Të gjitha bashkitë, do të ecin me këmbët e veta deri në zgjedhjet vendore të vitit 2023, dhe do ti vetë-administrojnë financat e tyre. Administratori i paralajmëruar nga qeveria nuk do të vendoset këtë vit. Burime nga Ministria e Financave thonë për REPORT TV se nga vlerësimet e bëra ka rezultuar se asnjë bashki nuk është në gradë të rëndë financiare sa për t’i marrë administrimin e fondeve.
Por pavarësisht nga kjo, Ministria e Financave ka bërë gati një listë me kandidatët për administrator të financave të bashkive në rast se do të jetë e nevojshme vendosja e tyre në muajit e ardhshëm.
Ndërkohë nga një raport i prezantuar nga qeveria në korrik të këtij viti, rezultonin se ishin 14 bashki me probleme financiare, 10 me vështirësi financiare dhe 2 në vështirësi serioze financiare. Por mesa duket përmirësimi i financiar i bashkive në gjashtëmujorin e parë të vitit, është një tjetër arsye pse po shtyhet sërish caktimi i një e administratori që për rol ka nxjerrjen nga problemet financiare të bashkive.
Sipas një raporti të Ministrisë së Financave në gjashtëmujorin e parë bashkitë kanë mbledhur 16.8 miliardë lekë, vlera më e lartë e dekadës. Ndikimin më të madh në përmirësimin e të ardhurave e kanë pasur ndërtimet e reja dhe taksat e pastrimit. Nga analiza e bërë vihet re se rritja kryesore e të ardhurave vjen nga grupi i taksave lokale e më konkretisht nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e cila është rritur me 53% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Ndërsa në këtë periudhë raportohet për rënie të investimeve me 12.3% krahasuar me 2021, ku ashtu si për të ardhurat e qeverisë, edhe në këtë pikë kanë ndikuar çmimet e larta të materialeve të ndërtimit që kanë frenuar edhe ecurinë e investimeve.
Në total nga janari në qershor shpenzimet e pushtetit vendor ishin 24.7 miliard lekë ose rreth 41% të planit vjetor të miratuar, ku peshën më të madhe e zënë shpenzimet e personelit me rreth 49%, më pas shpenzimet operative me rreth 29.7%; shpenzime të tjera për subvencione dhe transferta me rreth 38%, dhe në fund shpenzimet për investime zënë rreth 17.5% të totalit.