Dështimi i protestave të dhunshme dhe katandisja e barrikadave të opozitës në prita rrugësh, tani po zëvendësohet me një teatër të ri, që Basha-Kryemadhi e kanë pagëzuar qeveri tranzitore. Përpjekja për të shpikur një fabulë që të mbajë gjallë kauzën e djegies së mandateve, po kthehet nga histori, në letërsi.
Edhe pse është e gjitha një shpikje qesharake, të bën përshtypje se dhe kjo krijimtari, është po aq mediokre sa shpikjet e disa javëve më pare, që nga boja ndaj kundërshtarëve, deri tek kapsollat dhe molotovët mbi Parlament e Kryeministri.
Së pari, është e paqartë se kush po e harton këtë programin e qeverisë tranzitore, pasi sipas asaj që kanë thënë në fillim, kjo do ishte një qeveri me kryeministër socialist, biles janë shprehur dhe për preferencat e tyre brenda socialistëve.
Nëse i qëndrojnë akoma kësaj ideje, duhet së paku të gjejnë dhe ndonjë socialist për të konsultuar programin, që të jenë të rakorduar. Nëse e kanë ndryshuar idenë që nuk do t’i fusin fare socialistët në qeveri, të paktën ta thonë, që të ata të jenë të qetë e të merren me fushatën.
Së dyti, është e paqartë se kush do t’i përzgjedhë ministrat, Luli, Mona, gjithë opozita, apo dhe Edi Rama. Nëse është dhe ky i fundit, është e paqartë nëse do t’ia çojnë me pëllumb postier mesazhet, që të mos kompromentohen, apo do flasin në Facebook fshehurazi.
Së treti, ky bllokimi i rrugëve që është zgjeruar, përsëri ka ngelur deri në kryqëzimin e Sheqit në Fier. A është kjo pafuqi e opozitës për të qenë forcë kombëtare, apo duan të imitojnë vitin 1997, që nuk e kalonin dot Shkumbinin?
Se një opozitë serioze, që siç thotë Luli, është dhe shumica e vetme në vend, duhet të jetë në këmbë qoftë dhe si bandë, nga Saranda në Tropojë.
Së katërti, kur flasin të gëzuar për Samitin e Berlinit, duhet dhe të shpjegohen përse janë gëzuar, pasi Gjermania, biles partia e Merkelit, vazhdon ta dënojë djegien e mandateve dhe po bën thirrje të rikthehen brenda sistemit, biles duke cituar “një fillim të ri”.
Nëse janë gëzuar për këtë gjë, të na e thonë dhe ne të tjerëve të gëzohemi bashkë, vetëm se duhet të biem dakord që “fillimi i ri” i vitit 2019, nuk është si ai i 2001, prapë me Doktorin. As me marionetat e tij.
Së fundi, harxhimi i kaq shumë energjish për të gënjyer nja 10 bashkiakë që të mos rikandidojnë, duket shpenzim i madh dhe në vend të qeverisë tranzitore, nuk është keq të mendojnë për një opozitë tranzitore, e cila do kalojë pushtetin nga opozita e Berishës, tek një opozitë e re e besueshme, që mund ta trondisë vërtet këtë shumicë, e cila fuqinë më të madhe morale, nuk e ka brenda saj, por tek ata që ka përballë.
Më këtë rast mund të na e kursejnë këtë teatrin që nuk të bën as për të qeshur, as për të qarë. Mund të na bëjnë së paku t’i marrim seriozisht.