TIRANE-Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e djeshme ku në rrugën “Dritan Hoxha” është sulmuar automjeti i drejtorit të TIA, Costandin Von Alvensleben. Ka qenë vetë drejtori gjerman i TIA ai që ka kallëzuar të gjithë dinamikën e ngjarjes së regjistruar rreth orës 08:30 të mëngjesit të djeshëm.
ReportTv ka zbardhur kallëzimin e bërë në polici nga vetë drejtori ku mësohet se Costandin Von Alvensleben është qëlluar me gurë teksa udhëtonte me automjetin e tij.
Momenti i sulmit është fiksuar edhe nga kamerat e sigurisë në zonë ku mësohet të jetë kryer nga një i ri i maskuar me një kapuç. Report Tv ka publikuar foton e agresorit. Fatmirësisht veç dëmeve materiale, Alvensleben, nuk ka pësuar dëmtime ndërsa Policia e Tiranës ka nisur hetimet për ngjarjen duke sekuestruar dhjetëra kamera sigurie të bizneseve në zonën ku ndodhi ngjarja ndërsa motivet mbeten të paqarta.