Sociale

Studentët kthehen nesër në auditorë, një grup të rinjsh paralajmërojnë prostestë kundër vaksinimit me detyrim! Hoxha dhe Kushi: Vaksinohuni

17 Tetor 2021, 13:55| Përditesimi: 17 Tetor 2021, 23:11

  • Share

Një ditë para nisjes së vitit të ri akademik, rektori i Universitetit të Tiranës Artan Hoxha u ka bërë sërish thirrje studentëve të tregohen të kujdesshëm dhe të zbatojnë masat anti-COVID, për një vit sa më të qetë.

“Pas shumë vështirësive të shkaktuar nga virusi COVID-19 ne po kthehemi në auditorë për të vijuar mësim normalisht, një vendim i vështirë por i duhur me bindjen e plotë se ju do të tregoni përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë maksimale për të vazhduar procesin e vaksinimit dhe zbatimin e masave të tjera mbrojtës ndaj virusit”, u shpreh Hoxha.

Rektori gjatë fjalës së tij, i ka bërë thirrje të gjithë studentëve t’i drejtohen pikave të ngritura të vaksinimit pranë Universitetit të Tiranës.

“Mbarëvajtja e këtij viti akademik do të varet shumë nga sjellja jonë në raport me masat mbrojtëse ndaj ju drejtohem të gathëve për të qenë të kujdesshëm në respektimin e këtyre masave. Përpara jetës, asgjë tjetër nuk ka rëndësi. Ju bëjë thirrje t’i drejtoheni qendrave të vaksinimit të ngritura në çdo njësi kryesore të Universitetit të Tiranës, bashkë do ia dalim”, tha ai.

Ishte parashikuar që viti i ri akademik të niste më 11 tetor, por me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, u përcaktua data 18 tetor, dhe kjo me qëllim vaksinimin masiv të studentëve.

Ora 21:13
Nesër nisin universitetet, një grup të rinjsh paralajmërojnë protestë kundër vaksinimit me detyrim, marshim drejt kryeministrisë

Nesër pritet të nisë viti i ri akademik, teksa në rrjetet sociale është shpërndarë një poster ku bëhet thirrje për protestë.

"Studentë të pavaksinuar që nuk doni të shpoheni me diçka që nuk e dini çfarë është dhe çfarë efektesh afatgjata ka. Nëqoftëse nuk lejnë të huni në auditorë, nëqoftëse nuk ia dilni të futeni në shkollë duke bllokuar bashkërisht dyert, protestë të hënën në orën 10:00-11:00 në sheshin "Nënë Tereza" dhe në orën 11:00 marshim drejt kryeministrisë", shkruhet në poster.

 

Ora 18:42
Nesër studentët kthehen në auditorë, Ministria e Arsimit: Vaksinohuni, qëllimi nuk është të nxjerrim vetëm shkencëtarë por edhe qytetarë

Me rastin e nisjes së vitit të ri akademik ditën e nesërme, ministrja e Arsimit Evish Kushi i ka uruar të gjithëve një vit të mbarë, ndërsa i ka bërë sërish thirrje studentëve të pavaksinuar.

Në fjalën e saj përmes rrjetit social Facebook, Kushi është shprehur se fillimi i këtij viti akademik u bë i mundur falë efekteve pozitive të fushatës masive të vaksinimit, por edhe falë një ndërgjegjësimi më të lartë personal dhe kolektiv për të respektuar protokollet e institucioneve shëndetësore.

Ministrja është shprehur se vaksinimi është i nevojshëm, pasi universitet nuk formojnë vetëm shkencëtarë por edhe qytetarë të një shoqërie.

Fjala e plotë:

Të dashur studentë dhe pedagogë,

Dëshiroj t’ju uroj të gjithëve me zemër për fillimin e një viti të mbarë e të suksesshëm akademik!

Ky fillim viti është një moment veçanërisht i rëndësishëm për të gjithë ne, sepse përkon pikërisht me fundin e emergjencës së një pandemie që na detyroi të heqim dorë dhe të sakrifikojmë shumë gjëra prioritare të jetës sonë. Por së bashku ne ia dolëm që të përshtatemi në kohë rekord me kufizimet dhe kushtet e reja. Madje edhe në muajt më të vështirë të krizës ne nuk qëndruam në pritje, por kemi kërkuar të gjitha mënyrat e mundshme se si të vazhdonim përpara me leksionet, seminaret, konferencat e çdo aktivitet tjetër pjesë e kurrikulave universitare.

Fatmirësisht, sot falë efekteve pozitive të fushatës masive të vaksinimit, por edhe falë një ndërgjegjësimi më të lartë personal dhe kolektiv për të respektuar protokollet e institucioneve shëndetësore, më në fund ne po e nisim vitin e ri akademik me prezencë fizike në auditore.

Jam e kënaqur që universitet tashmë i kanë marrë të gjitha masat e duhura dhe ju nesër do të gjeni një mjedis edhe më të ngrohtë e mikpritës nga ai që latë përpara fillimit të pandemisë, jo vetëm auditore dhe rezidenca studentore të rikonstruktuara, por edhe stafe akademike të motivuar dhe plotësisht në dispozicionin tuaj.

Prandaj, më lejoni edhe një herë që të ftoj të vaksinohet secili prej jush që nuk ka patur mundësi deri më tani. Sepse ne besojmë që universiteti nuk formon vetëm profesionistë apo shkencëtarë të fushave të ndryshme, por formon qytetarët e një shoqërie, të cilët mësojnë të jenë anëtarë të një komuniteti duke respektuar të drejtat e njëri-tjetrit. Dhe kjo është e pamundur të realizohet duke qëndruar përpara ekranit të një kompjuteri apo telefoni celular, por vetëm nëpërmjet ndërveprimit me pedagogët tuaj, kolegët dhe duke u parë sy me sy me njëri-tjetrin.

Ky vit do të jetë një sfidë e re edhe për shkak të objektivave madhorë që kemi vendosur së bashku me universitetet tona për rritjen e cilësisë së arsimit të lartë, në bashkëpunim të ngushtë edhe me universitetet më të mira dhe  prestigjoze europiane dhe botërore. Po ashtu ne do të punojmë intensivisht për të përmbushur edhe çdo angazhim tjetër me qëllim që diplomat tuaja të kenë sa më shumë vlerë dhe integrimi juaj në tregun e punës të jetë sa më i shpejtë.

Pas sakrificave të jashtëzakonshme të vitit të kaluar, unë jam sot besimplotë që ju do të dini ta ktheni këtë vit në një përvojë unike të jetës suaj universitare. Ju rikujtoj që pjesa më e madhe e pasurisë së vërtetë që kemi, jo vetëm njohuritë por edhe marrëdhëniet, miqësitë, madje dhe ndjenjat që i mbartim gjatë gjithë jetës tonë, fitohen në auditoret, bibliotekat, korridoret dhe të gjitha mjediset universitare.

Fillim të mbarë të vitit të ri akademik!

Përqafime,

Evisi

J.GJ.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?