Bota

Tensione mes Moskës dhe NATO-s? Putin 'ndez' Macron përmes një komunikate për lëvizjet provokative të SHBA-ve

16 Nëntor 2021, 01:35| Përditesimi: 16 Nëntor 2021, 02:00

  • Share

‘Provokimet e vazhduara të stërvitjeve të SHBA-vë po rrisin tensionet mes Moskës dhe NATO-s’, kështu u shpreh Presidenti rus Vladimir Putin në një komunikatë me Presidentin francez Emmanuel Macron të hënën.

Të dy udhëheqësit shprehën pakënaqësi me atë që Moska e quajti një situatë "përkeqësuese" në Ukrainën lindore, thuhet në deklaratën e Kremlinit.

Macron dhe Putin bien dakord për 'de-përshkallëzimin' e krizës Bjellorusi/Poloni - Francë. Megjithatë duhen theksuar përplasjet e fundit mes Macron dhe Biden lidhur me marrëveshjen e nëndetëseve mes Australisë dhe Francës e cila i kushtoi kësaj të fundit milliona dollarë. 

Komentet e Putinit erdhën pasi vendet perëndimore ngritën alarmin për aktivitetet ushtarake ruse pranë Ukrainës. Sipas Elysee, Macron i tha Putinit se Franca ishte e gatshme të mbronte integritetin territorial të Ukrainës.

Javën e kaluar, Putin tha se Kremlini i konsideroi stërvitjet e fundit të Detit të Zi nga SHBA dhe anijet e tjera të NATO-s si një sfidë serioze.  Ai i tha televizionit shtetëror se Ministria e Mbrojtjes e Rusisë "kishte një propozim për të mbajtur stërvitjet e veta të paplanifikuara në të njëjtat ujëra".

‘Por unë besoj se kjo është e papërshtatshme dhe nuk ka nevojë të përshkallëzohet më tej situata’, shtoi ai.

Putini në dukje iu referua disa luftanijeve amerikane që merrnin pjesë në stërvitjet në Detin e Zi, të cilat Moska ka thënë se po monitoronte.  Sipas deklaratës së Kremlinit, Putin kritikoi gjithashtu Ukrainën për "përdorimin e fundit" të dronëve në konfliktin e saj me rebelët pro-rusë.

Muajin e kaluar, Kievi publikoi pamjet e asaj që tha se ishte përdorimi i parë i dronit TB2 Bayraktar të prodhimit turk kundër separatistëve. Putin tha se kjo shkel marrëveshjet e paqes të nënshkruara në Minsk në 2015.

Kryediplomati amerikan Antony Blinken paralajmëroi Moskën javën e kaluar që të mos bënte një tjetër "gabim serioz" në Ukrainë, ndërsa Uashingtoni kërkonte qartësi në lidhje me lëvizjet e trupave pranë kufirit. BE-ja ka thënë se është gjithashtu e shqetësuar nga aktivitetet ushtarake ruse pranë kufirit.

Blloku 27-vendesh tha se po monitoronte situatën me partnerët, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë.

Akuzat vijnë në mes të tensioneve në rritje midis BE-së dhe Moskës për një bllokim të emigrantëve në kufirin midis Polonisë dhe Bjellorusisë aleate të Kremlinit. 

Në vitin 2014, Moska aneksoi gadishullin e Krimesë të Kievit dhe që atëherë Ukraina ka luftuar një konflikt me rebelët pro-rusë në lindje të vendit. Konflikti ka marrë më shumë se 13,000 jetë.

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Trrnakop Kacija: 16/11/2021 16:01

    U mesuat me Jelcinin qe rrinte dite e nate tape.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?