Prishja e godinës së Teatrit Kombëtar në 17 maj surprizoi shumë njerëz jo për faktin e prishjes por më tepër për kohën kur ndodhi ndërhyrja e fadromave. Pavarësisht vendimmarrjes së shpejtë të Këshillit Bashkiak Tiranë nuk kishte asnjë motiv të arsyeshëm që prishja e godinës të ndodhte vetëm dy ditë më pas. Por pse kryeministri Rama vendosi ta prishte kaq shpejt dhe a kishte një marrëveshje të heshtur me pjesën tjetër të politikës e cila dukej sikur e mbronte Teatrin? Pse kryeministri Rama do të provokonte një situatë të re tensioni kur vendi ishte ende nën regjimin e masave anti-covid dhe ku protestat janë ende të ndaluara? Ka një seri faktesh që të çojnë drejt idesë se mes palëve, Ramës nga njëra anë dhe opozitës dhe Presidentit nga ana tjetër, ka pasur një marrëveshje të heshtur për të shkuar tek prekja e reformës në drejtësi duke përdorur prishjen e Teatrit.
Prej javësh mes Ramës dhe Metës ishte vendosur një paqe e çuditshme ku palët kishin bërë koncesione të forta. Rama ishte tërhequr nga ligji për betimin e gjyqtarëve jo tek presidenti, kishte pranuar ndryshimet në Kodin penal të propozuara nga Meta dhe ndërkohë nuk kishte bërë asgjë kur presidenti rifilloi sulmin e tij ndaj kreut të KED Ardian Dvorani . Për këtë të fundit u desh ndërhyrja e ambasadores amerikane që të shpëtonte nga shkarkimi si kreu I KED. Ndërsa ishte prishur godina dhe palët bënin sikur po ziheshin, ishte pikërisht ambasadorja amerikane që na zbuloi se mes tyre po tentohej të luhej pazar në kurriz të reformës në drejtësi.
Por cfarë përfitonin palët nga një marrëveshje e fshehtë duke përdorur kauzën e Teatrit? Nga njëra anë Kryeministri prishte godinën e vjetër të Teatrit për të cilën sic e ka pranuar dhe vetë ishte përpjekur prej 21 vjetësh por pa sukses. Nga ana tjetër Opozita dhe Presidenti merrnin OK e shumëdëshiruar nga kryeministri për të rishikuar reformën në drejtësi , gjë për të cilën edhe Ramës nuk do ti vinte keq. Sigurisht që për ti ulur palët në tryezë do të duhej një situatë tensioni dhe nuk kishte më mirë se preteksi për prishjen e teatrit. E ndërsa situata për gjoja prishjen e Teatrit dukej sikur po agravohej dita ditës ishte pikërisht ndërhyrja e fortë e ambasadores amerikane që na tregoi se mes palëve po gatuhej një marrëveshje prapa krahëve që synonte prekjen e reformës në drejtësi .
“Ka ardhur koha të reshturi së bëri pazare, është koha të bëhet reforma në drejtësi dhe zgjedhore sikurse drejtuesit I kanë premtuar popullit shqiptar”do të deklaronte ambasadorja amerikane Yuri Kim e cila nënkuptonte se për këto reforma të dyja palët ishin gati të bënin pazar. Ndërhyrja e ambasadores amerikane ishte shumë e dobishme për të dhënë mesazhin e qartë se ky lloj pazari në dëm të reformës në drejtësi nuk do të funksiononte dhe menjëherë Rama dhe Basha u tërhoqën me deklaratat e tyre. Gjithsesi ajo cfarë ndodhi me Teatrin në mëngjesin e 17 majit tregoi se ajo godinë nuk i interesonte askujt ndërsa prishja e saj u interesonte të gjithëve…