar në fushë.
"Kemi ende shumë për të dëshmuar. Sezoni sapo ka filluar, nuk duhet të mendojmë për derbet e kaluara sepse nuk sjellin pikë apo gola. Ne do të duhet të luajmë një ndeshje me vendosmëri të madhe sepse derbet shkojnë përtej parashikimeve dhe çdo detaj do të jetë thelbësor", tha Inzaghi.
Nga ana tjetër, Fonseca tha para derbit se janë në një situatë jo të mirë, por ndihen të bashkuar dhe ndjen se ka besimin e klubit.
"Ka zhgënjim të madh, por ne jemi të bashkuar për të dalë nga kjo situatë. Ekipi e kupton momentin, le të punojmë së bashku për të bërë më mirë. Zgjidhja është të punojmë. Gjithmonë kam ndier besim nga klubi në punën time. E kuptoj kuriozitetin kur Zlatan vjen këtu, por nuk flas për atë që i themi njëri-tjetrit", tha mes të tjerash portugezi.