Ky është Agroni 68 vjeç, babai i një djali që prej 5 vitesh nuk është kujtuar më për të. Agroni thotë se është braktisur nga i biri dhe se nuk merr asnjë telefonatë prej tij, nuk kamë asnjë kontakt me të.
Dita e 68-vjeçarit nis njëlloj. Ai vjen në mensën “Shërbimi i dashurisë” dhe merr vaktet me ushqime në pamundësi t’i sigurojë me të ardhurat e tij.
“Historitë tona janë të dhimbshme. Një fëmijë kam, një djalë, shikon jetën e tij, ka pesë vjet që nuk më merr në telefon”, thotë ai.
Një histori e ngjashme rrëfehet për Report Tv nga Luani, 60 vjeç, i divorcuar nga bashkëshortja që nga viti 1997, baba i dy vajzave që prej kohësh nuk interesohen më për të.
“Është shumë e vështirë të jetosh vetëm, të ha vetmia, të tremb vetmia. Këtu ha ncik gjellë dhe ushqehem”, shprehet ai.
Nënë Fileja është një tjetër personazh që hasim në afërsi të mensës së dashurisë. Me çantat e zbrasura, me enët bosh siguron ushqimin po në këtë formë. 17 mijë lekët e pensionit, me bashkëshortin e sëmurë në shtëpi nuk i mjaftojnë. Nënë Filja tregon dhe vështirësitë që po kalojnë në këto ditë të ftohta.
“Ftohtë kam patur shumë. Kam patur një jetë boll të vështirë”, tha nënë Filja.
At’ Nikolla Kodheli përfaqësues i kishës ortodokse që menaxhon mensën, tregon se në një ditë aty u shërbehet ushqim 300 personave në nevojë që janë të moshave të ndryshme, ku nuk mungojnë edhe studentë.
“Është një mensë që i ka dyert e hapura, për cilindo që troket pranë saj për të marr ushqim të ngrohtë, të përditshëm. Këtu vijnë dhe katër student, djem”, tha Kodheli.
Mensa “Shërbimi i dashurisë” është hapur prej Janarit të vitit 2005 dhe vazhdon të presë çdo ditë njerëz që nuk kanë mundësi të përballojnë shpenzimet për ushqimin e përditshëm.