Të gjithë mandatdjegurit e Lulzim Bashës, ata që kanë fjetur “gjumë” prej 4 vitesh, dhe nuk kanë recituar asnjë fjalë për votuesit e tyre të zhgënjyer, kanë nisur të nxitojnë. Kanë nisur të bëhen me djersë, u janë sulur podeve dhe ekraneve për të sulmuar kryeministrin, qeverinë, ministrat, investimet, inagurimet, kanë nisur të bëjnë “pis” çdo arritje, a thua se janë mrekullia mbi tokë. Ata që nuk kanë ditur të flasin (madje edhe atyre që u ka ardhur goja 9 vjeç) kurrë në mbledhjet e grupit parlamentar të PD, ata që nuk kanë ditur të flasin një fjalë mbi ligjet apo nenet e tij pasi nuk kanë formimin e duhur intelektual, sot po nxitojnë drejt “fjalimeve” sepse erdhi sahati.
Erdhi ora kur në “bazë” do të bëhen me komandë propozimet për të zgjedhur “bijtë e partisë” për në Parlament. Shumica e mandatdjegurve që kërkojnë edhe “pagë lufte” sot, nuk njohin asnjë prej votuesve, nuk e dinë sa banorë ka zona e tyre elektorale, nuk kanë qenë asnjëherë mes atyre njerësve që edhe pse i votuan, sot gjenden të braktisur. Të nxitosh për tu bërë “kandidat” i Lulzim Bashës, nuk është fare e vështirë, sepse kryetari e ka ndarë mëndjen, do të rizgjedhë ata që i zbardhën faqen, dhe jo ata që e prenë në besë. Një parti si Partia Demokratike, nuk ka lindur dhe nuk ka shanse të lindë askund tjetër, veçse në Shqipëri.
Partia që lindi nga ideali demokratik i studentëve të Dhjetorit-90, sot është kthyer në grupim njerësish, që nuk kanë asnjë lidhje me lirinë, demokracinë, me parimet themelore të demokracisë amerikane, pasi ata janë thjesht marioneta të Udhëheqësit, që drejton edhe sot e kësaj dite, me dorë të hekurt. Të nxitosh të bëhesh “kandidat” duke pështyrë atë që ke lëpirë, dhe anasjelltas, kjo ndodh vetëm në atë parti. Por një gjë tjetër e papritur që ka nisur të ndodhë në PD e zotit Basha nga dita e djeshme, është “joshja” që Gazmend Bardhi ka nisur ti bëjë zonjës Topalli, duke deklaruar se “ajo ka kontribute të jashtëzakonshme në PD, ndaj është e mirëpritur, ne jemi parti e hapur”.
A thua të bindet zonja Topalli, a thua të mashtrohet kaq thjeshtë nga “ftesat e sinqerta” të sekretarit të Lulzimit ? Kjo mbetet për tu parë, por mendoj se, pas gjithë asaj që ka ngjarë mes saj, dhe zotit Basha, lidhur me denigrimin e Partisë Demokratike, zaptimin e forumeve dhe strukturave, largimet dhe zhgënjimet e anëtarësisë, pas humbjeve spektakolare në zgjedhjet e fundit, nuk besoj se zonja Topalli është duke menduar
rikthimin në atë parti. Ndoshta “ftesa” e Gazmend Bardhit, lidhet edhe me mundësinë e futjes së saj, në listën e kandidatëve për Shkodrën, por kjo padyshim do të ishte më shumë se fyese për zonjën Topalli. Kjo për faktin sepse ajo, nuk mund të identifikohet me sejmenët e zotit Basha, dhe nuk mund të njehsohet me vlerësimet e një sekretari që merret gjithë ditën me “besprerët” që morën mandatet e djegura.
Gjithsesi nxitimi dhe turravrapi i mandatdjegurve për tu “rikonfirmuar” sërish kandidatë në listën e re, oferta e tyre (sepse gojët e liga brënda PD e thonë këtë) për të mbuluar vetë “gjithë shpenzimet e fushatës, plus ç’ka do të japin për partinë” tregon se në SHQUP, asgjë nuk ka ndryshuar edhe pas “udhëzimit të ri”, dhe as nuk do të ndryshojë ,edhe pasi KQZ ta rikonfirmojë në opozitë pas zgjedhjeve të 2021 atë parti. Lulzim Basha padyshim që fushatën elektorale do ta bëjë me milionerët, dhe jo rrogëtarët e ndershëm që edhe pse mund të propozohen nga baza, kanë qenë në 2017, dhe janë kartë e djegur edhe për 2021, pasi ata nuk kanë as pallate, as vila, dhe as makina 100 mijë euroshe.