Kryeministri Edi Rama

Të mundësh Edi Ramën në Mal të Zi…

1 Shtator 2020, 09:26| Përditesimi: 1 Shtator 2020, 09:28

  • Share

Zgjedhjet në Mal të Zi kanë ndarë për herë të parë publikisht forcat pro-perëndimore në rajon, me ato pro- ruse, duke u shprehur paraprakisht në mbështetje të palëve në Mal të Zi.

Kryeministri i Shqipërisë dhe ai i Maqedonisë së Veriut dërguan mesazhe në mbështetje të partisë së Milo Gjukanoviçit, i cili kishte hyrë në një betejë të vështirë me rrënjët e nacionalizmit serb dhe pro rus në Mal të Zi, udhëhequr nga mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe, Amfilohije.

Muaj më parë beteja e Gjukanoviçit me klerin nacionalist orotdoks serb, shkaktoi trazira në Mal të Zi dhe konfiguroi betejën e ardhshme elektorale, si betejë mes Gjukanoviçit me kartën e pro-perëndimorit dhe mitropolitit Amfilohije me kryq në dorë, duke udhëhequr turmat nacionaliste.

Partia e Milo Gjukanoviçit, e cila ka dalë e para në zgjedhjet në Mal të Zi, mund të mos jetë ajo që do të formojë Qeverinë e re, për shkak të copëzimit të rezultatit në një spektër opozitar të gjerë, që mund të bashkojnë mandatet kundër tij.

Fituesi real i zgjedhjeve në të vërtetë është mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe, Amfilohije. Pas shpalljes së rezultatit, partitë e koalicionit opozitar, shkuan i puthën dorën në Manastir mitropolitit Amfilohije, si për të treguar se beteja ishte mes Gjukanoviçit dhe mitropolitit në fjalë, që votoi për herë të parë publikisht në jetën e vet.

Ky është realiteti politik në Mal të Zi, i cili u testua falë faktit që Qeveria e Gjukanoviçit bëri zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pas këtij rezultati, në Tiranë ka një lloj gëzimi të pafshehur për rezultatin e zgjedhjeve në Mal të Zi. “Sovranistët” e opozitës së Tiranës, që u ka ardhur në majë të hundës nga konflikti me diplomatët e Perëndimit në Tiranë, shikojnë tek fitorja e opozitës nacionaliste serbe, një thyerje hunde të Perëndimit në rajon.

Sali Berisha nuk e mbajti dot gëzimin për këtë, ndoshta dhe nga fakti se aleati i vetëm që ai ka pasur në Mal të Zi, ka qenë Bulatoviçi, ish- kukulla e Milosheviçit, me të cilin nënshkroi marrëveshjen për thyerjen e embargos së naftës për ushtrinë jugosllave.

Ilir Metën nuk po e mban vendi gjithashtu, por s’di akoma kë të urojë, mitropolitin Amfilohije, apo atë që mund të marrë mandatin.

Edhe pse bëjnë sikur gëzohen “nga inati i Edi Ramës”, që mbështeti Gjukanoviçin, në fakt ata janë të gëzuar nga fakti që Perëndimi mund të mundet edhe në Tiranë, si dhe nga shpresa që opozita mund t’ia dalë edhe me kauza nacionaliste. Këto në fakt jane dhe dy hallet reale që opozita ka muaj që i bluan.

Ilir Meta është në rrugë për të bërë një grupim politik nacionalist, “sovranist anti-perëndimor”, ndërsa Berisha po përpiqet t’i japë zemër partisë, ndaj dekurajimeve që Perëndimi u ka bërë betejave të tij për djegie mandatesh dhe bojkot zgjedhjesh.

Por e vërteta është se Shqipëria nuk ngjan aspak me Malin e Zi, në asgjë. Në Mal të Zi ka realisht një kauzë nacionaliste kundër Perëndimit dhe që ka qenë gjithnjë një vijë ndarje mes pushtetit 30- vjeçar të Gjukanoviçit dhe opozitës nacionaliste serbe.

Shqipëria nuk ndahet pro dhe kundër Perëndimit me 51 për qind si në Mal të Zi, por me 90 për qind. Ndaj dhe përpjekjet për të triumfuar si anti-perëndimorë dështojnë nga mungesa  e mbështetjes.

Fjala vjen, javën që shkoi, gjithë LSI e PD u mobilizua të sulmonte ambasadoren amerikane pse pushonte në një vilë të paguar prej saj në Dhërmi, por nuk morën as dhjetë për qind të pëlqimeve, që mori fakti se djali i Sali Berishës dhe e dashura e tij kaluan pushimet me jaht luksoz në Korfuz dhe fjetën në vila me nga 2 mijë dollarë, pa ndonjë faturë të deklaruar. Shqiptarët nuk janë aq budallenj, sa i mendojnë Meta me Berishën.

E vetmja gjë për të cilën opozita mund të gëzohet nga zgjedhjet në Mal të Zi, është kurajoja e nacionalistëve pro serb që janë afër pushtetit, për të fituar pushtetin me zgjedhje të lira.

Ata po ja dalin falë mbështetjes së fortë të Rusisë dhe Serbisë, por ama Gjukanoviçi ua mundësoi këtë se bëri zgjedhje të lira.

Opozita jonë ndryshe prej tyre, kërkon pazar para çdo palë zgjedhjesh, duke kërcënuar se nuk do të hyjë.

Për të tjerat gëzohen kot. Shqiptarët nuk votojnë parti anti-perëndimore, dhe as njerëz që erren duke plaçkitur dhe gdhihen duke parë ëndrra patriotike.

“Nacionalizmi” i vërtetë i shqiptarëve është orientimi nga Perëndimi.

Për më tepër, t’i gëzohesh humbjes së forcave pro- perëndimore në Mal të Zi, do të thotë t’i gëzohesh premtimit të tyre për mos njohje të Kosovës dhe kthimit mbrapa të Malit të Zi, por për këtë është e tepërt t’i kërkosh llogari Berishës e Metës.

Problemi real është se opozitarët tanë e kanë betejën me Edi Ramën në Tiranë, jo në Mal të Zi. Ata nuk mund të vijnë në pushtet duke fërkuar duart sa herë humbasin aleatë të Edi Ramës nëpër botë.

Se po të ishte se mundej Edi Rama sa herë munden aleatët e tij në Mal të Zi, Greqi, Itali, madje edhe SHBA, opozita jonë do ishte me kohë në pushtet.

Por në fakt është rrugëve.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • sapa: 02/09/2020 08:31

    Ne rradhe te pare humbi kontrabandisti me i madh i pas jugosllavise Gjukanovic sepse popullit i ka ardhur ne maje te hundes dhe jo forcat antievropjane sic e paraqet ti.Qe ne mal te zi fituan anti evropjanet ate do e tregoje koha.Persa i perket shqiptareve ata jane ne nje hall te madh.Saliun e provuan por provuan edhe ate qe erdhi per te bere shtet prej shtate vitesh dhe cfare beri? instaloj kryehajdutin qe ishte per burg ne maje te shtetit!Pra votuesi shqiptar po te kishte alternative tjeter jo Saliun jo se jo por as Ramen nuk do e votonte.Ne shqiperi nuk behet me fjale per votime ne kuptimin e vertete te fjales por per kalkulim votash ne menyre matematike per ti shperndare aty ku duan mafjozet politikane.Dihet se sa kategori votuesish ka ne shqiperi (nuk permendim simpatizantet e PD as te LSI)simpatizante,njerez qe perfitojne nga pushteti duke filluar qe nga komuna me e vogel e ketij vendi dhe deri ne kryeminstri etj etj dhe keshtu qe Rama e ka te sigurte fitoren.Por jo se njerezit duan Ramen.Eshte fatkeqesi e madhe por i kane dale fjalet te ndjerit albanologut Robert Elsie qe "shqiptaret nuk jane ne gjendje te bejne ndryshime politike ne favor te vet!".Dhe nuk duket fare drite ne fund te tunelit qe shqiptaret te shpresojne ne nje mrekulli ne favor te tyre!Cdo shqiptar qe jeton ne ate vend dhe qe eshte ne nje fare moshe jo te madhe mendon vetem nje gje:se si te ike prej aty per nje jete te re per ta dhe ne rradhe te pare per femijet e tyre jashte kufinjve te ketij vendi qe nuk behet kurre!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po japin rezultat protestat e PD-së?