Nga Prishtina, Tirana e Kukësi u bënë bashkë me Report Tv për të përshkuar me kajak një distancë rreth 45 kilometra drejt Fierzës. Aida dhe Elton Dhefta, janë çifti bashkëshortor që kanë jetuar vite të tëra në Itali, aty ku edhe kanë mësuar dhe ushtruar sportin e kajakut. Sot janë pjesë e Federatës Shqiptare të Kanotazhit.
Thonë se Kukësi ka potenciale ujore që mund të shfrytëzohen për turizmin përgjatë gjithë vijës liqenore. Alban Xhaferi prej vitesh merret me promovimin e resurseve turistike të zonës. Kajaku është kthyer në pasion për të.
Sporti i kanotazhit në Shqipëri ka marrë vëmendje këto 20 vitet e fundit. Por ai ka ekzistuar edhe më herët në vendin tonë. Katër djemtë e familjes Nushi në Durrës njihen për kontributin që i kanë dhënë sportit shqiptar. Njëri prej vëllezërve, Telemak Nushi, punoi për disa vite edhe si arbitër dhe trajner futbolli. Ndërsa nga fundi i viteve ‘20 ai nisi të organizonte për herë të parë në qytet edhe garat e kanotazhit.
Më 27 janari1934 gazeta francize Paris-Midi” ka botuar në faqen n°5, një shkrim në lidhje me zhvillimin (përhapjen) e sportit në Shqipëri, falë vendimit të Mbretit Zog. Aty përfshihet edhe sporti i kanotazhit.
“Ishte viti 1928, kur u themelua një federatë omni-sportive, e cila filloi aktivitetin sportiv. Shumë klube u krijuan dhe çelja e kampionatëve u dha një shtytje të madhe sporteve. Udhëheqësit e federatës emërohen nga vetë mbreti dhe gëzojnë një franshizë (ekskluzivitet) postare, telefonike dhe telegrafike.
Federata organizon vetë takimet e mëdha dhe me të ardhurat që paguhen, heq të gjitha shpenzimet e organizimit dhe trajnimit të pjesëmarrësve.
Sporti kryesor është futbolli, luhet nga 25 klube dhe praktikohet në zonat më të largëta të mbretërisë, në terrene të ofruara falas nga qeveria.
Kanotazhi, çiklizmi, atletika dhe tenisi janë gjithashtu popullorë.”
Ndërsa në vitin 1961 në Durrës shoqëria për ndihmë ushtrisë dhe mbrojtjes, organizoi një garë kanotazhi me pjesëmarrjen e shumë ekipeve si Durrësi,Shkodra dhe Vlora gjë që tregon për përhapjen e këtij sporti edhe gjatë sistemit komunist. Jo vetëm në atë kohë por edhe sot renditen përfitimet shëndetësore dhe emocionale të atyre që e ushtrojnë sportin e kanotazhit.
Ndihmon në tonifikimin dhe stimulimin e grupeve të ndryshme muskulore, si të pjesës së sipërme ashtu edhe të pjesës së poshtme të trupit. Thjesht përpjekja për të qëndruar drejt dhe në ekuilibër mbi tabelën e kajakut e vë trupin në punë, sidomos pjesën e barkut dhe këmbët. Kësaj i shtohet vozitja me lopatë që stërvit shpatullat, gjoksin dhe krahët. Siç mund të kuptohet, praktikimi i kajakut përveç përfitimeve fizike ndikon gjithashtu drejtpërdrejt në mirëqenien emocionale. Për t’u bërë pjesë e këtij sporti nuk ka kritere specifike por thjesht duhet të jesh tip sportiv.
Shkrep Balidemaj, nënkryetari i Federatës së kajakimit në Kosovë tregon çdo kajak i nënështohet kontrollit dhe testeve para se të lundrojë. Janë një sërë masash që duhen të merren sipas tij. Kajakimin ai ua ka mësuar edhe dy djemve të tij, Kronit dhe Klestit. Ata kanë përjetuar lundrimin në shumë liqene e lumenj në Kosovë e Shqipëri.
Edhe Kosova ka historinë e saj lidhur me përdorimin e kajakut. Ndonëse Federata e Kajakimit të Kosovës është formuar në vitin 2020, kajakimi në Kosovë ka një traditë të hershme dhe në mënyrë institucionale ka filluar të aplikohet që nga viti 1948 në kuadër të shtetit të atëhershëm ku Kosova bënte pjesë. Madje Kosova ka nxjerrë disa medalistë të artë në lojrat olimpike.
Për grupin në fjalë, nuk ishte vetëm liqeni i Kukësit, por edhe ai i Kallabakut, një tjetër destinacion që po kthehet në atraksion i rëndësishëm turistik në portën e Shtegut të Ngjyrave.
Jo vetëm të rinjtë por edhe fëmijët mund të lundrojnë me kajak, madje Aida Dhefta sugjeron që të të kthehet në sport masiv në ato zona ku natyra të ofron mundësinë e zhvillimit të sportit të kajakut. Si në shumë disiplina të tjera sportive edhe në kajak mbizotërojnë meshkujt.
Aida thotë se pak vajza në Shqipëri e ushtrojnë këtë sport, ndaj gjithmonë synon t’i sensibilizojë e ftojë për t'iu bashkuar emocioneve të lundrimit pasi është më shumë se një sport; Tingulli i ujit, qetësia e natyrës dhe aktiviteti fizik bashkohen për të krijuar një recetë të përsosur për të përmirësuar mirëqenien e përgjithshme.