Makina luksoze “Audi Q7” me vlerë 42 mijë euro në pronësi të një 21-vjeçari nga Prizreni që u grabit në Milot, është vjedhur nga një mjet që mbante fenelina policie. Babi i Meriton Ahmetajt, të riut që iu vodh vetura, deklaroi se djalin e tij e kishin kërcënuar me armë në kokë. Rrahman Ahmetaj sqaroi se të rinjtë fillimisht kishin menduar se i ndaloi policia për shkak të fenelinave që kishte mjeti, por kuptuan vonë se kishin rënë pre e grabitjes.
Edhe pse policia e Lezhës tha dje se nuk ka pasur përdorim të armës, sipas babait të 21-vjeçarit të grabitur, i biri është kërcënuar me armë në kokë dhe ka pasur të shtëna në ajër. Rrahman Ahmetaj shtoi se autorët para se të merrnin makinë e kanë pyetur nëse mjeti kishte GPS dhe më pas janë larguar në drejtim të Morinës.
“Ka qenë një tmerr i vërtetë. Meritoni, djali im, 21 vjeçar, ka qenë i shoqëruar me Fatlind Morinën, i cili e ka pasur ditëlindjen me 1 shtator dhe kanë qenë duke u kthyer nga Budva. Në Milot janë ndalur për të marr pije afër një marketi dhe një makinë me targa italiane i ka përcjellë. Pasi janë larguar rreth 5-6 kilometra, i është ndezur një dritë vezulluese e ngjashme me atë të policisë. Meqenëse ka qenë zonë e kufizuar me 60 kilometra në orë dhe ai ka ecur me 80 kilometra shpejtësi, ka menduar që është policia e shtetit. Në momentin që është ndalur, ajo makinë që ishte me drita të policisë i është afruar shumë afër nga prapa, ndërsa makina tjetër e ka bllokuar pjesën e përparme të makinës dhe kanë filluar të shtëna me kallashnikov dhe me britma e me pistoletë në kokë i kanë nxjerrë nga makina. I kanë shtrirë për tokë, i kanë bastisur, të gjitha pajisjet ua kanë marrë. Grabitësit i thënë a ka makina juaj GPS, e Meritoni i ka thënë se po’. Më pas kishin vazhduar rrugën në drejtim të Morinës”, tha babai për mediat kosovare.
Makina 'Audi Q7' me targa 04-599 FO, u vodh mbrëmjen e së dielës në aksin rrugor Milot-Rrëshen. Pronari i mjetit luksoz Meriton Ahmetajt tha se makina iu morr nën kërcënimin e armës, ku një mjet me 3 persona brenda i kanë bllokuar rrugën, ndërsa policia e Lezhës tha se gjatë vjedhjes nuk janë përdorur armë.