Presidenti Ilir Meta ka zbardhur takimin e djeshëm 30 minuta me kryeministrin Edi Rama. Kreu i shtetit u shpreh sot se në takimin me kryeministrin e vendit është diskutuar për marrëveshjen e detit me Greqinë, negociatat me BE, por edhe tema të tjera. Referuar negociatave me Greqinë, Meta tha se pret informacione më të plotë dhe serioze, jo nga Rama, por nga Ministria e Jashtme, pasi më këtë institucion ka qenë në komunikim për këtë çështje.
Takimi i djeshëm me Ramën ka qenë normal, janë diskutuar disa cështje, kryesisht lidhur me rëndësinë e çeljes së negociatave, ku shpresojmë në një vendim pozitiv. Natyrisht edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë, kemi diskutuar, por jemi në një proces për të marrë vendime të mëtjeshme, pasi Presidenca pret informacione edhe më të plota, sipas standardeve më serioze, që meriton kjo cështje. Rama nuk erdhi për të raportuar për negociatat, u bë një vlerësim i situatës së deritanishme dhe mundësisë së finalizimit të një marrëveshje sa më shpejt të jetë e mundur, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Komunikimi ka qenë me ministrinë e Jashtme.
Ilir Meta
Referuar Reformës në Drejtësi dhe Vettingut që ka dërguar në kolaps Gjykatën Kushtetuese, Meta u shpreh se është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një gjykatë funksionale.
Shpreh kënaqësinë për konfirmimin e zotit Dedja te Gjykata Kushtetuese, është i merituar. Dua të nënvizoj rëndësinë e vettingut për anëtarët e Kushtetueses. Është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një gjykatë funksionale për t’i dalë për zot Kushtetutës së vendit.
Ilir Meta
I pyetur nëse gjatë takimit me Ramën është diskutuar për mundësinë e një ngritjes së një kampi refugjatësh për emigrantët nga Lindja dhe Afrika, Meta e mohoi, por shtoi se cdo vendim duhet të merret në dialog me parlamentin. Qeveria e ka mohuar lajmin se në Shqipëri do të ngrihet një kamp refugjatësh.
Nuk e kemi diskutuar këtë cështje, cdo vendim duhet të merret në dialog të qeverisë, parlamentit dhe të gjitha institucionet e tjera, pasi duhet të gëzojë edhe konsensus.
Ilir Meta
Përsa i përket akuzave të opozitës dhe negociatave, Meta u shpreh se është dakord me pakicën se drita jeshile nga BE do të ndihmonte në luftën ndaj krimit dhe drogës.
Çelja e negociatave e ndihmon Shqipërinë që të adresojë edhe më mirë, efikasitet edhe luftën kundër krimit, korrupsionit, reformën në administratë dhe të gjitha cështjet kyçe. Edhe opozita, pavarësisht kritikave e ka thënë qartë, që çelja do e ndihmonte Shqipërinë për t’i adresuar këto fenomene më mirë.
Ilir Meta
Në fund Meta, kishte edhe një ‘thumb’ për Ramën, referuar debatit për Teatrin Kombëtar.
Besoj që qëndrimi im si President ka qenë i qartë dhe jam i bindur që dialogu është i domosdoshëm, aq më tepër që edhe kryeministri ynë vjen nga komuniteti i artistëve
Ilir Meta