Pasioni për këtë instrument frymor lindi kur ai ishte në klasë të 9-të dhe prej atëherë klarineta është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së tij.
Sot Fabion Rexhepi nga Kukësi është nxënës i vitit të dytë i shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë dhe dëshirën për të studiuar klarinetën, e ka trashëguar prej babait dhe motrës, të cilët janë muzikantë dhe profesionistë të këtij instrumenti frymor.
Për artistin e talentuar 15 vjeçar, fillimi ka qenë mjaft i vështire, por pasioni për muzikën, ndihma e babait dhe e motrës e ka tërhequr në këtë drejtim.
‘Thjesht më pëlqen. Kam dashur ta praktikoj si instrument, për ta ushtruar dhe ndaj e zgjodha. Kam qenë në klasë të 9të kur e kam filluar për herë të parë. Në fillim e kam nisur me babin por kur erdha në shkollë në Prishtinë jam marrë dhe me motrën. E praktikoj çdo ditë.’- tha ai.
Siç rrëfen dhe Fabioni zgjodhi Prishtinën për të studiuar pasi i ofron më shumë hapësirë për të marrë pjesë si instrumentist në orkestra dhe evente kulturore.
‘Për ta praktikuar është shumë e vështirë. Duhet të punosh shumë. Një ditë po nuk punove duhet ta kompensosh gjatë javës. Zgjodha Prishtinën pasi ka më shumë hapësirë për të shkuar në orkestra!’- thotë ai.
Synimet për të ardhmen 15 vjeçari i talentuar duket se i ka të qarta, ndërsa ka marrë pjesë në shumë aktivitete dhe evente të zhvilluar në Kosovë, duke u vlerësuar dhe me çmime.
‘Dua të vazhdoj të merrem me klasike. Kam marrë pjesë nëpër orkestra të ndryshme ku kemi luajtuar në salla të mëdha. Kam marrë pjesë në koncerte të ndryshme dhe në gara. Dhe kam fituar dhe çmim të parë me 100 pikë në garën “Kosova”!’- u shpreh ai.
Fabioni ka edhe një mesazh për bashkëmoshatarët.
‘Është çdo gjë sipas dëshirës. Nëse dëshiron të kesh një sukses në jetë duhet të punosh fort në një profesion që e do. Nëse do të kesh sukses duhet të punosh fort!’- u shpreh ai.