Strategjia e re/ Ish-pronarët, ndryshimet në mënyrën e kompensimit

19 Korrik 2019, 08:04| Përditesimi: 19 Korrik 2019, 08:10

  • Share

Një sugjerim i ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, përfshirë në relacionin e Buxhetit Faktik 2018, që duhet të miratohet si ligj nga ana e Kuvendit të Shqipërisë, nxjerr në pah një strategji të re për pagesat që shteti duhet të bëjë për ish-pronarët në zbatim të vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Sipas ministrisë, në rast se Strasburgu merr vendime në lidhje me pretendime për pronat nga qytetarë shqiptarë, së pari duhet të kontaktohet Agjencia e Trajtimit të Pronës dhe më pas organet shtetërore duhet të negociojnë me fituesit e gjyqeve për të rënë dakord për pagesën me këste.

Strasburgu 

Vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) kanë të bëjnë me çështje të llojeve të ndryshme, si për shembull respektimi i ligjit për të drejtën e mbrojtjes nga një avokat gjatë gjykimit, të drejtën e respektimit të pakicave kombëtare, etj. Por  mbi të gjitha, ajo që e shqetëson shtetin shqiptar është prania e një numri shumë të madh kërkesash që lidhen me mosrespektimin e të drejtës së pronës, si e drejtë themelore dhe kushtetuese e njeriut. Jo rastësisht, në relacionin e Buxhetit Faktik, Financat lenë mënjanë të gjitha dosjet e tjera dhe venë theksin tek fakti që “Strasburgu kryesisht merret me çështje që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave tek ish-pronarët”.

Sipas Avokaturës së Shtetit, risqet financiare që burojnë nga vendimet e GJEDNJ-së janë të karakterizuara nga një aftësi e dobët parashikuese, përsa kohë që kjo Gjykatë nuk funksionon me një kalendar të përcaktuar për komunikimin e çështjeve dhe nxjerrjen e vendimeve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ve në dukje se ajo ka respektuar në vazhdimësi të gjitha vendimet e miratuara nga GJEDNJ, përmes likujdimit të VKM-ve respektive miratuar në mbështetje të tyre, me përpikmëri dhe brenda afateve strikte të përcaktuara prej këtij organi. Kjo, duke konsideruar faktin se kur pagesat nuk kryhen brenda afatit tremujor nga data kur vendimi përkatës merr formën e prerë, shteti shqiptar ngarkohet me pagesën e një kamatë-vonese për çdo ditë vonesë.

Ndërkohë, për garantimin e shlyerjes në kohë të këtyre vendimeve, MFE ka rekomanduar vazhdimisht përdorimin e të gjitha kanaleve të mundshme institucionale dhe proceduriale, brenda hapësirave që siguron kuadri ligjor në fuqi, duke sugjeruar që vendimet e GJEDNJ-së duhet të dërgohen fillimisht për zbatim në Agjencinë e Trajtimit të Pronës, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë për kompensim fizik të tyre, nëse kjo parashikohet nga vendimi i Gjykatës.

Nga ana tjetër, sugjerimi është që pjesa tjetër e detyrimit financiar të paguhet sipas mundësive të buxhetit të shtetit me këste, në negocim me përfituesit.

Procedurat

Gjatë vitit 2018, me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar tre VKM lidhur me vendimet e GJEDNJ-së, me një vlerë totale prej vetëm 3.800 euro (516.227 lekë), të cilat janë përballuar nga Fondi Rezervë i buxheti i shtetit i miratuar për vitin 2018. Ndërkohë, hyrja në fuqi më datë 30.12.2018 e ndryshimeve në ligjin “Për Avokaturën e Shtetit”, përmban një kre të veçantë dedikuar ekzekutimit të vendimeve të GJEDNJ-së, ku specifikisht në nenin 19/4 përcaktohen 2 mënyra ekzekutimi të shpërblimit: Vendimet me detyrim financiar mbi 10.000 euro, implikojnë nxjerrjen e VKM-ve respektive për ekzekutimin e tyre. Ndërsa vendimet me detyrim financiar deri në 10.000 euro, ekzekutohen drejtpërdrejtë nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas kërkesës zyrtare të Avokaturës së Shtetit.

Pronat

Më datën 23 shkurt 2019 ka përfunduar afati i vlerësimit të 24 mijë vendimeve përfundimtare të harkut të viteve 1993 – 2014, që kanë njohur të drejtën për kompensim nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave konform bazës ligjore në fuqi. Agjencia e Trajtimit të Pronave ka informuar subjektet e interesuara për mbylljen e procesit të vlerësimit financiar të vendimeve që kanë njohur të drejtën e kompensimit. Referuar ligjit në fuqi, brenda një afati 3-vjeçar nga hyrja në fuqi e ligjit dhe sipas përcaktimeve të tij, ATP-ja, vlerëson vetëm financiarisht, të gjitha vendimet përfundimtare të pavlerësuara që kanë njohur të drejtën e kompensimit.

Nëse ATP-ja nuk përmbush brenda këtij afati 3-vjeçar detyrimin, subjektit i lind e drejta t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë për të kërkuar vlerësimin financiar, sipas përcaktimeve të këtij ligji.

Aktualisht janë mbi 16 mijë dosje, të cilat kanë mbetur pa përgjigje.

Kompensimi fizik, në rast se parashikohet nga vendimet e Strasburgut, do të kryhej nëpërmjet dhënies së pronave që janë tashmë në dispozicion për këtë qëllim. Tokat që janë caktuar me VKM për kompensim fizik të pronarëve, aktualisht përfshihen në 23 mijë parcela, me sipërfaqe të përgjithshme 23 mijë ha tokë. Por kryesisht fjala është për toka të refuzuara, në pyje e male, që nuk plotësojnë kriteret e kompensimit të drejtë.

Kanë qenë 10.000 dosje që nga pronarët, konform kërkesave të ligjit, kanë depozituar pranë zyrave shtetërore të Agjensisë së Pronave qysh nga viti 2008. Në këto dosje pronarët kishin kërkuar për kthim ose kompensim rreth 4.200 ha tokë truall dhe 144.000 ha tokë bujqësore. Këtyre dosjeve të vjetra, në vitin 2015 iu shtuan edhe 6.000 dosje të tjera. Nga viti 2015, deri më 23 shkurt 2019, agjencia ka dhënë vendime për afro 9.600 dosje. Por pronarët pretendojnë se asnjë vendim nuk ka qenë në facor të kërkesave të tyre.

Më 2018 shteti shqiptar pagoi 3.2 mln € për përfaqësim në Arbitrazh

Sipas relacionit të Buxhetit Faktik 2018, vitin e kaluar janë paguar për përfaqësim juridik në gjykata të huaja të arbitrazhit 3.2 milionë euro. Në pjesën më të madhe, efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtyre vendimeve janë përballuar nga buxheti i vetë institucioneve buxhetore (kryesisht ministri linje), të cilat kanë qenë edhe palë e paditur në gjykimet respektive. Ndërkohë që, në rastet kur palë e paditur cilësohet ‘shteti shqiptar’ apo ‘qeveria shqiptare’, këto vendime janë likuiduar përmes buxhetit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë ose Fondit rezervë të buxhetit të shtetit.

Për vitin 2018, vlera totale e shpenzimeve për përfaqësim në Arbitrazh të paguara nga buxheti i shtetit rezultoi në masën rreth 389.8 milionë lekë.

Nga këto: 287.3 milionë lekë, për Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen në çështjet e arbitrazhit ndërkombëtar.

80.3 milionë lekë të tjera kanë qenë për Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen në gjykatat italiane.

22.1 milionë lekë për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për pagesën e shërbimeve juridike për përfaqësimin dhe mbrojtjen në gjykatat italiane.

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pronari i ligjshem: 19/07/2019 09:10

    Pse flisni kodra mbas bregu merrjani pronat gjyqtareve dhe prokuroreve te korruptuar qe i kane pronat gjoja te trasheguara nga prinderit apo gjoja dhurata dhe jepjani pronareve dhe mos u tallni duke i kimpesuar me 20% te vleres se tyre dhe pjesen tjeter me pyje toka dhe kullota sikur edhe ato te jene mall pa zot.

    Përgjigju
  • andi: 19/07/2019 09:05

    vendimi i strazburgut eshte i formes se prere dhe duhet zbatuar aty per aty. pak se ky shtet me ka mbajt per vite, ne forme te padrejte pronen pa me paguar dhe qirane, duke ma sekuestruar dhe tjetersuar, dashka te mi ktheje leket si lek k..vash. so si vjen turp xhanem qe veprojne ne dem te qytetareve te vet dhe kur arbitrazhi nderrkombetar vendos.

    Përgjigju
  • ledi: 19/07/2019 08:43

    Ktheni pronat e lira pronareve!! Me kete shtrese eshte bere tallja me e madhe!!!100 shpikje sa u bene 30 vjet dhe ....mendoni seriozisht..

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?