Shqipëria, një ish-diktaturë që nuk kishte një reputacion të mirë, është kthyer në një “El Dorado” për turizmin në Evropë. Të tërhequr nga çmimet ende të ulëta (dy në një), vijnë udhëtarë nga e gjithë bota dhe dhuratë nga perëndia për shumë shqiptarë.
Kështu e përshkruan televizioni francez TF1, në një reportazh interesant nga udhëtimi turistik dhe vëzhgimi në plazhet e jugut të vendit. Në hyrje të kronikës, gazetari thekson se ky "boom" vjen pas viteve të krizës ekonomike, teksa përshkruhen krahas bukurive të pafundme, investimet me ritme të larta, cilësia e plazhit, hoteleve dhe restoranteve, duke analizuar edhe atë të ushqimit dhe shërbimit.
Këtë vit Shqipërinë e kanë vizituar 1.1 milionë më shumë vizitorë.
Dhe guida e nisur nga Franca përmban pikërisht si “objektiv” zonën e Himarës (fshat), por edhe pjesë të rivierës së jugut shqiptar. Në fshatin Himarë, dy të tretat e banorëve janë përqendruar tek turizmi, sepse siç e përshkruan një nga banorët “nuk ka fusha të tjera, turizmi mbetet më i miri”.
“Shqipëria pritet të mirëpresë 30% më shumë turistë në vitin 2024 dhe të kalojë 12 milionë vizitorë”, thekson ky televizion në reportazh, teksa në shifrat zyrtare deri tani ka mbi 1,1 mln turistë më shumë se viti i kaluar.
Reportazhi nis me një guidë turistike me vizitorë francezë që udhëtojnë me autobus dhe vendosen në një prej hoteleve të zonës.
“Duket mirë, vendi dhe ambienti, edhe dhoma e hotelit, pamja është e bukur”, shprehet një nga turistet.
Ata theksojnë dëshirën për të vizituar vende të reja dhe mes tyre është edhe Shqipëria.
Theksohen ndër të tjera riviera përrallore e bregdetit të Sarandës, uji i kristaltë, panorama dhe qetësia. Një vëzhgim edhe mbi kodrat e tëra të bregdetit ku po investohet kryesisht në ndërtime të resorteve, hoteleve apo lokaleve.
Vëmendja zhvendoset tek investimi i ardhur nga një sakrificë e gjatë pune në emigrim, e një çifti që banesën e vjetër të nisur si një biznes të vogël, e kanë shndërruar në një hotel gati luksoz dhe me shërbim cilësor. Suela, pronarja e hotelit dhe bashkëshorti i saj, rrëfejnë vitet që iu deshën për ta ngritur, martesën e tyre dhe finalizimin e investimit.
Kurse një banor ngre problematikën e trafikut gjatë sezonit veror, teksa i jep mjetit të tij motorik.
“Nuk ke nga të lëvizësh, ka shumë trafik dhe mezi kalon”, shprehet ai, teksa vë në dukje se turizmi është gjeneruesi më i mirë i të ardhurave në Shqipëri.
Gazetarët kalojnë edhe në periferi të zonës, në fshatrat aty pranë, ku është zhvilluar agro-turizmi, duke qenë edhe afër bregdetit. Një tipologji gastronomie dhe shërbimi ndryshe, e mbështetur te prodhimet bio të zonës, gatimet tradicionale të vendit, të kombinuara me bulmetin që vjen nga fermat e kafshëve direkt dhe fruta-perimet e sezonit. Veçanërisht bien në sy gatimet dhe servirja e fiqve, ëmbëlsirave me krem thane, byrekët me qumësht, mishi i shpendëve dhe të tjera.
Një nga përfaqësueset e biznesit thotë se së shpejti edhe banesat e vjetra që shihen aty do të kthehen në investim, një bujtinë, për të zgjeruar aktivitetin dhe rritur cilësinë. Në pamjet e televizionit vihet re se fluksi është i lartë i turistëve dhe dhomat e hoteleve dhe tavolinat pothuajse janë plot.
Turistë të huaj dhe vendas vlerësojnë shërbimin dhe çmimet. Madje vetë televizioni e cilëson rivierën shqiptare ndryshe nga ato në Europë dhe më gjerë, si një paketë çmimi “dy në një”, pra paguan dy herë më pak.
Por ka edhe problematika, si ngatërresat me klientët për rezervimet dhe mbingarkesa. Vihet në dukje gjithashtu edhe zona e lakmuar e “Folie Marine”, si vendi ku ndodhet epiqendra e turizmit shqiptar në jug. Shërbimi multifunksional, me dhoma hoteli cilësore, gastronomi e përzgjedhur dhe me staf tejet të kualifikuar, ku shumë prej shefave të kuzhinës vijnë nga eksperiencat e tyre në restorante prestigjioze në Europë.
Një prej shefave të kuzhinës, njëkohësisht edhe drejtues, rrëfen sekretet e investimit dhe ngritjes së biznesit, duke ofruar cilësi shërbimi dhe njohje të restorantit nga klienti në klient, deri në afirmim.
Kurse një tjetër rrëfen se klientëve i ofrohet menu e pasur dhe sipas dëshirave. Teksa reportazhi mbyllet me mbrëmjet e çmendura në lokalet e natës së zonës, ku ofrohet magjia e adrenalinës në muzikë dhe kërcim me balerina.
Një çift turistësh vlerëson shërbimin e ofruar në rivierën shqiptare, edhe pse thekson se ende nuk është në nivelin e atij Europian, si në Belgjikë për shembull, apo “me më pak përmbajtje” siç e citojnë.
Por ndihet ndryshimi me vite më parë në të gjitha zërat dhe mbi të gjitha pasi çmimet i shkojnë cilësisë së ofruar gati europiane. Madje janë shumë më të lira se në vendet e tjera të njohura të kontinentit, duke e krahasuar me Ibiza.
SHIKONI VIDEO KETU