TIRANË- Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe tetë parti të tjera janë dënuar me gjobë 500.000 lekë, pasi është provuar se kanë pasur mungesa në raportimin e kandidatëve të tyre, për kostot e fushatave, të cilat shkojnë, sipas rastit, nga 1, deri në 153 kandidatë.
Po ashtu Komisioneri ka konstatuar se Partia Demokristiane e Shqipërisë dhe Lëvizja për Zhvillim Kombëtar kanë deklaruar shpenzime, për të cilat në një masë të caktuar nuk disponojnë dokumentacionin justifikues. Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ ndaj subjektit zgjedhor Partia Demokratike për mosbashkëpunim në procesin e mbikëqyrjes financiare. KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet dhe sanksioni të mbahet për këtë subjekt në minimumin ligjor, për të prioritizuar qëllimin edukativ të masës administrative në këtë rast.
Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ ndaj subjektit zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë për tejkalim të kufirit maksimal të shpenzimeve. KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet dhe ndaj subjektit të vendoset sanksioni në masën 5 (pesë) milion lekë, për shkak se është vlerë më e lartë se sa diferenca midis vlerës së shpenzuar dhe vlerës maksimale të lejuar.
Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ ndaj kandidatit Fitimtar Lala, të subjektit zgjedhor “Lëvizja e Re”, për shkak se ka pranuar dhurime në rrugë jobankare në vlera më të larta se maksimumi ligjor. KAS-i çmon se kërkesa e Komisionerit duhet të pranohet dhe ndaj kandidatit të vendoset sanksioni në masën 195.000 lekë, e barabartë me shumën e dhuruar.
Komisioneri ka kërkuar vendosjen e sanksionit administrativ ndaj subjektit zgjedhor Balli Kombëtar Demokrat, për shkak se raportin financiar nuk e ka dorëzuar sipas formatit të standardizuar.
Vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës së Komisionerit për vendosjen e sanksioneve administrative ndaj subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve për shkelje lidhur me raportimin financiar.
2. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 500.000 (pesëqindmijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për subjektet zgjedhore:
- Partia Socialiste;
- Partia Demokratike;
- Lëvizja për Zhvillim Kombëtar;
- Lëvizja e Legalitetit;
- Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptarë;
- Nisma Thurje;
- Bindja Demokratike;
- Partia Socialdemokrate;
- Balli Kombëtar;
- Balli Kombëtar Demokrat.
3. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 3 dhe në zbatim të pikës 4, të nenit 90 të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për kandidatin e subjektit zgjedhor PD-Aleanca për Ndryshim, z. Lodovik Hasani.
4. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 1, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për subjektet zgjedhore:
- Partia Demokristiane e Shqipërisë;
- Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
5. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 8, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për subjektin zgjedhor Partia Demokratike.
6. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 5.000.000 (pesë milion) lekë, sipas nenit 173, pika 9, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për subjektin zgjedhor Partia Socialiste e Shqipërisë.
7. Vendosjen e sanksionit administrativ në masën 195.000 (njëqind e nëntëdhjetë e pesë mijë) lekë, sipas nenit 173, pika 5, të ligjit 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar” për kandidatin e subjektit zgjedhor “Lëvizja e Re”, z. Fitimtar Lala.
8. Rrëzimin e kërkesës së Komisionerit dhe pushimin e procedimit administrativ për subjektin zgjedhor Partia Republikane.