Të ardhurat bien me 2.3%, nuk përmirësohet konsumi! Janar-shkurt 2021 u mblodhën 13,4 mln € më pak se në 2020

23 Mars 2021, 20:23| Përditesimi: 23 Mars 2021, 20:48

  • Share

Në dy muajit e parë të vitit janë mbledhur në total 69,5 miliardë lekë, me një rënie prej 2.3%, ose minus 1.6 miliardë lekë në raport me një vit më parë kur vendi nuk ishte nën pushtetin e pandemisë COVID-19.

Edhe pse rënia është e ulët krahasuar me recesionin që pësoi ekonomia në vitin e kaluar, problem shfaqet konsumi i qytetarëve. Edhe pse shpresat për rikuperimin ekonomik janë të varura nga rritja e konsumin dhe tek rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, performanca është negative.

Në planifikimin e buxhetit për vitin 2021, Ministria e Financave priste që nga TVSH-ja në dy muajit e parë të vitit të mblidheshin 25,9 miliardë lekë, ndërkohë që janë mbledhur 4,2 miliardë lekë më pak, duke treguar një ecuri të dobët të konsumit që edhe në vitin e kaluar ishte në nivel anemik.

Nga ana tjetër si pasojë e heqjes së tatim-fitimit për bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë, kanë rënë të ardhurat me 7.7% nga planifikimi fillestar i buxhetit, dhe me 17.6% në raport me janar – shkurt 2020.

Ndërkohë që të dhënat tregojnë një përmirësim të situatës me punësimin, pasi të ardhurat nga tatimi mbi pagën janë rritur në dy muajit e parë të vitit. Sipas të dhënave të ministrisë së Financave në këtë periudhë janë mbledhur 6,4 miliardë lekë nga 6,1 miliardë në vitin e kaluar.

Masat pjesërisht shtrënguese të diktuara prej pandemisë COVID-19, duket se kanë frenuar edhe shpenzimet e planifikuara. Bazuar në të dhënat fiskale shpenzimet nuk janë realizuar në raport me planifikimin me mbi 8 miliardë lekë, ndërsa krahasuar me vitin 2020 janë ulur me 1.9 miliardë lekë. Konkretisht në janar-shkurt totali i shpenzimeve ishte 62.9 miliardë lekë, nga 64.8 miliardë lekë në vitin 2020.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?