Të gjitha nenet për të cilat akuzohet Arben Ahmetaj, ja sa vite burg rrezikon ish Zv. kryeministri

21 Mars 2023, 17:05| Përditesimi: 21 Mars 2023, 21:49

  • Share

1678203609_finalprojekt.00384405.Still019.jpg

Hetimi ndaj ish zv. Kryeministrit Arben Ahmetaj për çështjen e inceneratorëve tashmë është bashkuar me denoncimin e bërë ndaj tij për fshehje të ardhurash. Tashmë deputeti socialist akuzohet për plot 4 akuza që rëndojnë mbi të. Por sa vite burg rrezikon Ahmetaj nëse do të provohej se ishte fajtor dhe do të dënohej? Ish-ministri akuzohet për shpërdorim detyre dhe nëse do të shpallej fajtor për këtë akuzë rrezikon deri në 7 vite burg. Akuzat tjetër ajo e korrupsionit pasi të zyrtarëve të lartë është akuza që  Ahmetajt  plot 12 vite burg nëse do të dënohej nga gjykata. Ish-ministri akuzohet edhe në bazë të nenit 257 të Kodit Penal, për përfitim të paligjshëm të interesave që parashikon dënim deri në 4 vite burg. Dhe akuza e fundit është ajo e pastrimit të parave e parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal që për të cilën ish ministri rrezikon deri në 15 vite burg.

Neni 248: Shpërdorimi i detyrës

Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jomateriale të padrejta a kanë dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.

Neni 260: Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.

Neni 257: Përfitimi i paligjshëm i interesave

Mbajtja, ruajtja ose marrja e drejtëpërdrejtë ose e tërthortë, nga persona me funksione shtetërore apo shërbim publik, i një interesi të çfarëdoshëm në një ndërmarrje ose operacion, në të cilat në momentin e kryerjes së veprimit ka pasur detyrën e mbikqyrjes, administrimit ose likuidimit, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.

Neni 287: Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale

Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:

  • a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
  • b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penal ose i veprimtarisë kriminale;
  • c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
  • ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;
  • d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
  • dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër;

- dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.

Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim.


Lajmi kryesor:

Ahmetaj nën hetim për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe përfitime të paligjshme! SPAK merr në pyetje ish gruan dhe persona të tjerë


G.MO/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?