Të gatuajmë me zonjën Vjollca/ Fërgesë me lulelakër e vezë dhe Makarona me qofte

18 Shkurt 2020, 10:46| Përditesimi: 18 Shkurt 2020, 12:01

  • Share

Fërgesë me lulelakër dhe vezë

Përbërësit:

500 gr lulelakër

1 qepë e madhe

3 thelpinj hudhra

1 spec I kuq

300 gr domate

vaj ulliri

1 gotë lëng perimesh

kripë dhe piper i zi

1 lugë çaji kumin

1 lugë çaji piper i kuq i ëmbël

1/4 lugë çaji piper pikant

4 vezë

2 lugë gjelle fara kungulli

½ tufë majdanozi

Përgatitja:

Pastrojmë dhe lajmë lulelakrën duke e prerë atë në lule të vogla. Presim qepën në kubikë të vegjël dhe hudhrën në copëza. Presim qepën në kubikë të vegjël dhe hudhrën në copëza.

Pastrojmë specin nga farat dhe fijet dhe e presim atë në kubikë. Në një tigan të thellë ngrohim vajin e ullirit dhe fillimisht kaurdisim qepën derisa ajo të zbutet. Shtojmë specat në kubikë dhe vazhdojmë përzierjen në nxehtësinë mesatare.

Shtojmë hudhrën dhe domatet, lulelakrën dhe vendosim kapakun për 2-3 minuta. Shtojmë lëngun e perimeve dhe lëmë lulelakrën të ziejë, rregullojmë shijen me kripë dhe piper të zi, kumin, piper të kuq dhe piper pikant. E lëmë të ziejë dhe 7 minuta të tjera në temperaturë të ulët.

Thyejmë vezët dhe i shtojmë ato një nga një. I mbulojmë ata me kapak në temperaturë të ulët për 5-7 minuta (varet sa të gatuara i doni vezët.)

Ndërkohë pjekim farat e kungullit.

Presim majdanozin hollë dhe në fund shpërndajmë farat e kungullit dhe majdanozin  mbi vezë dhe e servirim të ngrohtë.

 

 

Makarona me qofte

Përbërësit:

450 gr mish i grirë

½ qepë

2 lugë gjelle bukë e thekur e grirë

1 vezë

kripë dhe piper i zi

1 lugë kafe kumin

2 lugë gjelle vaj ulliri

2 gota lëng mishi

2 gota qumësht

½ pako makarona taljatele

4 lugë gjelle parmixhan i grirë

½ tufë majdanoz

Përgatitja:

Në një tas vendosim mishin e grirë dhe bashkojmë në të qepën të grirë shumë imët, bukën e thekur të grirë, 1 vezë, kripë, piper të  zi, kumin. I përziejmë mirë të gjithë përbërësit, punojmë brumin dhe e lëmë të pushojë për 20-30 minuta.

Më pas formojmë qofte të vogla sa një arrë e madhe.

Vendosim në tigan 2 lugë gjelle vaj dhe vendosim qoftet pë tu skuqur 1 minutë nga njëra anë dhe 1 minutë nga ana tjetër sa të zverdhet pak duke lëvizur tiganin.

Shtojmë tek qoftet 2 gota lëng mishi, i lëmë qoftet të ziejnë për 2 minuta, duke shtuar më pas 2 gota qumësht, kripë dhe piper të zi. E lëmë qumështin sa të marrë valë dhe shtojmë makaronat. Kur makaronat të kalojnë minutat e zierjes sa shkruhet në paketim, hedhim parmixhanin të grirë hollë dhe majdanozin të grirë imët.

I trazojmë dhe i shërbejmë të ngrohta.

D.M.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?