Studentët të pakënaqur nga tarifat e shkollimit/ 'Na i përgjysmoni, e pamundur pagesa në këtë situatë’

30 Shtator 2020, 12:32| Përditesimi: 30 Shtator 2020, 14:44

  • Share

Studentët e Universitetit të Juridikut kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me pagesën e tarifës studentore per vitin akademik 2019-2020. Ata shprehen se e kanë të pamundur të paguajnë tarifën sepse familjet janë pa punë dhe kriza ka prekur edhe ekonominë e tyre. Përveç tarifës për shkollën, studentët kërkojnë edhe përgjysmimin e pagesës për konviktet. Në një intervistë në ‘’ Rreze Dielli’’ ishin të ftuar disa studentë, Marash Logu ishte një ndër to, i cili ngriti një sërë problematikash që kanë prekur arsimin shqiptar dhe që po ndikojnë tek studentët ku kryesore mbetet përgjysmimi i tarifave duke u shprehur se ka disa arsye që kanë çuar në këtë ‘revoltë’:

‘’ Gjendja e pandemisë Covid-19 nga periudha e marsit deri në qershor e bllokoi të gjithë aktivitetin e shoqërisë , të gjitha bizneset ose reduktuan aktivitet e tyre ose u mbyllën dhe kjo solli një sërë vështirësish për familjet shqiptare, vështirësitë ekonomike që ka sjell pandemia në familjet shqiptare janë të njohura për këdo, reduktimi i vendeve të punës, disa u larguan nga puna, reduktimi i të ardhurave dhe sigurisht nëqoftëse familjet shqiptare preken do të preken edhe studentët sepse janë pjesë e këtyre familjeve, pra gjendja ekonomike është shkaku i parë përse universitetet publike në bashkëpunim me ministrinë e arsimit duhet të rishikonin çështjen e tarifave. Së dyti studentët e masterit e filluan vitin akademik me vonesë, në datën 15 Nëntor, vetëm pak ditë më pas ishin tërmetet e 26 Nëntor që e ndërprenë universitetin për dy javë, më pas ishin pushimet e fund vitit dhe praktikisht studentët e masterit kanë bërë mësim vetëm në periudhën janar-shkurt, kanë frekuentuar univerisitetin vetëm dy muaj….Disa nga prindërit e studentëve kanë humbur vendet e punës por edhe vet studentët të cilët duhet të ndihmojnë familjen me punën që bëjnë kanë humbur vendet e punës ‘’ tha studenti Marash Logu, ndërsa rreshtoi edhe disa arsye të tjera përse duhet përgjysmuar tarifa në Univerisitetet publike.

Në një lidhje skype në studion e ‘’ Rreze Diellit’’ ishin edhe disa studentë të tjerë të Fakultetit të Drejtësisë’’ të cilët u shprehen se arsyeja kryesore përse nuk mund ta paguajnë këtë tarifë është kriza ekonomike e krijuar nga Covid-19. Studentja Esmeralda Dida u shpreh se në familjen e saj janë 3 studentë dhe e kanë të pamundur pagesën e plotë të tarifës.

‘’ Gjatë periudhës së pandemisë një prej prindërve të mi, ka humbur vendin e tij të punës dhe rrjedhimisht nuk kemi pasur të ardhura të njëjta si vitin e kaluar. Për më tepër që në familjen tonë ne jemi tre student që ndjekim studimet, kështu që për të mbuluar kostot për secilin prej nesh,është akoma më e vështirë për ta, nga ana tjetër është edhe shërbimi që na është ofruar unë si student tw masterit kam zhvilluar mësim në auditore në periudhën e janarit dhe shkurtit’’ u shpreh ajo.

Një tjetër problematikë që u trajtua në studio ishte edhe rikonstruktimi i konvikteve,kushtet në konvikt të cilat për shkak edhe të pandemisë nuk janë aspak të favorshme për shmangien e virusit:

‘’ Konvikti në qytetin e studentit akomodon rreth 4500 studentë dhe është një situatë vërtet shumë problematike sepse 4500 studentë që vijnë nga të gjitha rrethet dhe të gjitha qytetet e Shqipërisë mblidhen në të njëjtin vend ndërkohë që nga monitorimi që kemi bërë deri më tani, nuk janë garantuar kushtet e sigurisë që lidhen me mbajtjen e higjenës, që lidhen me dezifektimin etj, arsyeja që kjo ndodh është se në godinat e Qytetit të Studentit ka të paktën 4-5 studentë që akomodohen brenda të njëjtës dhomë, tani mendoni pak 4-5 studentë që vijnë nga të gjitha vendet e ndryshmë të Shqipërisë dhe duhet të jenë në një kontakt shumë të ngushtë me njëri- tjetrin’’ u shpreh ai, për një problematikë e cila prek të gjithë studentët që akomodohen në konvikte.

Për të është një problematikë shumë e madhe masat që priten të merren për studentët , për shkak se mund të kthehet në një ‘ minë me sahat’ për përhapjen e Covid-19.

‘’ Po ju marr disa shembuj që ne na vijnë me video, thuhet përshembull që duhen larë duart 20 sekonda me ujë të ngrohtë etj, uji që del nga çezmet e konvikteve të Qytetit Studenti është i papastër, nuk ka as sapunë, as dezifektantë, dhe kështu me rradhë’’ tha studenti Marash Logu.

Ndërkohë që godina e rikonstruktuar do të ketë një çmim të ndryshëm, pra më të lartë se konviktet e tjera, duke rritur mundësinë për një hendek shoqëror midis studentëve, pasi shikohet si një diferencim i studentëve, duke qenë se mundësitë për të paguar një çmim më të lartë, nuk është i të gjithë studentëve njësoj.

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?