Sali Berisha

Opinion

Sulltani do të kthehet në fron, por Berisha nuk e pengon dot procesin e nisur

27 Shtator 2021, 09:09| Përditesimi: 27 Shtator 2021, 09:13

  • Share

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim sapo u kthye nga Uashingtoni vrapoi menjëherë drejt selisë blu që “mos ftoheshin” diskutimet e bëra në DASH për Berishën dhe PD-në”. Ajo la të kuptohej se e kishte informuar Bashën për “të dhëna të reja” kundrejt Berishës. A po përgatitet një dosje hetimore ndaj tij edhe në vendin tonë?

Për çka po ndodh në PD duket se ka kapur në befasi shumë ambiente. Jo se nuk pritej që Berisha të reagonte pas vendimit të Bashës për të ndarë fatin e PD me atë të ish liderit të saj. Përkundrazi, Berisha është shumë i parashikueshëm në vendimet që prekin interesat e tij direkte. Ajo çfarë duket se po përbën çudi është se në PD paska një masë të konsiderueshme që mund të shkojë kundër rrymës dhe preferojë të shkuarën e një kohe të perënduar së bashku me vetë Berishën, sesa të shohë drejt perspektivave dhe modeleve të reja. Natyrshëm që graviteti i kësaj lëvizje nuk ka të bëjë vetëm me dashurinë e madhe që paskan demokratët për Berishën. Ish lideri që tashmë është në hall dhe që ka nisur fushatën e tij po shfrytëzon më së miri dobësitë dhe gabimet e kreut të PD. Gabime që nuk janë kundrejt vetë Berishës por për vetë ato çkanë ndodhur brenda PD-së në 8 vite opozitë dhe ku demokracia e brendshme nuk kish bërë hapa përpara. Në këto gabime Basha ka patur këshillat e vetë Berishës, ndaj do të ish hipokrizi të mendohej se Berisha mund të marrë pozicionin e kampionit të demokracisë së brendshme të PD dhe të nisë të verë rregull në funksionimin e saj.

Ndaj vëmendja e ndërkombëtarëve duhet parë si shqetësim për çka po ndodh, jo për fatin e Bashës, por të vetë PD-së që të mos copëtohet nga demagogë që kanë nisur një fushatë në emër të moralit dhe sovranitetit kur në fakt motivi i vërtetë është frika dhe që kërkojnë ta përdorin PD si mburojë se mos cënohën më tej. Një fushatë hobi këto motive do të ish humbje kohe dhe energjish për PD, kur këto energji duhen përdorur për ta riformuar mbi baza të reja dhe me njerëz të rinj. Nuk mund të imagjinohet që imazhi i modernes në PD të jetë Berisha, kur kulmi i popullaritetit të tij ishte para 30 vitesh kur u themelua PD. Kohët kanë ndryshuar, ashtu siç nuk është e pamundur,(çka ka ndodhur shpesh), që revolucionari i dikurshëm të shndërrohet në diktator apo që mban peng zhvillimin.

Tashmë është tepër vonë. Vendi ka hyrë në një proces të pakthyshëm të evolucionit të vet, që nis që nga drejtësia dhe shndërrim në çdo fushë të jetës, përfshi edhe atë politike. Ky proces nuk mund të pengohet dot nga askush, pavarësisht peshës së dikurshme që ka patur në politikë apo në një parti të caktuar. Dhe këtë vetë Berisha e di. Çështja është që këtë ta kuptojnë mirë edhe ata që sot i kanë dal në krah.

Berisha ka hapur “luftë” në shesh duke shkuar në çdo qark për të bindur bazën se Basha ka gabuar dhe se nuk do e sjellë kurrë PD në pushtet. Po dëmtohet Basha apo PD?

Basha është po ai që ka qenë edhe 2 javë më parë, pra përpara se Berisha të niste fushatën kundër tij. Deri dy javë më parë ishte Berisha që fliste ndryshe dhe madje ish mbrojtësi më i madh i tij përkundrej kritikëve brenda PD. Ishte Berisha që kish investuar për të, që i kish hapur rrugën drejt majës dhe që kish sakrifikuar çdo figurë tjetër e që mund të shndërrohej në rival të Bashës. E gjithë kjo e bën të pasinqertë dhe betejën e Berishës. Lufta e beftë që nisi Berisha në emër të moralit të thyer se i është ngulur thika pas shpine shokëve të armëve të PD, në emër të sovranitetit dhe të interesave të demokratëve, është hipokrizi ndaj gjithshka që ka ndodhur për gjithë këto vite në korridoret e PD. Shumë shokë armësh i’u është ngulur thika në këto vite. Kujtojmë Rulin, Imamin, Topallin, Nishanin, Boden, Patozin e shumë të tjerë. Dhe këtu, në këto ngulje thikash, ka kontribut direkt vetë Berisha që tashmë sot ankohet dhe bën të çuditurin sesi mund të lihet mënjanë apo të goditet një nga figurat e PD. Hipokrizia nuk mund të mbulohet nga fraza moralizuese në emër të normave kavaliereske të besnikërisë. Nëse ky fjalor mund të zerë vend në një pjesë të anëtarësisë së PD, për hir edhe të peshës dhe imazhit të Berishës si pjesë e historisë së kësaj partie, në pjesën tjetër të elektoratit që është jo mirëfilli partiak, e kësisoj më i ftohtë në gjykim, ky debat është i pistë, pa moral e shumë demagog. Për shumicën qytetare është e qartë se çka  ndodh në PD, nuk ka të bëjë as me pse janë shkelur normat dhe as në emër të demokratizimit të PD. Fushata që ka nisur Berisha bëhet thjesht për interesat e ngushta të tij, dhe pas vendimit për të ndarë fatin e PD nga fati i tij pas shpalljes non grata nga Departamenti i Shtetit. Parë në këtë kontekst, gjithshka ka të bëjë më mënyrën si e konsideron tashmë PD-në ish lideri i saj. Pra, nëse në kushte normale PD do të ish ornamenti më zbukurues, apo medalja kryesore e karrrierës politike të Berishës, tashmë kur kjo karrierë është errësuar nga vendimi i SHBA, PD mund të shndërrohej në detashmentin apo në gardën mbrojtëse për ta ruajtur nga goditjet e mëtejshme.

Kjo është arsyeja pse Berisha nuk e fal Bashën. Për karrierën e tij ai hodhi në kosh shumë të tjerë dhë këtë nuk e kish bërë në emër të demokracisë, normave apo moralit. E kish bërë pse e konsideronte si më të bindurin prej të gjithëve dhe të cilin mund ta përdorte si plastelinë sipas vullnetit të vet. Dhe tashmë, kur Basha do ti nevojitej më shumë se kurrë në hallin e madh ky e futi Departamenti i Shtetit, ai i rrëshkiti pse mendoi për PD sesa për fatin e ustait të vjetër.

Deri ku mund të arrij Berisha me këtë aksion që ka nisur?

Ndërsa beteja tashmë ka nisur dhe ish lideri i PD po organizon takime në qytete të ndryshme të vendit me mbështetësit e tij, pyetja që rrjedh natyrshëm është se kush përfiton nga kjo lëvizje. Përfiton PD pasi rihap një proces demoktratizimi për ta shndërruar në një parti modern politike, apo përfituesi i vetëm mbetet Berisha? Në një vështrim historik, çdo lëvizje e shkuar në PD ka përfunduar në interes të Berishës. Ka qenë ai që ka arritur të imponojë vullnetin e tij për çdo vendim që ka marrë PD në këto 30 vite. Nga kjo perspektivë, vështirë të mendosh pra se kësaj rradhe është ndryshe dhe se Berisha nuk do të luajë në interes të tij, por se tashmë mendon për fatin e PD. Për më tepër vështirë të të jetë e kundërta kur tashmë vetë Berisha është hall. Deri më tani Berisha ka kontrolluar PD si kur ka qenë vetë Kryetar, ashtu dhe kur ia kish deleguar Bashës vulën e kreut të demokratëve. Kështu kjo lëvizje nuk është gjë tjetër veçse një aksion për të rikthyer kontrollin pa kushte të Berishës në partinë më të madhe të opozitës. Pra rikthim në rendin e vjetër. E gjitha kjo më kujton pak a shumë ndodhitë në pallatet sulltanore kur sulltani i vjetër abdikonte dhe vendoste kë desh nga bijtë e vet në fron, por kur shihte se po veprohej larg interesave të veta, nuk hezitonte të reagonte edhe dhunshëm. Rikthehej në fron duke hequr atë që kish vendosur vetë dhe rivendoste rendin e vjetër. E njëjta gjë duket se po ndodh tashmë në PD. Berisha e konsideron veten ende si sulltan në PD, pavarësisht se tashmë po e drejton dikush tjetër PD. Ndaj dhe nuk toleron asgjë që mund të ulë ndikimin e tij e jo më të bëjë ndarje me të dhe trashëgiminë e vet. Ajo që nuk dihet është vetëm fakti nëse Berisha do të rikthehet sërish vetë në krye të PD apo do të kërkojë një tjetër zëvendësues. Me deklaratat e fundit në Vlorë, u duk se po  kërkon një rikthium të plotë si kryetar të PD, çka do të ish një spirale shumë e rrezikshme për fatin e kësaj partie. Gjithësesi, edhe nëse vetë do të rrijë në hije, e gjithë kjo lëzizje është që në vend të një Luli të vendosë një Lul tjetër që mund të komandojë sërish në bazë të interesave të tij.

Ish-kryeprokuri Adriatik Llalla u dënua me dy vite burgim, por urdhër arresti nuk u ekzekutua pasi ndodhet jashtë vendit. Flitet edhe se mund të kërkojë azil politik në një nga vendet e BE-së, nëse i aprovohet azili a është kjo një goditje për drejtësinë e re?

Çështja Llalla u shty shumë në kohë, por gjithësesi më në fund drejtësia u shpreh dhe kemi një dënim konkret për një zyrtar të lartë. Pavarësisht komenteve dhe interpretimeve, për mirë apo keq, për pak apo shumë, kemi një vendim të shprehur. Në këtë aspekt, fakti që tashmë Llalla nuk ndodhet në Shqipëri dhe që mund ti shpëtojë vuajtjes së dënimit ky element nuk godet direkt drejtësinë. Mendoj se ky fakt bën edhe një herë pis politikën. Sidomos atë pjesë të politikës që është kundër reformës në drejtësi e që bëhet pengesë pikërisht për të goditur korrupsionin në nivelet e larta. Duket se ky ishte nderi i fundit i kësaj pjese të politikës për Llallën edhe për qëndrimet që ai mbajti kundër reformës në drejtësi./Fjala.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?