Grupi i deputetëve të Sali Berishës dhe Gazment Bardhit paralajmërojnë bllokim të seancës së ditës së hënë, 20 nëntor, kur do të diskutohet projekt-buxheti për 2024.
“Shqiptarët do të shohin ditën e hënë qëndresën e fuqishme të përfaqësuesve të opozitës” tha Berisha.
Këtë fjali zgjodhi si paralajmërim Kreu I Rithemelimit Sali Berisha për seancën e hënë e të martë, 20 - 21 nëntor, kur parlamenti ka parashikuar të diskutojë për projekt-buxhetin e 2024.
Megjithatë, Berisha refuzon të zbulojë nëse ky skenar do të jetë grevë urie, ashtu sikurse prej javësh artikulojnë por nuk veprojnë. Apo hedhja e gazit lotësjellës, tymuese e kaos, sikurse janë skenarët që diskutohen.
“Ndiqni dhe do t’i mësoni live të gjitha aspektet e saj"
Ndonëse Sali Berisha e njeh drejtues edhe të deputetëve të tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi këtë herë respektoi paralajmërimin e kryetarit të Rithemelimit, e vetë nuk foli.
Megjithatë, porositë nuk munguan. Nisur edhe mbi rezervat që një pjesë e deputetëve ‘aktivë’ në aksionet e seancave të shkuara kishin shprehur në mbledhjet e përbashkëta me dyer të mbyllura, deputetët janë porositur që në seancën e ditës së hënë të jenë të gjithë aktivë në skenarin për të bllokuar diskutimet për projektbuxhetin.
Por teksa Rithemelimi e grupimi i Bardhit diskutonin skenarët sesi të bllokonin seancën, vetëm pak metra më tej, nga selia e PD zyrtare, deputeti i Lulzim Bashës, Arbi Agalliu njoftoi propozimin e 8 amendamenteve të buxhetit.
Partia Socialiste, shprehu gatishmërinë për t’i diskutuar. Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi tha në Report Tv tha se janë gati për t'i kaluar për shqyrtim në Komisionin e Ekonomisë, edhe pse sipas saj buxheti i prezantuar siguron mbështetje për të gjithë.
Jashtë diskutimit për seancën e së hënës nuk ngeli as kreu i PL, Ilir Meta. Ky i fundit ndonëse quan të drejtë kauzën e opozitës, la të kuptohej se deputetët e tij do të qëndrojnë të distancuar nga aksioni i së hënës.
(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Rendi i dites